Mungesa e medikamenteve për fëmijët me leucemi ka çuar në një deklaratë të përbashkët të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe shoqatës “Together for Life”, të cilat kërkojnë publikisht një zgjidhje të shpejtë dhe të efektshme për t’u siguruar fëmijëve me leucemi medikamentin “L-Asparaginase”.
Në deklaratën për shtyp thuhet se “duke marrë shkas nga reagimet e vazhdueshme të organizatës “Together for Life” lidhur me mungesën e medikamentit “L – Asparaginase” për fëmijët e sëmurë me leucemi në repartin e Onko-Hematologjisë në QSUT, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka zhvilluar disa takime me prindër të fëmijëve të sëmurë, personelin mjekësor të këtij reparti dhe përfaqësues të QSUT-së.
Rezulton se “në takimet e zhvilluara, stafi i specializuar mjekësor ka hezituar të japë një përgjigje se çfarë pasojash mund të kishte për shëndetin e fëmijëve që vuanin nga leucemia mungesa e preparatit të mësipërm”.
Më parë, në një njoftim për shtyp, QSUT deklaroi se bari L-Asparaginazë nuk është bar i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe rezulton se përgjatë vitit 2015 e në vijim nuk ka pasur import të këtij bari në Shqipëri. Sasia e prokuruar e barit L-Asparaginazë në vitin 2014, QSUT ka pasur gjendje në përdorim dhe ka furnizuar në vazhdimësi deri në Qershor 2016, shërbimet e Onko-Hematologjisë Pediatrike dhe Hematologjisë. Ndërkohë, përfaqësuesve të KSHH-së iu është komunikuar se procedurat e zhvilluara për prokurimin e barit L-Asparaginase për vitet 2015-2016 kanë dështuar disa herë për shkak të mospjesëmarrjes në garë të kompanive farmaceutike që e tregtojnë këtë medikament.
Reagimet publike të organizatës “Together for Life” kanë nxitur shumë njerëz që të ofrojnë para për blerjen e medikamenteve që u duhen këtyre fëmijëve. Ditën e djeshme, TV “Neës 24” shfaqi kronikën e një nëne që mbante në krah fëmijën e sëmurë me leucemi, e cila e përlotur i drejtonte thirrje institucioneve të larta shtetërore për sigurimin e L- Asparaginase, pasi ky bar ishte tepër i shtrenjtë dhe nuk mund të sigurohej me të ardhurat e kësaj familjeje.
KSHH dhe “Together for Life” vlerësojnë se, kur është çështja e jetës dhe e shëndetit të fëmijëve, sidomos me sëmundje të tilla, dështimi i procedurave të prokurimit për të siguruar këtë medikament nuk mund të përbëjë justifikim për publikun dhe në mënyrë të veçantë për prindërit e fëmijëve që vuajnë nga leucemia. KSHH dhe “Together for Life” i rekomandojnë Ministrisë së Shëndetësisë dhe QSUT-së që në mënyrë urgjente të gjejnë mundësitë dhe rrugët për garantimin e këtij medikamenti.
Për hapat që do të ndërmerren, të informohet edhe publiku i gjerë. Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen gjithashtu se deri më tani, reagueshmëria dhe ndjeshmëria e institucioneve shtetërore përgjegjëse lidhur me mungesën e barit “L – Asparaginase” për fëmijët e sëmurë nuk ka qenë në nivelin e duhur.




