Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se flora detare po angazhohet për të frenuar ndotjen e mëtejshme në plazhin e Zvërnecit, pas incidentit të djeshëm, ku një sasi nafte bruto përfundoi në det.
“Disa tonë naftë e papërpunuar ka ndotur gati 5 km vijë bregdetare, për shkak të një rrjedhjeje nga një anije që furnizohej te Petrolifera. Forca Detare është në lundrim në ndihmë të operacionit për parandalimin e përhapjes së ndotjes dhe pastrimin e saj”, u shpreh ministrja Mimi Kodheli. Plazhi i Zvërnecit në Vlorë është ndotur si pasojë e çarjes së një anijeje gjatë procesit të ngarkimit te naftës bruto në të.
Dyshohet se është çarë tubi që furnizonte anijen me naftë bruto. Kjo nuk është hera e parë që ky plazh ndotet, pasi 4 vite më parë një sasi e konsiderueshme solari u derdh në zonën e plazhit. Sasia e solarit ishte hedhur në det gjatë operacionit të ngarkimit të një anijeje në bregdetin e Vlorës.
Ndërkohë ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka reaguar duke thënë: “Ministria e Mjedisit dhe institucionet e saj të varësisë ISHMP dhe AKM kanë qenë dje në zonën e Zvërcenit, që në momentin e identifikimit të ndotjes mjedisore”.
“Ditën e djeshme Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve ka marrë masën e pezullimit të plotë të aktivitetit të Portit privat të Kompanisë Petrolifera, si dhe masën administrative me gjobë, sipas parashikimit në ligj”, shkruan në faqen e tij në “Facebook”.
Sipas Kokës, vazhdon inspektimi dhe ushtrimi i kontrollit në vendngjarje. “Përgjegjësit do të përballen me masat më të ashpra që ligji parashikon deri në rehabilitimin e plotë të dëmit mjedisor të shkaktuar. Kërkoj angazhim maksimal të të gjitha strukturave të tjera për këtë emergjencë të ndotjes mjedisore!”, shprehet ai.
Marrë nga Gazeta Shekulli


