Arlinda Gjypi (English Version)
Emigrantët shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë në vendet e BE-së tashmë do të kenë mundësinë që me siguracionin e tyre shëndetësor, të mund të marrin shërbim shëndetësor në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, pavarësisht vendit ku jetojnë. Një gjë e tillë përcaktohet në direktivën për të drejtat e pacientëve dhe bëhet e ditur nga Bernd Christl, drejtori i Pikës Kombëtare të Kontaktit për Shërbimin Shëndetësor Ndërkombëtar në Gjermani.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shëndet+”, drejtori Christl shpjegon procedurat që duhet të ndjekin emigrantët shqiptarë që jetojnë në Gjermani, si dhe ata që jetojnë në vende të tjera të BE-së për të marrë shërbimin shëndetësor që u nevojitet edhe në vende të tjera, pavarësisht se jetojnë apo punojnë.
Së fundmi, shumë shqiptarë po vijnë në Gjermani të jetojnë dhe punojnë aty. Lidhur me shërbimin shëndetësor ndërkufitar, do të donim të dinim nëse shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Gjermani a kanë të drejtë të kurohen në vendet e tjera të BE-së?
Po. Të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Gjermani, punojnë dhe paguajnë sigurimet shëndetësore të detyruara, përfitojnë nga Direktiva për të Drejtat e Pacientëve, e cila përfshin mundësinë që çdo qytetar evropian të mund të marrë shërbimin shëndetësor në secilin vend të Bashkimit Evropian, të Zonës Ekonomike Evropiane apo Zvicrës. Në kuadër të ligjit gjerman për Sigurimet Shoqërore, këtë e përfiton cilido person që ka paguar sigurimin e detyruar shëndetësor në shtet ose në privat.
Çfarë dokumentesh u duhen emigrantëve shqiptarë që të marrin trajtim në vendet e tjera të BE-së?
Kur do të përdorin Direktivën për të Drejtat e Pacientëve, ata kanë kanë nevojë vetëm për një autorizim paraprak një konfirmim të shkruar nga kompania e sigurimeve shëndetësore të detyrueshme (Fondi i Sigurimeve) para se të nisen për kurim. Kur kthehen, ata do të marrin rimbursimin në maksimumin e shumës që paguan shteti gjerman për këtë trajtim. Pacienti mund të zgjedhë për t’u trajtuar në një spital shëndetësor në një vend tjetër të Bashkimit Evropian, Norvegjisë, Lihtenshteinit, Islandës ose Zvicrës. Pacienti duhet të paguajë paraprakisht për trajtimin mjekësor dhe pastaj e merr rimbursimin sipas përllogaritjes së shtetit gjerman.
Nëse pacienti do të marrë një trajtim që është pjesë e shportës së sigurimit të detyrueshëm shëndetësor të një shteti tjetër të BE-së Norvegjisë, Lihtenshteinit, Islandës ose Zvicrës, ai mund t’i kërkojë kompanisë së sigurimit të detyrueshëm shëndetësor në Gjermani një autorizim paraprak me formularin E112/S2.
Me këtë formular ai mund të paraqitet tek kompania e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor në shtetin që merr trajtimin dhe ata do t’i japin një formular kombëtar për siguruesin e kujdesit shëndetësor ku ai do të marrë të njëjtin trajtim si një pacient që është i siguruar në atë shtet. Ai duhet të paguajë vetëm shumën shtesë, njësoj si personat e siguruar në shtetin e trajtimit. Kostot e tjera do të rregullohen direkt me fondin e sigurimeve shëndetësore përmes agjencive ndërlidhëse. Kjo procedurë funksionon vetëm për pacientët me sigurim shëndetësor të detyruar.
A ka pengesa për ta përfituar një shërbim të tillë?
Fondet e sigurimeve shëndetësore janë të detyruar të japin autorizime për trajtim shëndetësor ndërkufitar vetëm kur nuk ka trajtim të tillë në Gjermani apo kur trajtimi nuk mund të merret në kohë. Në raste të tjera, ata mund ta autorizojnë trajtimin ndërkufituar, por nuk janë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë. Në fakt, Gjermania siguron shumicën e trajtimeve shëndetësore.
Po shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në vendet e tjera të BE-së a kanë të drejtë të marrin trajtim shëndetësor në Gjermani?
Normalisht e kanë këtë mundësi. Gjithsesi në praktikë gjithçka varet nga procedura që shteti anëtar i BE-së ka implementuar dhe zbatuar nga Direktivat për Shërbimin Shëndetësor Ndërkufitar apo rregulloret 883/2004 dhe 987/2009.
Çfarë dokumentesh janë të nevojshme për të marrë shërbim shëndetësor në Gjermani?
Të njëjtat dokumente që u duhen personave të siguruar në Gjermani për të marrë shërbim në vendet e tjera të BE-së.
A ka pengesa?
Siç e thashë edhe më lart, Fondet janë të detyruara të japin autorizime për trajtimet shëndetësore që vendi i BE-së ku jeton pacienti, nuk e siguron, por nuk janë të detyruar që ta japin këtë autorizim në rastet kur trajtimi që kërkon personi, gjendet edhe në shtetin ku ai paguan sigurimin e detyrueshëm shëndetësor.
Gjithsesi, përpara çdo lloj veprimi, çdo pacient duhet të lidhet me kompaninë e vet të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor për të marrë të gjithë informacionin e duhur lidhur me problemin e tij dhe për të mësuar se sa është vlera përkatëse e rimbursimit. Për të qenë edhe më të sigurt, mund të merrni informacion në Pikat e Kontaktit për Shërbimin Shëndetësor Ndërkufitar, të ngritura pikërisht për këtë qëllim.
(Kliko KËTU për pikat e kontaktit në vendet e BE-së)


