Denisa Canameti
Mungesa e barnave në spital është një nga problemet që artikulojnë më shpesh pacientët. Veçanërisht të sëmurët kronik janë më të prekurit nga mungesat e vonesat e herëpashershme dhe kostoja e lartë e analizave mujore.
Në redaksinë e Shëndet plus ka mbërritur ky denoncim: ““Çdokush që ka një qese plasmasi dhe siguron një magazinë, mund të sjellë barna në Shqipëri. Takrolimus (barna jetike për të transplantuesit e mëlçisë) mungoi për një kohë në farmacinë e QSUT-së dhe askush nuk u interesua”.
Partizan Malkaj: Farmacia e spitalit, vonesa në sigurimin e barnave të shtrenjta
Partizan Malkaj është president i Shoqatës së Pacientëve me Hepatite. Lidhur me vonesat e medikamenteve për të transplantuarve, ai shprehet:
“Pacientët me transplante të heparit disa analiza, si nivelin e takrolimusit apo ciklosporinës, janë të detyruar t’i bëjnë te laboratorët private. Kujtojmë se një analizë e tillë kushton 7500 lekë dhe shumë pacientë janë të detyruar ta bëjnë një herë në muaj.
“Për pacientët e transplantuar, që janë të detyruar të marrin barna në spitalin QSUT, duhet të krijohet mundësia e shkurtimit të kohës së shërbimit nëpër radhë të gjata, duke filluar që nga qendra e konsultave, mjeku specialist, ISKSH, farmaci etj, duke sjellë sorollatje dhe stërmundim të tyre deri në dy tre ditë. Ka probleme me rezervat që duhet të ketë farmacia e spitalit të QSUT (dhe ato rajonale) në lidhje me disa barna të shtrenjta. Nuk respektohet ligji në lidhje me furnizimet me këto barna, duke shkaktuar mungesa për pacientët e transplantuar”.
Alma Sheme: Analizat e shtrenjta i bëjmë në privat
Alma Sheme, kryetare e shoqatës së Pacientëve në Dializë dhe të Transplantuarve të Shqipërisë, shprehet: “Pjesën më të madhe të analizave detyrohemi t’i bëjmë në privat, pasi QSUT nuk siguron as bërjen e analizës së hepatitit, as të ngarkesës virale, as të hekurit në gjak dhe as të paratiroides. Theksoj këtu që këto janë analiza jetike për ne dhe duhet ti bëjmë disa herë në vit, dhe të gjitha i paguajmë nga xhepi ynë. Mjafton të përmendim analizën e prografit për pacientët që kanë kryer transplant veshkash. Një analizë e tillë që nuk bëhet në asnjë spital shtetëror, kushton të paktën 12.000 lekë të reja dhe bëhet 3-4 herë në muaj.
Mjekimi pas transplantit, për të shmangur flakjen
Pas operacionit pacientët marrin medikamente të forta për të mos lejuar flakjen e veshkës së re nga trupi. Sistemi imunitar mbron organizmin nga agjentë të jashtëm, dhe trupi do të mendojë që veshka e re është një agjent i jashtëm dëmtues. Kështu që sistemi do përpiqet ta luftojë për ta flakur veshkën e re. Kjo gjë mund ta dëmtoje atë. Prandaj pacienti do të marrë mjekim me imunosupresorë, të ashtuquajtur ndryshe medikamente kundër flakjes. Këto medikamente e shtypin sistemin imunitar mjaftueshëm sa për të mbajtur veshkën të shëndetshme.
Qëllimi i imunosupresore është të parandalojë ose të trajtojë flakjen e organit të transplantuar. Me përjashtim të disave, pjesa tjetër e medikamenteve merret për gjithë jetën.
Ajo që duhet të dini: Këto medikamente bëjnë që mbrojtja natyrale e trupit të zvogëlohet.
Dozat ditore në fillim janë të larta. Progresivisht ato pakësohen. Vetëm mjeku juaj i transplantit mund të vendosë për zvogëlimin e dozës. Të gjithë imunosupresorët kanë edhe efekte dytësore, që janë më prezente në fillim me dozat e larta ditore. Çdo person është i ndryshëm, ndaj dhe efektet dytësore kanë shprehje të ndryshme në varësi të sensibilitetit të tij.
Në fillim, medikamentet mund të jenë të kombinuara, në mënyrë që të kemi doza sa më të vogla dhe për rrjedhojë dhe efekte dytësore sa më të vogla./ Shendeti.com.al/


