Cekja: Gjithë fajet i ka paraja? Ja e vërteta!

Sejfulla Myftari Cekja 1

Bisedoi për shendeti.com.al: Elena Beta

Nuk ka të rritur a fëmijë që nuk e njeh Ceken e Beratit. Të gjithë kanë qeshur me humorin e tij dhe me personazhet e krijuara prej aktorit. “Një baba tepër”, “Gjithë fajin e ka paraja”, “Pesha e gruas sime”, “Pushime në Romë” e shumë të tjera janë vetëm disa nga komeditë që na kanë mbërthyer pas ekranit të televizorit për orë të tëra duke na bërë të qeshim pa fund.

Sejfulla Myftari, i njohur ndryshe si Cekja i Beratit, është sot pjesë e rubrikës “Vip Shëndet”, ndërsa rrëfen për herë të parë për gazetën “Shëndet+” historinë e vërtetë që qëndron pas një komedie shumë të suksesshme e të dashur për të gjithë ne. Ai tregon më shumë për veten, energjinë pozitive që e shoqëron gjithmonë, si sa kujdeset për shëndetin e shumë detaje interesante nga jeta e tij jashtë roleve dhe skenës…

Cekja i Beratit! Si ka lindur ky pseudonim?

Është një histori e thjeshtë e cila lidhet me fëmijërinë time. Kur kam qenë i vogël shkoja në fshatin e lindjes në Skrapar dhe luaja me kecat e gjyshes, duke u thirrur vazhdimisht kec, kec. Nga kec kec lindi dhe Ceke, i cili u bë emri i artit me të cilin meëidentifikojnë të gjithë.

Humori kërkon energji dhe shëndet të mirë. Sa i shëndetshëm jeni?

Shëndeti është dhurata e Zotit. Unë nuk kam pasur probleme me shëndetin asnjëherë (flas për probleme serioze) dhe jo se kujdesem shumë apo ndjek dieta të rrepta, por thjesht konsumoj të tre vaktet rregullisht (mëngjes, drekë, darkë) dhe përgjithësisht ha ushqime të shëndetshme. Kjo besoj ka ndikuar që unë të jem në formë gjatë gjithë kohës dhe të mos vuaj nga probleme shëndetësore të rënda.

A bëni shpesh kontrolle tek mjeku?

Ah! Kjo është mangësia ime. Më ndodh ta neglizhoj pjesën e kontrollit mjekësor, nuk shkoj rregullisht ashtu si duhet 1 herë në 6 muaj të takoj mjekun dhe të kryej vizitat përkatëse. Mbase për faktin që kam qenë tepër i angazhuar dhe kjo gjë më ka privuar, ose mund të them thjesht neglizhencë.

Thonë që humori të zgjat jetën. Ju ka ndihmuar profesioni për një jetë më të mirë?

Gjithçka ka të bëjë me gjendjen shpirtërore. Nëse ti je i gëzuar, ndihesh mirë dhe mban larg stresin, gjithçka shkon më mirë. Profesioni im është sigurisht një plus, por s’ka rëndësi nëse je aktor apo jo. Mundohuni të qeshni sa më shumë, të mendoni pozitivisht dhe çdo gjë do të kalojë më lehtë. Njeriu duhet të jetë i qeshur, sepse ngarkesa emocionale është e dëmshme për shëndetin. Jo se rri gjatë gjithë kohës me gojën hapur (qesh), por më pëlqen atmosfera. Unë edhe në shtëpi krijoj gjithmonë atmosferë. Bashkë me familjen time, gruan, djalin dhe dy gocat tashmë e kemi bërë traditë të mblidhemi gjatë fundjavës, të vëmë pak muzikë dhe sigurisht shoqëruar me anekdota apo histori nga më të ndryshmet mund të kalojmë orë të tëra së bashku. Tashmë është racion për ne mbledhja e fundjavës, nuk e ndërrojmë me asgjë tjetër.

Sejfulla Myftari Cekja

Për çfarë e vlerësojnë njerëzit Ceken?

