Elena Beta / Shëndeti Online dhe gazeta Shëndet+
Projekti IADSA në Shqipëri organizoi aktivitetin me titull “Ditët e hapura të Shkollës Qendër Komunitare” në shkollën e mesme ‘Andon Zako Çajupi’.
Kjo nisëm ka për qëllim organizimin e një sërë aktivitetesh mësimore, kulturore, artistike, sportive e rekreative në ambientet e shkollës, me përfshirje të gjerë dhe ne bashkëpunim me aktorë të rëndësishëm të komunitetit, si organizata rinore, lokale, vendore, agjenci vendore e ndërkombëtare, publike dhe private, të cilët i bashkon misioni i njëjtë i themelimit të partneritetit për të realizuar qëllime të përbashkëta.
Ky aktivitet synon themelimin e një tradite në këtë drejtim, atë të ditëve të hapura të shkollës qendër komunitare, nëpërmjet të cilave shkolla hapet për komunitetin duke prezantuar veprimtaritë e saj dhe duke ofruar një hapësirë të dedikuar për komunitetin, për organizimin e mbledhjeve, konferencave tematike e seminareve sipas fushave të gjëra të interesit.
“Ditë të hapura si këto kemi pasur shumë, kemi pasur prezent shumë nga prindërit, pjesë të komunitetit, si dhe administratoren e njësisë bashkiake nr. 3 , fëmijë, nxënës, sportistë të cilët vazhdojnë të bëjnë ndeshje të përbashkëta me ekipet e gjimnazit Çajupi, pra ne jemi shumë të vërtetë kur themi se tani jemi shkollë qendër komunitare”, tha drejtoresha e shkollës gjatë çeljes së panairit të produkteve të realizuara nga nxënësit në lëndët ekonomi, teknologji etj.
E ftuar në këtë aktivitet ishte dhe znj. Mariarita Capirci, përfaqësuese e projektit IADSA, e cila solli në vëmendje një ndër objektivat e këtij programi, si ofrimi i një sistemi arsimor me një cilësi më të mirë. Ajo u shpreh e kënaqur me rezultatet konkrete të këtij projekti, që kanë të bëjnë me ofrimin e një cilësie më të mirë të shërbimit në 6 shkollat e përfshira në projekt, të cilat ose janë rikonstruktuar totalisht ose kanë përfituar nga fondet IADSA për përmirësimin e kushteve të tyre.
Ajo foli edhe për 12 shkolla të tjera që do të përfitojnë në vazhdim nga fondet e projektit në zona të ndryshme të Shqipërisë. Fakti që ky projekt ka arritur të përfshijë komunitetin e prindërve dhe një shkallë më të gjerë, banorët e zonave të fokusit, u përmend si një synim i arritur sipas znj. Capirci.
Znj. Lindita Nikolla, ministre e Arsimit, në fjalën e saj përshëndetëse shprehu vlerësim për projekte të tilla në dobi të shkollës dhe komunitetit dhe premtoi se brenda vitit 2017 të kemi 350 shkolla në Shqipëri që funksionojnë si shkolla qendra komunitare.
Nikolla tha se këto shkolla nuk duhet të jenë të shtrira vetëm në qendra urbane, por edhe në zona rurale, në mënyrë që të kenë mundësi të gjithë të rinjtë e të gjitha shkollave të përfitojnë nga këto projekte.
“Vetëm pasioni është ai që i bën ëndrrat realitet”, përmbylli Nikolla, duke dhënë një mesazh të rëndësishëm për të gjithë të rinjtë e pranishëm në sallë. Pas përfundimit të fjalëve përshëndetëse, të ftuarit ndoqën orët e hapura rreth metodave të reja të mësimdhënies si dhe klubin e kreativitetit e atë sportiv, duke i lënë vendin aktiviteteve pasardhëse./ https://shendeti.com.al/









