Kirurgjia plastike, Violeta Dajçi: Profesionistët e vërtetë respektojnë anatominë!

Bisedoi: Elona Tereziu, gazeta “Shëndet+” dhe Shëndeti Online

“Shëmtitë” estetike ndodhin kryesisht kur bie në dorë të personave joprofesionistë”, thotë për gazetën “Shëndet+” Violeta Dajçi, dermatologe. “Gjithsesi, shpeshherë kjo ndodh edhe kur pacienti kërkon gjëra të ekzagjeruara (që personalisht mendoj që dhe në këtë rast është faji i mjekut që pranon të bëjë “shëmti”). Jo rrallë defektet nga ndërhyrjet estetike janë pasojë e produkteve të përdorura si transplante (silikoni), mbushës (acid hialuronik), ose substanca relaksuese të muskujve (botoks), që mund të jenë jo cilësore, të skaduara, të ruajtura në kushte jo të përshtatshme etj”, shprehet mjekja

Violeta Dajci

Dr. Violeta Dajçi duke folur për Shëndet+

Sipas saj, janë edhe disa patologji, si: distrofite muskulare, patologjitë autoimune, infeksionet herpetike etj, që pacientët mund t’i kenë, por nuk referohen përpara aplikimit të këtyre ndërhyrjeve. Është detyrë e mjekut të marrë anamnezë të hollësishme dhe të ketë kartelë për çdo aplikim apo ndërhyrje estetike në vazhdimësi. Në çdo ndërhyrje profesionistët ruajnë fizionominë e personit dhe respektojnë anatominë e zonës ku ndërhyjnë.

“Megjithatë, – thotë ajo, – duhet pranuar se personat që kërkojnë procedura dermokozmetike dhe sidomos kirurgji estetike, janë pacientë shumë të vështirë. Ata kërkojnë në përgjithësi që hunda ose fytyra e tyre të jenë si e x aktori/e ose këngëtari/e. Rezultati është gjë tjetër. Sado të bëhet e bukur një rinoplastikë, ajo qëndron në të njëjtën fytyrë që pacienti kishte më parë. Gjithashtu, mbushja e mollëzave, buzëve apo e zonave të tjera e konturojnë një fytyrë, e zbukurojnë atë, por nuk mund të imitojnë fizionominë e dikujt tjetër. E thënë shkurt: Pacienti duhet të dijë ç’kërkon”.

Deri ku do të arrijnë këto ndërhyrje?!

Kirurgjia plastike, në mos e ka arritur, së shpejti do ta arrijë: të tjetërsojë plotësisht një person. Dermatologjia estetike synon të arrijë frenimin e plakjes fiziologjike të indeve të lëkurës dhe ruajtjen e rinisë së jashtme në një trup të plakur.

Postime të ngjashme

Mjalti, sekreti natyral për një lëkurë të shëndetshme dhe të shkëlqyeshme
Si do të dukeshin në të vërtetë personazhet e famshme pa kirurgji kozmetike, sipas IA-së
Zgjedhja e fondatinës sipas tipit të lëkurës: Kujdes jo thjesht estetikë
Uji i orizit, trendi i ri viral i TikTok për flokë të shndritshëm, të shëndetshëm dhe të fortë
“Kremi i diellit duhet të jetë kudo", thotë një grua me kancer
Kirurgët paralajmërojnë për një ndërlikim të frikshëm pas ndërhyrjeve për ngritjen e të pasmeve
Dermatologët sugjerojnë këto 8 ushqime për shkëlqimin e lëkurës
'Mos i përdor!', L'Oréal tërheq urgjentisht një nga kremrat, për shkak të kontaminimit me kimikate që shkaktojnë kancer