Unë ndiej kënaqësi të madhe kur shoh respektin që ka për mua publiku që më ndjek. Këtë respekt dhe dashuri unë e shikoj çdo ditë nëpër rrugë kur njerëzit duan të dalin foto apo të bisedojnë me mua. Kjo nuk më ndodh vetëm në qytetin tim, por edhe kur shkoj në qytete të tjera. Kur shkoj me pushime në Sarandë apo në Pogradec ku kemi shtëpitë tona të pushimit, unë lumturohem nga respekti që i madh e i vogël kanë për mua. Ajo që më kënaq më shumë, janë fëmijët e vegjël që thonë: Dua të bëj foto me Ceken. Dikur më ka thënë Vera Grabocka: “Nëse arrin edhe një fëmijë të kërkojë dhe të njohë Ceken, imagjino sa i thellë është impakti që ti ke lënë në publik”. Mbase ndikon dhe fakti që kam marrë pjesë në  48 telekomedi, të cilat më kanë lidhur aq shumë me publikun …

Në komedinë “Gjithë fajet i ka paraja”, keni luajtur rolin e një mjeku popullor. A besoni te mjekësia popullore?

Po e them për herë të parë në këtë intervistë që ai rol nuk ishte krejt rastësor. Ishte i bazuar në një histori të vërtetë nga e cila mora shtysë për të vënë në skenë personazhin e doktorit mashtrues. Kjo ngjarje ka ndodhur para shumë vitesh në Berat kur një mjek popullor mashtronte njerëzit e qytetit duke u dhënë kura të paefektshme dhe që më vonë u arrestua për mashtrim. U përpoqa të hyja brenda personazhit në mënyrë që të sillja tamam atë realitet me të cilin u përballën shumë nga njerëzit e qytetit, me të vetmin ndryshim që ai person nuk kishte gungën në kurriz me të cilën u karakterizova unë si personazh, por kishte problem me shtrembërimin e njërës shpatull. Sa për mjekësinë popullore, nuk kam shumë besim, gjithmonë kur më duhet diçka shkoj në farmaci.

Nuk tundoheni nga ndonjë recetë që mund të lexoni për të kuruar shëndetin pa ilaçe?

Tani lexoj plot, përshembull thonë që limoni apo vajrat e ndryshëm kurojnë dhimbje apo sëmundje, por unë preferoj t’i qëndroj besnik farmacisë dhe recetës së mjekut.

A hiqet tullacllëku me tutkall?

(Qesh) Zuzuuu flokët Zuzuu (qesh) Tutkalli mund të të shkulë gjithë qimet e trupit, këtë po e bën…

sejfulla myftari cekjaPo te këto nuskat te dera apo poshtë jastëkut besoni?

Jo, nuk besoj tek bestytnitë. Tani vërtet u thoja “pacientëve” vendos një patkua te dera apo gjëra të tjera të ngjashme, por atje ishte film. Në realitet nuk merrem me këto gjëra (qesh)…

“Borxhliu” është një tjetër sukses. Keni marrë ndonjëherë borxh? Do të merrnit për t’i shtuar pak “bukuri” vetes?

Jo, asnjëherë! Madje mund të them se i urrej borxhet. Respektoj bukurinë që më ka falur Zoti dhe as nuk e marr me mend të hyj në borxhe për të tilla gjëra. Jam totalisht kundër!

Së fundmi ishit pjesë e spektaklit “Dance with me”, ku u shfaqët si kërcimtar. Një aktor humori kërcen nga qejfi apo nga belaja?

Është e vështirë në fakt, por edhe kërcimet atje ishin të gjitha brenda karakterit tim, sigurisht me ndihmën e Albi Nakos dhe trupës të talentuar dhe të duruar të baletit arrita të vija në skenë kërcime të bukura brenda të cilave e gjeja plotësisht veten. Mendoj se është mirë që aktori të jetë edhe pak kërcimtar, edhe këngëtar, pasi kjo e plotëson më shumë dhe i jep gjendje të mirë shpirtërore…

Cili nga fëmijët ka ndjekur rrugën tuaj?

Fëmijët jo, as vajzat, as djali, ata kanë ndjekur rrugë tjera. Por siç thonë, gjeni është gjen dhe do dalë diku… prandaj nipi im, djali i vajzës, është i fokusuar shumë në  pjesën e artit.

Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet +”

Shikoni shëndetin, bëni analizat 1 herë në 6 muaj. Brezi ynë nuk i kishte gjithë këto mundësi që janë tani, pastaj edhe ushqimet ishin më të shëndetshmë atëherë. Ju i keni mundësitë, prandaj mos neglizhoni, shkoni tek mjeku.

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!