Arlinda Gjypi
(Read the English Version)
“Të drejtat e pacientëve nuk kanë kufij… si dhe rreziqet”. Kjo ishte tema e konferncës së zhvilluar më 3 maj në Parlamentin Evropian nga “Active Citizenship Network” (ACN). Në të morën pjesë përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve të shteteve të ndryshme të BE-së, si dhe përfaqësues nga shoqata “Together for Life” në Shqipëri.
Mariano Votta, drejtor i ACN-së, u shpreh se për herë të parë “të drejtat e pacientit” janë një term ligjor. Megjithatë ai theksoi se pavarësisht direktivës, shërbimin shëndetësor ndërkufitar e kanë marrë vetëm 2% e qytetarëve të BE-së. Që edhe të tjerët të përfitojnë nga ky shërbim, informacioni është i nevojshëm. Ana financiare është një pengesë për marrjen e shërbimit shëndetësor. Rreziku qëndron në faktin se ky shërbim mund të përfitohet vetëm nga ata që kanë para. Është thelbësore që kjo direktivë të jetë për të gjithë. “Është e vështirë të udhëtosh për të marrë shërbimin mjekësor jashtë vendit. Ka procedura të ndryshme, ka mungesë informacioni, si dhe nuk jepet leje nga institucionet lokale”, tha Votta. Ai theksoi se të dhënat aktuale tregojnë për mungesë të dhënash dhe informacioni, tepër të nevojshme për ta bërë shërbimin shëndetësor ndërkufituar të funksionojë.
Jo Maes, drejtor i organizatës për Fuqizimin e Pacientëve Evropianë për Zgjidhje të Personalizuara, Holandë, foli lidhur me atë çfarë ndodh kur qytetarët udhëtojnë jashtë vendit për të marrë trajtimin shëndetësor. “Lëvizja e pacientëve ka një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik evropian dhe për më tepër do të çojë në përmirësimin e sistemit shëndetësor të secilit shtet të BE-së, pasi i nxit qeveritë që përmirësojnë sistemet e tyre shëndetësore.
Ndërkohë, Paul Vincke, menaxher i rrjetit kundër korrupsionit dhe mashtrimit në shërbimin shëndetësor Evropian, foli lidhur me rreziqet me të cilat mund të përballen pacientët. “Pacientët që udhëtojnë për të marrë shërbim shëndetësor në vendet e tjera të BE-së përballen me të njëjtat rreziqe si dhe në vendet e tyre të origjinës, pra me shpërdorimin, korrupsionin, mashtrimin etj. Këto shkaktojnë jo vetëm dëm ekonomik, por edhe dëm fizik. Kjo për shkak se nuk i kushtohet vëmendje kurave ose ka kura shumë të shtrenjta. Sistemet shëndetësore paguajnë për çdo shërbim dhe ndonjëherë kjo shërben si mënyrë abuzimi. Kështu që mund të ndodhë të bëhen teste invazive të panevojshme për pacientin.
Përveç dëmit fizik kemi edhe atë ekonomik për pacientin, pasi ndodh të jepen para për punonjësit shëndetësor që të marrin shërbimin e duhur. Gjithashtu mund të ndodhë që pacientët të mos rimbursohen për shkak të faturave problematike, domethënë që vihet një vlerë mbi atë që mund të përfitojë rimbursim pacientët. Kështu që pacientët duhet të marrin informacione se cilët shtete janë më të sigurta.
Catherine Donohoe, nga Pika Irlandeze Kombëtare e Kontaktit, foli lidhur me rreziqe të tjera. “Shumë pacientë përballen në vendet pritëse me ato që quhen “kostot e fshehura”, pra kosto për të cilat nuk janë sqaruar që në fillim. Gjithashtu, ka pasur raste kur pacienti është pranuar nga një spital apo klinikë në shtetin pritës, pavarësisht se ai nuk e ofronte shërbimin për të cilin kishte nevojë pacienti”, u shpreh Donohoe. Ajo tha se me futjen e kësaj praktike, është vënë re një rritje me 30% e rasteve të ndërlikuara, kjo për shkak të rritjes së kostos së rimbursimit.
Në përmbyllje, Antonio Guadioso, sekretar i Përgjithshëm i Cittadinanzattiva tha se nuk mjafton vetëm ligji. “Është shumë e rëndësishme që të punohet me zbatimin e këtij ligji në praktikë dhe të mos kthehet në një histori pa fund”, përmbylli ai.



