Policia e Tiranës ka dhënë detaje të reja sa i përket vdekjes së nënës 35-vjeçe dhe foshnjës së saj në maternitetin “Koço Gliozheni.
Sipas policisë, rreth orës 06:00, mjekët e Spitalit “Koço Glozheni” kanë lajmëruar tek numri 112 se kanë një konflikt në pavijonin e urgjencës. Në momentin e arritjes së shërbimeve në urgjencën e spitalit kanë konstatuar derën e pavijonit të dëmtuar si dhe xhamat.
Gjithashtu mjekët kanë sqaruar se ka vdekur foshnja e porsalindur, dhe familjarët e irrituar kanë shkaktuar dëmet në pavion.
Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes policia ka marrë vëllanë e viktimës në komisariat për një deklaratë.
Po ashtu, sipas policisë, rreth orës 07:00 mjekët e spitalit kanë njoftuar se ka vdekur edhe nëna 35-vjeçe Aida Koçi, banuese në Tiranë.
Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas vdekjes së 35-vjeçares dhe foshnjës së saj. Deri tani janë marrë në pyetje 4 mjekët që asistuan lindjen e 35-vjeçares, ndërsa është sekuestruar edhe kartela e pacientes.
Mësohet se komplikacionet kanë nisur pas lindjes, çka shton dyshimet se bëhet fjalë për neglizhencë ose mjekim të pakujdesshëm./ https://shendeti.com.al/

