Ushqyerja me gji është mënyrë e pazëvendësueshme e sigurimit të një ushqimi ideal për mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijës, dhe duhet të jetë domosdoshmërisht ushqimi i zgjedhur për fëmijën në muajt e parë të jetës.
Qumështi i gjirit
Qumështi i gjirit i pari, 3-4 ditët e para pas lindjes, është si lëng i trashë, i verdhë dhe quhet kulloshtër. Fëmija nuk duhet ta humbasë kulloshtrën pasi ajo është e pasur me proteina, kripëra minerale dhe mbi të gjitha me disa faktorë mbrojtës si imunoglobulina A ose IgA, që mbron aparatin tretës dhe respirator të fëmijës nga viruse, baktere apo substanca “ të huaja” që mund të provokojnë reaksione alergjike.
Qumështi “i dytë” ose i tranzicionit vjen rreth ditës së 3-4. Ai merr pamje më të qartë, më kremoze dhe të yndyrshme. Në këtë fazë qumështi përmban më shumë sheqerna të domosdoshme për rritjen e indeve cerebrale dhe yndyra që shërbejnë si burim energjie.
Qumështi përfundimtar vjen brenda 10 ditësh. Ai është tashmë më i lëngshëm dhe me shije më të ëmbël, sepse uji është elementi kryesor i tij. Kjo pamje më e hollë e qumështit nuk duhet t’i bëjë nënat të mendojnë se qumështi i tyre nuk është më i ushqyeshëm.
Qumështi i gjirit përmban të gjitha elementet e nevojshme në sasi dhe cilësi, dhe është i tretshëm.
Ai përmban: 88% ujë, proteina, yndyra, sheqerna, vitamina e kripëra minerale.
Vetëm Qumështi i gjirit përmban lëndët apo trupëzat mbrojtëse.
Ushqyerja me gji
- Për rritjen, shëndetin dhe zhvillimin më të mirë të foshnjës, si dhe shëndet më të mirë të nënës, foshnjat duhet të ushqehen vetëm me qumësht gjiri 6 muajt e parë të jetës.Foshnja duhet të vendoset në gji brenda orës së parë pas lindjes sepse nxit lidhjen shpirtërore mes nënës dhe fëmijës, dhe nxit refleksin e thithjes. Asgjë tjetër nuk i duhet dhënë foshnjës përpara se të nisë të pijë gji.
- Foshnja duhet të ushqehet në bazë të kërkesës që ka, pra sa herë të dojë dhe aq gjatë sa të dojë foshnja. Sa më shumë të thithë fëmija, aq më shumë qumësht prodhohet. Në ditët e para bebi mund ta kërkojë gjirin edhe 10 herë në ditë, por më pas do të stabilizohet në 6-7 herë në ditë, me interval 4 orë gjatë ditës dhe 8 orë gjatë natës.
- Të ushqyerit vetëm me qumësht gjiri nënkupton që foshnja të pijë vetëm qumështin e nënës dhe të mos pijë asgjë tjetër, as ujë.
- Qumështi i gjirit siguron të gjithë ushqimin dhe ujin për të cilin foshnja ka nevojë gjatë 6 muajve të parë.
- Foshnja nuk ka nevojë për ujë, madje as në një ditë të nxehtë, pasi ujin e nevojshëm e merr nëpërmjet qumështit të gjirit.
- Nëse një foshnjë pi ujë, do të pijë më pak gji dhe do të jetë më pak i mirëushqyer.
- Foshnja duhet të ushqehet në njërin gji deri sa ta ketë zbrazur atë, në mënyrë që foshnja të marrë edhe qumështin e fundit që ka kalori më të larta. Kjo është e rëndësishme pasi në fillim të pirjes së gjirit, ai është i pasur në ujë dhe sheqer, për të qetësuar urinë dhe etjen e bebit, më pas pasurohet me proteinat që shërbejnë për t’u rritur, dhe vetëm në fund me yndyrnat që janë burim energjie. Pra fëmija nuk duhet të humbasë asnjë nga këto përbërës të gjirit.
- Ushqyerja me gji është zakonisht energjike në 5 minutat e para dhe më pas, bebi bën një pushim që nuk zgjat më shumë se 20 minuta. Nëse fëmijën e zë gjumi për një kohë më të gjatë se 4-5 orë, nuk duhet zgjuar për ta ushqyer.
- Kur nëna është sëmurë, fëmija nuk duhet të largohet prej saj pasi qumështi i gjiri mbron foshnjën nga infeksioni.
- Nëse është e mundur foshnja nuk duhet të ushqehet artificialisht. Të ushqyerit artificial çon në një inteligjencë më të ulët, shëndet më të dobët për foshnjën dhe rreziqe shëndetësore për nënën.
- Të ushqyerit me gji duhet të vazhdojë deri në dy vjeç e sipër, pasi qumështi i gjirit ndihmon foshnjën të luftojë sëmundjet. Ai është burimi i vetëm për marrjen e trupëzave mbrojtëse.
- Fëmijët duhet të ushqehen me gji dhe me ushqime shtesë pas 6 muajve.
- Qumështi i gjirit mund të sigurojë gjysmën ose pjesën më të madhe të nevojave ushqyese të foshnjës nga 6 deri në 12 muajsh, dhe 1/3 ose më shumë të foshnjës nga 12 – 14 muajsh.
Burimi: Instituti i Shëndetit Publik / https://shendeti.com.al/


