Arjan Dredhasi: Që serenatat korçare të mos vdesin…

arjan-dredhasi-1

Bisedoi për “Shëndet+”: Elena Beta

Performancat drejtpërdrejt me dëgjuesit, serenatat, zëri shpërthyes janë disa nga karakteristikat që e identifikojnë Arjan Dredhasin. Nga një bisedë e shkurtër me të mund të kuptosh fare lehtë se gjithçka në jetën e Arjanit vërtitet rreth muzikës. Pas disa vitesh në skenat jashtë Shqipërisë, ai rikthehet si një vlerë e shtuar e muzikës “live” dhe përveç performancave çdo fundjavë tek “Te Stela Resort”, angazhimet e tjera dhe projekti më i fundit që pritet të nxjerrë në treg, e mbajnë të angazhuar deri orët e para të mëngjesit në studion e tij muzikore. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+” Arjani flet më shumë për jetën e tij, pasionin e madh për muzikën, të cilin duket se e ka trashëguar edhe tek i biri, tregon se kush e mbështet gjithmonë pa kushte, si dhe zbulon se cila është pika  e tij e dobët. Këto dhe shumë të tjera mund t’i ndiqni në intervistën më poshtë…

Arjan, çfarë nënkupton për ty fjala “shëndet”?

E keni parasysh atë këngën korçare “Më mirë me ty dhe fukara sesa pa ty i pasur”? Unë, meqë jam nga Korça, do ta zëvendësoja me “Më mirë me shëndet dhe fukara, sesa pa shëndet dhe i pasur”. Për mua shëndeti është mbi të gjitha. Po pate shëndetin, i ke të gjitha. Shëndeti është jetë, është gjithçka, madje është e vështirë të gjesh një fjalë që të personifikojë gjithë rëndësinë që ka shëndeti në jetën e gjithsecilit.

arjan-dredhasi-valon-shehu

Sa i beson Arjani mjekësisë popullore? Më mirë ilaçe apo këshillat e gjyshes?

Dikur preferoja këshillat e gjyshes. Madje, kur kam qenë në shkollë, nuk mbaj mend të kemi pasur ndonjë lëndë që i përkiste shëndetit dhe detyrimisht besoja tek këshillat e gjyshes. Momentalisht, shkenca dhe teknologjia kanë ecur shumë, por unë sërish besoj se një dhimbje koke apo një dhimbje fyti mund të përballohet edhe me diçka të lehtë, pra, nuk jam shumë për ilaçe. Më mirë të kalojë vetë dhimbja sesa të varem nga barnat për të kuruar diçka kaq të lehtë.

Ke jetuar për shumë vite jashtë Shqipërisë. Ç’mund të thuash lidhur me sistemin shëndetësor? A ka shumë diferencë me Shqipërinë?

Shyqyr Zotit nga shëndeti kam qenë mirë, nuk kam pasur probleme, prandaj dhe nuk i kam frekuentuar shumë këto institucione. Por nëse marr referencë edicionet e lajmeve, të cilat i ndjek dhe jam i interesuar kur ka informacione për shëndetin, pasi jam dhe prind, mendoj se ndryshimi është shumë i madh. Nga vetë mentaliteti se si jetohet jashtë dhe se si jetohet këtu apo nga ç’dëgjoj rreth e rrotull, asnjë nuk është i kënaqur. Nëse ka ndonjë të kënaqur, mund të jetë rast përjashtimor, shumë i rrallë. Thashë që nuk kam përvojë personale dhe shpresoj mos ta provoj, marrë parasysh vështirësinë që ka ky sistem. Jemi ende mbrapa, shumë mbrapa në këtë drejtim.

te-stela-valoni-kejsi-juliana-olta-arjani

Shquhesh për performancat live. Cila është për ty kënaqësia më e madhe në skenë?

Asnjë nga performancat e mia nuk i ngjan njëra-tjetrës. Jeta ime është shumë e lidhur me muzikën. Është si puna e shëndetit: pa shëndet, njeriu nuk mund të bëjë asgjë. Edhe unë pa muzikë nuk ndihem mirë. Muzika për mua është edhe shëndet. Pa shëndet nuk mund të këndoj dot.

Momentalisht këndoj “Te Stela Resort” në Tiranë, ku ndihem mirë. Kjo për faktin se kam edhe kolegë të mrekullueshëm afër, si: Juliana Pasha, Holta Boka, Kejsi Tola, Valon Shehu.

