Krijimtaria është si puna e ujit që rrjedh dhe ti duhet të vesh gotën para për ta mbushur, pasi ai nuk mund të rrjedhë gjithmonë
Bisedoi: Elena Beta
Të kënduarit “live”, serenatat, baladat, muzika amerikane, skenat e mëdha të Greqisë, si dhe bashkëpunimet me artistë të mëdhenj janë disa nga pikat më të forta të karrierës së Devis Xherahut. Në këtë intervistë për gazetën “Shëndet+”, ai i njeh lexuesit me konceptet e tij për shëndetin, kujdesin që tregon për mirëqenien fizike pavarësisht orëve të gjata të performancave, regjimin e tij të mirë ushqimor, çfarë e ka bërë Devisin që është sot, si dhe njofton “ardhjen në jetë” të një balade të re me të cilën me siguri do të thyejë shumë zemra të dashuruara në festivalin e Këngës Magjike 2016. Lexoni më poshtë intervistën e plotë të tij.
Çfarë është shëndeti për një këngëtar të famshëm si Devisi?
Në të gjitha urimet e mia kur jam me miq, ngre gjithmonë dolli dhe shëndetin e uroj të parin. Shëndeti është mbi gjithçka. Nëse nuk ke shëndetin, nuk ke as karrierë, as miq, as jetë. Shëndeti është baza e ecjes përpara të njeriut.
Një këngëtar i angazhuar në koncerte dhe lokale nate, ku performon për orë të gjata, sa mundësi ka të kujdeset si duhet për regjimin dhe ushqimin?
Gjithmonë kur më pyesin lidhur me moshën, njerëzit tregohen mosbesues ndaj moshës sime reale. Kjo nënkupton që jam marrë dhe merrem me kurimin e vetes. Ne në fakt shkojmë “kundra Zotit” me punën që kemi, sepse nata është bërë për të fjetur, kështu që profesionalisht mund të them se abuzojmë. Por edhe duhani apo alkooli ndikojnë negativisht në shëndet dhe unë përpiqem t’i eliminoj këto për të qenë sa më i shëndetshëm.
Bën palestër?
Sigurisht që bëj palestër… Duke qenë se po shihemi dhe “live”, besoj duket (qesh)… Por nuk jam i sëmurë pas saj, i fiksuar… Më shumë më pëlqen vrapi, arsyeja kryesore që kam dhe shtëpinë afër liqenit është stërvitja që bëj, duke praktikuar shpesh vrapin në ambientin përreth, i cili të ofron hapësirë dhe kushte për t’u stërvitur si duhet.
(Qesh) Unë kam një nënë shumë të përkushtuar pas gatimit. Jo se është nëna ime, por ajo është një amvisë e shkëlqyer, kështu që mua nuk më ka rënë ndonjëherë rasti të gatuaj. Edhe kur kam jetuar në Greqi, paçka se kam jetuar vetëm, kur nuk kam pasur mundësi të gatuaja, haja jashtë. Këto janë zgjedhjet e mia. Ose do ha jashtë, ose nëna në shtëpi… Por edhe e dashura ime gatuan shumë mirë, është fat të bashkëjetosh me një njeri që di të kënaqë shijet e tua ushqimore në mënyrë perfekte. Sa për pjatën e preferuar, e them gjithmonë, pilaf me pulë dhe rizoto (qesh).
Ti vjen nga një familje artistësh. Kjo do të thotë që këngën e ke në gjak apo pas suksesit tënd në skenë fshihen orë të gjata provash në studio?
Një njeri i madh ka thënë se një talent nuk ka nevojë për shumë punë, megjithëse tek unë janë mbledhur të gjitha. Përveç gejnit, pasi gjyshi im Vaskë Xherahu ka qenë pjesë e korit Lira dhe gjeni është gjen, nuk i shmangesh dot, unë kam punuar shumë duke qëndruar orë të gjata pas kitarës dhe mikrofonit për të qenë ky që jam sot. Kam 24 vjet që jam në profesion dhe nuk ndaloj asnjëherë së punuari, sepse po e le, të la.
“Akoma s’e besoj”, e vlerësuar si balada më e mirë tek Kënga Magjike, si dhe e shoqëruar dhe me një interpretim të shkëlqyer nga ana jote. Dedikim apo thjesht këngë?
(Qesh) Në fakt me këtë pyetje jam ndeshur shpesh, jo vetëm në intervista, por edhe nga ana e miqve apo njerëzve të njohur. Madje, ka pasur shumë njerëz që janë përlotur kur e kam kënduar këtë baladë. Kjo këngë në fakt ka qenë një rastësi, por unë kam gjetur veten artistikisht dhe ndodhi ajo që ndodhi, unë dhashë maksimumin tim. Sa për dedikimin, nuk e di Jorgo Papingji kujt ia dedikon (qesh), pasi në fakt është ai që ka shkruar tekstin. Gjithsesi ishte një rastësi shumë e bukur, pasi unë gjeta veten aty dhe ashtu si unë, e ka gjetur veten edhe pjesa më e madhe e publikut.
