Për herë të parë në Kardiokirurgjinë Shqiptare Interventi më i ri, implantimi i qelizave staminale autolog

Denisa Canameti / Shëndeti Online dhe gazeta ‘Shëndet+’

Mjekët e shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë kryer për herë të parë në vendin tonë procedurën e implantimit të qelizave staminale autolog, procedurë e cila konsiston në ndërthurjen e terapive kirurgjikale, terapive qelizore dhe atyre gjenetike.

Përdorimi i qelizave staminale është fjala e fundit e shkencës në nivel botëror, e cila ka të bëjë me qeliza burimore dhe pluripotenciale, të cilat përdoren në organet e dëmtuara për të rigjeneruar pjesët e dëmtuara.

Ky intervent ka rëndësi jetike për të gjithë ata pacientë me funksion të ulur të zemrës, për shkak të infarktit të miokardit.

Ekipi kardiokirurgjikal, kryesuar nga prof. Edvin Prifti, dr. Klodian Krakulli, dr. Altin Veshti, prof. Arben Baboçi, dr. Ketjon Mekshi, ekipi kardioanestezist dhe perfuzionist dr. Saimir Kuçi, dr. Ervin Bejko së bashku me mjekun hematolog prof. Polikron Pulluqi dhe dr. Laureta Dibra, kardiologe, punën dhe studimet e shumë viteve i finalizuan me sukses gjatë interventit kirurgjikal të pacientit S. M. 68-vjeç, me diagnozë “Sëmundje Iskemike e Zemrës” me funksion të ulët të ventrikulit të majtë, infarkt i gjerë anterior i kaluar”.

Pas anestezisë së përgjithshme, prof. Pulluqi realizoi eksplantin e qelizave staminale autologe të padiferencuara nga kresta iliake dhe më pas pacienti iu nënshtrua interventit të revaskularizimit kirurgjikal, i cili konsistoi në tre bypase si dhe implantimit topik ekstrinsek të qelizave staminale autologe si dhe në rrugë anterograde nëpërmjet arterieve koronare dhe grafteve. Për shkak të funksionit të ulët të zemrës, pacientit iu implantua kontropulsatori aortik, i cili u mbajt në funksion në dy ditët në vazhdim. Pacienti u ekstubua ditën e tretë dhe aktualisht është në fazën e rehabilitimit.

 

Postime të ngjashme

829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Vitamina D3: Përfitime për shëndetin dhe si ta merrni në mënyrën e duhur
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Mjekja: Obeziteti te moshat pediatrike, kambanë alarmi
Shqipëria zgjeron mbrojtjen ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal
Pediatrja Lira Gjika: Pse nuk duhet ushqyer fëmija pas moshës 2 vjeç