E drejtë, jetojmë në një vend demokratik.
I vërtetë është po ashtu fakti që BARAZIA GJINORE është një ndër vlerat themelore të zhvillimit demokratik. Por sa i vërtetë është fakti që BARAZIA GJINORE ekziston në Shqipëri. Sa të barabarta ndihemi ne femrat krahasuar me meshkujt?
Shumë…Pak…Aspak
Personalisht bëra një zgjedhje, vendosa për të ardhmen time. Profesioni të cilin unë kam zgjedhur është elektronika.
Kjo degë konsiderohet padrejtësisht si një profesion per meshkuj. Kjo ndoshta sepse preferohet më shumë nga këta të fundit. Ama ky nuk është një tregues që femrat nuk janë të afta për këtë profesion.
Njeriu i parë i cili nuk ishte edhe mjaft dakort me zgjedhjen time ishte babai im. Dhe kjo vinte vetëm nga idea që kjo degë i përshtatet më shumë meshkujve. Në fillim ndihesha pak e pasigurtë për vendimin e marrë në një moshë mjaft të vogël, në adoleshencë. Por tani që kanë kaluar 4 vite, kam kuptuar që bëra zgjedhjen më të mirë për veten dhe të ardhmen time. Nuk jam gabuar. Unë ia dola të ndjek ëndrrën time. Po ashtu edhe të dallohem në atë që bëj.
Femër, koha ka treguar që ne mundemi. Ndoshta jemi pakëz të brishta por kemi fortësinë e karakterit të një mashkulli, virtytet e lidershipit…
Në fakt nuk u shpreha siç duhet. Nuk kemi pse të bëjmë krahasime meshkuj – femra, femra-meshkuj. Këtu fillon pabarazia. Ne e krijojmë atë.
Shoqëri e dashur, edukojeni vetveten dhe mesojini asaj që ne mund të bëjmë çfarë të duam dhe kur të duam. Lindim, jetojmë, vdesim.
Jemi të gjithë të barabartë . Jemi krijesa të Zotit.
(Klea Bega)