Mendon se njerëzit i vlerësojnë këngëtarët që këndojnë “gjallë”?

Mendoj se të kënduarit direkt para publikut është në një fazë shumë të vështirë. Njerëzit e vlerësojnë, por jo të gjithë. Tani ka dalë në modë muzika elektronike dhe sidomos rinia janë prirur pas kësaj muzike dhe nuk e di se sa janë të aftë këngëtarët që performojnë me regjistrim, të performojnë edhe direkt (live). Dikur edhe në një supermarket të shkoje, do të kishe muzikë “live”. Tani ka shumë pak lokale që e praktikojnë diçka të tillë.

arjan-79

Mendon se kjo krizë e ka burimin tek përparësia që i jepet pamjes së jashtme dhe po zhvlerëson kënaqësinë e zërit?

Po, kjo mund të jetë dhe arsyeja kryesore që ndodh ky fenomen. Por mendoj se mund të jetë edhe ana ekonomike. Duke pasur parasysh që dikur ka pasur “live” në çdo ditë të javës, tani ka ndryshuar shumë. Maksimumi vetëm në fundjavë. Madje, mua më rastis  të takoj kolegë që në vend të pyetjes: “Si shkon puna?” pyesin “Sa dasma ke pasur?” (qesh).

Më vjen keq në fakt, sepse vij nga skena jashtë vendit dhe atje kanë tjetër mendësi. Atje dallohet artisti i dasmës nga artisti i skenës. Këtu nuk dua të ofendoj askënd, pasi të këndosh në një dasmë është shumë më e vështirë. Duhet repertor që të kënaqë 200 veta të ftuar nga disa treva të ndryshme dhe t’i plotësosh dëshirën gjithsecilit. Madje, edhe kur shkon në një event, kjo është vështirësia më e madhe që haset. Na ndodh shpesh që në një vend ku performojmë, klientët pas gotës të tretë kanë preferencat e tyre muzikore dhe të kërkojnë t’i këndosh. Jashtë nuk funksionon kështu.

Sigurisht, kjo është e vështirë për këngëtarin. Duhen këngëtarë që kanë një repertor të gjerë pavarësisht nëse i këndojnë apo jo. Momentalisht “Te Stela Resort” unë mundohem që repertori im të përfshijë këngë nga të gjitha trevat, që të gjithë të ngelen të kënaqur dhe të vijnë përsëri.

Ke ndonjë sekret që të vjen në ndihmë për të pasur gjithmonë zë shpërthyes?

Shëndetin! (qesh) Është normale që ashtu si një futbollist para se të hyjë në fushë për të luajtur, bën nxehjen, edhe këngëtari duhet të bëjë të njëjtën gjë. Pa një nxehje të mirë, nuk mund të kesh kurrsesi një performancë të mirë.

Çfarë përfshin nxehja (për të gjithë ne që nuk dimë shumë nga muzika)?

Dihet që vokali i çdo njeriu ka një regjistër shtrirjeje. Nëse ke parasysh një tastierë pianoje, ka notën më të ulët edhe deri tek më e larta. Çdonjëri nga ne këto nota i ka në vetvete. Nuk po themi sa regjistri i pianos, por një oktavë, dy oktava. Duke i nxehur këto nota, janë ushtrime qe të vijnë goxha në ndihmë. Bëhet si fillim nxehja e fytit, pastaj kalojmë tek performanca. Ka njerëz që thonë e kam të lindur. Çdo gjë është e lindur, por duhet të përvetësohet. Të marr ndonjë ilaç nuk më ka rastisur ndonjëherë. Shpesh bëhet psikologjike, shoh kokegë të mi që marrin ndonjë ilaç dhe kjo ndikon shumë në psikologjinë e tyre, pasi mendojnë se ilaçi e zgjidhi problemin dhe ndihen mirë. Dua të theksoj se unë nuk konsumoj as alkool dhe ky është një faktor i rëndësishëm ndikues. Ka njerëz që thonë se pi një gotë raki dhe të del zëri. Jo, për mua është e kundërta: një gotë raki ta bllokon zërin sepse kordat janë shumë delikate. Janë si dy fije floku. Unë do t’u sugjeroja të gjithëve që merren me këngë, sa më të pastër, aq më mirë.

