Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Konsumimi i një diete të pasur me fibra ju ndihmon të jetoni më gjatë dhe shëndetshëm, sugjeron një studim i ri. Nëse në dietën tuaj ushqimore përfshini ushqime të pasura me fibra ( bukë, drithëra, fruta), pa e tepruar me to, ju do të shmangni sëmundje të ndryshme në moshë të vjetër, thonë shkencëtarët. Ndikimi është kaq i madh, sa studiuesit kanë zbuluar se njerëzit që konsumojnë ushqime me shumë fibra kanë 80% më shumë shanse që të jenë gjallë në 10 vitet e ardhshme.
Nga të gjitha faktorët që ekzaminuan, duke filluar nga konsumimi i karbohidrateve, fibrave, sheqernave, nivelit të glicemikës etj, shkencëtarët zbuluan se fibrat bënin diferencën në jetëgjatësinë e njerëzve dhe “plakjen e duhur” të tyre.
Me “plakje të duhur” kuptohet që të moshuarit nuk kanë pasur asnjë rast të sëmundjeve kronike, si kancer, atak në zemër, goditje në tru, probleme me kujtesën, me frymëmarrjen apo nuk kanë shfaqur asnjëherë simptoma depresioni gjatë jetës së tyre.
“Nga të gjitha lëndët ushqyese që kemi studiuar, fibrat (një lloj karbohidrati që trupi nuk mund ta tresë) kishin ndikimin më të madh”, tregon dr. Bamini Gopinath, autori kryesor i studimit nga Instituti për Kërkime Mjekësore në Asutrali.
“Në thelb, ne zbuluam se njerëzit që konsumonin më shumë fibra kishin 80% më shumë shanse që të jetonin një jetë të shëndetshme gjatë 10 viteve të ardhshme”.
“Ata ishin më pak të rrezikuar që të vuanin nga hipertensioni, diabeti, dementia, depresioni dhe problee të tjera” përfundon dr. Gopinath.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