Ke disa vite në një lidhje me Ertemionën, e cila mban disa kurora bukurie, midis tyre edhe kurorën e Miss Shqipërisë. Sa sfiduese ka qenë për ty të bëje për vete më të bukurën e vendit?
Klipi i këngës “Akoma s’e besoj” ka qenë ai që na bëri të afroheshim më shumë me njëri-tjetrin, atje u bë ai gatimi i frutit tonë të dashurisë (qesh). Unë kurrë nuk u nisa nga çfarë ishte Ertemiona apo Ertemiona nga ajo çka isha unë. Thjesht lindi ajo që lindi, ndodhi, nuk kishim një pakt në mendjen tonë që unë do kap Miss Shqipërinë apo ajo do më kapë mua. Ishte një rastësi, një moment, ashtu si thotë dhe kënga ime e fundit… Paska qenë e shkruar!
Përveçse një këngëtar, njihesh edhe si “muzikëshkrues”. Sa ndjenja vendos brenda muzikës tënde?
Ndjenjat e mia mbetet për t’i vlerësuar publiku, pasi publiku është pasqyra më e madhe e një artisti. Nëse do bëja një analogji, për mua krijimtaria është si puna e ujit që rrjedh dhe ti duhet të vesh gotën para për ta mbushur, pasi ai nuk mund të rrjedhë gjithmonë. Kështu që jam gjithmonë në dilemë për të vënë gotën para rrjedhjes së shpirtit. Kjo po më ndodh dhe tani me një baladë që po shkruaj, me të cilën do të marr pjesë tek Kënga Magjike.
Devis, ti ke një karrierë 24-vjeçare në muzikë, ku pjesë e repertorit tënd janë edhe këngët greke. Ndjen më shumë emocion duke kënduar greqisht apo shqip?
Kjo greqishtja në fakt më është faturuar (qesh). Unë edhe kur kam qenë në Greqi kam kënduar më shumë këngë amerikane dhe italiane. Në fakt, përveç këngëve shqiptare, e gjej veten shumë mirë tek kënga amerikane. Kjo pasi jam rritur me këngët e Elvis Preslit. Babai im më edukoi me këngët e tij. Dobësi e imja janë edhe këngët spanjolle. Nëse do të bëja një renditje, do të ishte muzika shqiptare e para, amerikane, italiane, spanjolle, pastaj vjen muzika greke.
“Sorry Seems to be”, përfaqëson një ogur të mirë për ty, pasi me këtë këngë ke fituar çmimin interpretimi më i mirë në emisionin “Fame story” në Greqi. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, ndjen përsëri emocion kur të ndodh ta këndosh këtë këngë?
Duke qenë se unë shquhem në interpretimin e baladave, baladat më përshtaten dhe unë gjej veten në interpretimin e tyre, “Sorry seems to be” është një nga këngët që e adhuroj, një nga super baladat e Elton John, është pikërisht stili i këngës ku gjej veten. Flas për stilin teknik të këngës. Detyrimisht që kjo këngë më kujton dhe një moment të rëndësishëm të karrierës sime, siç ishte “Fame story”, ku kam kaluar një sfidë shumë emocionuese dhe ngacmuese, e cila ka lënë gjurmë në jetën time.
Një shqiptar që trondit skenat e Greqisë. Sa e vështirë ka qenë të afirmoheshe në një vend të huaj?
Nëse do të kisha dhënë një shtet tjetër aq sa kam dhënë në Greqi, do të isha në kushte të tjera. Por në Greqi u ndodha rastësisht, ishte zgjedhja e fundit që mund të bëja. Që i vogël ëndrra ime më e madhe ka qenë Amerika dhe Hollivudi. Shkova rastësisht dhe ngela në Greqi. Të kënduarit “live” ishte shumë i suksesshëm në atë kohë andej dhe ishte kjo që më tërhoqi më shumë. Isha tepër i lirshëm në të kënduar, kjo ishte dhe arsyeja pse një nga këngëtarët më me famë në Greqi, Lefteri Pantazi, më vlerësoi duke më kërkuar bashkëpunim. Por mendoj se Greqia është paradoksale përsa i përket zhvillimit dhe pranimit të të huajve në tregun e vet. Unë bëra maksimumin dhe mund të them se përvoja ime atje ishte një super master për mua, pasi mora shumë gjëra pozitive nga këngëtarë me vlera të cilët vlerësuan atë që përfaqësoja.
Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet+”:
Duke qenë se bëhet fjalë për lexuesit e gazetës “Shëndet+”, ju them: “Ruani shëndetin, sepse mbi të ndërtojmë gjithçka, ndërtojmë ëndrrat tona, të ardhmen tonë profesionalisht dhe familjarisht”.