Një problem imi është konsumimi i duhanit. E di që më dëmton por është një zakon i mbartur që në adoleshencë.

arjan-56

Po ndonjë këshillë për ata njerëz që nuk kanë lidhje me muzikën por në një moment të caktuar kanë dëshirë “t’ia marrin një kënge”, karaoke për shembull. Cila do të ishte në mënyrë që zëri t’u dalë sa më mirë?

(Qesh) Unë do t’u sugjeroja një vezë përditë… Këto janë gjëra qejfi dhe mendoj se zëri që del nga shpirti dhe këndoni si t’ju vijë.

Kur kontaktuam për intervistën, fole për një projekt të ri muzikor, një album. Mund të zbulosh diçka më shumë lidhur me zhanrin dhe kohën e daljes në treg?

Sa afër jemi, aq edhe larg. Këngët që unë kam marrë përsipër të këndoj, kam diku rreth 7 vite që po i mendoj. Mbaj mend, im bir sa kishte filluar të belbëzonte edhe më tha:

– Babi, ne jemi korçarë?

– Po, – i thashë.

– Po mua do të më mësosh të këndoj serenatë korçare? – më tha.

Më preku shumë kjo fjalë dhe dua që trashëgiminë tonë ta lëmë brez pas brezi. Nëse Korçën nuk e gjejmë më si ka qenë nga anë të tjera, të paktën nga ana muzikore të mos e shkatërrojmë. Kjo ka qenë një shkëndijë që më bëri ta nis këtë projekt. Por është e vështirë sepse serenatat korçare janë 3 nota, 2 nota shumë të ëmbla dhe duhet të kesh kujdes kur i merr për t’i risjellë. Është diçka antike që ti e merr ta rikonstruktosh, por nuk duhet t’i heqësh origjinalitetin e vet. Nuk mund të të jap një datë të saktë kur del albumi, sepse jam ende në gjurmim të materialit. Deri tani kam 5 – 6 këngë. Po mendoj për këngë të cilat nuk janë risjellë akoma. Dua të jenë këngë të padëgjuara në jetën e muzikës “live”.

Të ndalojmë pak tek yt bir. Sa vjeç është tani dhe a ka ndërmend të ndjekë rrugën e babait?

Mbush 8 vjeç tani dhe është për violinë. Momentalisht është në klasë të dytë, ka një vit që ka filluar violinën dhe deri tani ka zhvilluar 5 koncerte në Shqipëri dhe Kosovë. Thonë që “molla mbi mollë bie” (qesh). Është shumë i apasionuar pas muzikës. Javën tjetër është prapë në koncert. Siç e kupton, orët e mia janë muzikë, muzikë dhe vetëm muzikë.

te-stela-kengetaret-1

Kush është mbështetja më e madhe?

Kjo është pyetje me spec, se po të them mamaja, do të mërzitet bashkëshortja, si dhe anasjelltas (qesh). Më mirë po e them me vargje: “E para më është nëna, e dyta më je ti, të dyja të mira jeni, gjithë bota ju ka zili (qesh)”.

Bëj shaka, kjo është me faza. Normal prindërit kanë qenë mbështetja më e madhe në fillimet e karrierës time dhe për t’u bërë një ndërtesë e shëndoshë, duhet të ketë themele të shëndosha. Pra, para se të merrja vendimin për të krijuar familje, kanë qenë prindërit dhe motra me të cilën jam rritur.

Pastaj, kësaj mbështetjeje i shtohet edhe mbështetja e familjes sime, bashkëshortja dhe djali, i cili është një nga fansat e mi më të mirë dhe ideator njëkohësisht. Kur jam duke bërë gati një repertor për një koncert, më sugjeron këngë dhe e shikoj që ka sukses. Është mirë që një artist të mos ketë ego në vetvete, të thotë që i di të gjitha, i bëj të gjitha. Siç thotë dhe shprehja: “Pyet 100 vetë, dhe bëj si di vetë”, por gjithmonë në kuptimin që të zgjedhësh më të mirën nga të gjitha alternativat.

Cila është pika jote e dobët?

Humbja e njerëzve të dashur.

Çfarë të frymëzon?

Çdo gjë që është përreth.

Një mesazh për lexuesit?

Duke dëgjuar muzikë të mirë, do të keni shëndet të mirë. Ju uroj të keni shëndet të mirë dhe të bëni çdo gjë në mënyrë të përkryer.

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!