Jam një vajzë 23 vjeç dhe doja të merrja një informacion në lidhje me sëmundjet e tiroides. Më konkretisht doja të dija se çfarë shenjash shfaq funksioni i shtuar i tiroides? ARTEMISA
Për shqetësimin tuaj kemi pyetur mjekun endokrinolog Flamur Mete:
“Së pari doja të sqaroja se funksioni i shtuar i tiroides jo në të gjitha rastet shfaqet me simptoma të qarta dhe specifike. Në disa raste sëmundja zhvillohet pa u kuptuar për muaj dhe vite. Ndër shenjat kryesore të janë: nervozizmi, pagjumësia, djersët, rrahjet e shpejta të zemrës, padurimi ndaj të nxehtit, lodhja, rënia e flokëve, oreksi i shtuar dhe rënia nga pesha shpejt dhe tepër.
Gjendra tiroide është e zmadhuar 2-4 herë në volum dhe po t’i vihet dora sipër shpesh dëgjohet një si trill ose gërhitje e lehtë që flet për vaskularizimin e tepërt dhe qarkullimin e shtuar të gjakut. Të sëmurët me hipertyreosis shpesh ankohen për vështirësi në frymëmarrje pas një sforcimi të lehtë, kjo si pasojë e dobësisë së muskujve të frymëmarrjes.
Ata mund të kenë shenja të dobësisë kockore nga humbjet e kalciumit dhe fosforit, kanë një dridhje fine të duarve që konstatohet vetëm kur preken nga jashtë. Lëkura si organi i rregullimit të temperaturës së trupit, merr një rëndësi të veçantë në sëmundjen e tiroides. Në funksion e shtuar të saj, ajo është e ngrohtë, e butë dhe e njomë. Përveç shenjave të mësipërme mund të ndodh që flokët të bien shpejt dhe të thinjen para kohe. Thonjtë janë të thatë dhe në pjesët e tyre fundore fillojnë e çahen. Po ashtu i sëmuri mund te ketë ënjtje në pjesën e poshtme të kërcinjve”.



