Prokuroria e Tiranës ka çuar në Gjykatë dosjen për dy mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”. Mjekët Helidon Klosi dhe Dritan Deçka do të dalin para Gjykatës së Tiranës mesditën e së hënës ose mëngjesin e së martës, pasi grupi hetimit të këtë përfunduar verifikimet përkatëse.
Organi i akuzës pritet të kërkojë masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 45 ditë për mjekët, deri në pritje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor.
Pas ndalimit nga forcat e Komisariatit nr. 1 në orët e vona të së shtunës, mjekët e arrestuar të maternitetit “Koço Gliozheni” po mbahen në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Helidon Klosi dhe Dritan Deçka akuzohen për mjekim të pakujdesshëm në lidhje me rastin e rëndë të vdekjes së 35-vjeçares Aida Çajku dhe foshnjës së saj, ngjarje tragjike e ndodhur mes mbrëmjes së të enjtes dhe në të gdhirë të ditës së premte.
Në deklarimet e para dhënë para hetuesve, mësohet se 2 mjekët kanë thënë se ata kanë kryer detyrën dhe kanë zbatuar procedurat që ndiqen në të tilla raste. Gjithashtu ata janë shprehur se duke dyshuar se pacientja e ndjerë vuante nga zemra, kanë vendosur ta dërgojnë për vizitë tek një kardiolog në QSUT.
Por, për grupin e hetimit ky është një moment kritik gjatë zhvillimit të ngjarjes, pasi mjekët kanë gabuar duke rënduar gjendjen shëndetësore të pacientes. Sipas procedurave, ajo nuk duhet të lëvizte por duhet të thirrej mjeku kardiolog ta vizitonte në maternitet.
Mjekët e arrestuar dyshohet se kanë vonuar dhënien e ndihmës mjekësore duke sorollatur pacienten edhe në 2 spitale të tjera, veprim që solli pasoja fatale për jetën e 35-vjeçares dhe foshnjës së saj./ https://shendeti.com.al/

