Probleme të trashëgimisë natyrore në rrethin e Dibrës

Duke qenë se rrethi i Dibrës përbëhet nga kategori të shumta të zonave të mbrojtura, komplekse paraqiten dhe problemet në këto zona. Nga vëzhgimet në terren dhe shfrytëzimi i literaturave, po japim më poshtë disa nga problemet kryesore që vihen re në këto zona të mbrojtura:

  • Edhe pse legjislacioni shqiptar për ruajtjen e zonave të mbrojtura është përmirësuar dhe përafruar me atë evropian, gjendja në terren na tregon se ato janë të braktisuara dhe të pamenaxhuara si duhet ku gjithçka është vetëm në letër. Të braktisura dhe duke u menaxhuar jo siç duhet, këto objekte të natyrës nuk mund të ofrojnë vlera e dobi për njeriun dhe shoqërinë.
  • Shumica e monumenteve me vlerë nuk kanë infrastrukturën e nevojshme rrugore për t’u vizituar nga turistët dhe janë të pamundura që të arrihen gjatë dimrit, sidomos kur ka reshje të dëborës. Në segmentet malore rrugët janë tepër të vështira për t’u kaluar e po ashtu edhe rrugët rurale.
  • Mungojnë përgjithësisht tabelat orientuese që të çojnë tek monumentet natyrore. Edhe aty ku ekzistojnë nuk paraqesin përshkrime të sakta për objektin apo zonën e mbrojtur. Vetëm në vitin 2014 janë vendosur disa tabela apo harta për disa nga monumentet e PN Korab-Koritnik dhe në PK të Lurës.
  • Zonat e mbrojtura dhe monumentet e natyrës në rrethin e Dibrës, rrezikohen më tepër nga veprimtaria e qëllimshme ose pakujdesia e njeriut sesa nga rreziqet natyrore, veçanërisht kjo për monumente të tilla si: shpella karstike, liqene akullnajorë, biomonumente etj.
  • Problem mbetet kultura e ulët mjedisore dhe mungesa e informacionit mbi rëndësinë dhe vlerat që sjell mbrojtja e trashëgimisë natyrore. Hedhja e mbeturinave edhe në zonat e mbrojtura shqetëson turistët e sidomos të huajt. Papastërtitë dhe mbeturinat e shumta të lëna nga turistët krijojnë probleme mjedisore duke ndikuar në imazhin turistik të zonës.
  • Gjithashtu mbetet problem erozioni, mbikullotja, prerja e pyjeve, zjarret e shkaktuara qëllimisht nga njeriu, gjuetia dhe peshkimi i paligjshëm brenda territorit të zonave të mbrojtura. Përmenden këtu zjarret në Lurë të vitit 2007, ku u dogjën sipërfaqe të mëdha pyjore brenda territorit të parkut kombëtar.
  • Informacionet që u nevojiten turistëve për rrethin e Dibrës dhe vendet që dëshirojnë të vizitojnë, ofrohen vetëm në zyrën e informacionit turistik në qytetin e Peshkopisë. Kjo zyrë e cila është në varësi të bashkisë Dibër, nuk qëndron e hapur gjatë gjithë ditës. Po ashtu gjatë fundjavës dhe festave është e mbyllur. Punonjësit e saj nuk janë të fushës dhe kanë mangësi në komunikimin me turistët e huaj.
  • Studimet për inventarizimin dhe përcaktimin e monumenteve të natyrës në rajonin e studimit lënë për të dëshiruar në shumë drejtime. Kjo edhe për faktin se me këto punime janë marrë specialistë me njohuri jo të plota në këtë fushë, ose nuk ka bashkëpunim mes specialistëve të fushave të ndryshme si: gjeografë, gjeologë, biologë, pedologë etj.
  • Bazuar në VKM- në nr. 676, datë 20.12.2002 “Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare” vërejmë mjaft gabime në emërtesën e monumenteve të natyrës të rrethit të Dibrës. Kështu Cirku i Kurorës së Lurës duhet emërtuar Cirku i Kunorës së Lurës, Ujëvara e Pocestës duhet Ujëvara e Pocestit, Boroviku i Begiunecit duhet Boroviku i Begjunecit, Bjeshka e Zonjave Zimur duhet Bjeshka e Zonjave Gramë etj. Gabimet ortografike në emërtesën e këtyre monumenteve duhet të korrigjohen sa më parë pasi sjellin shumë paqartësi për turistët.
  • Disa monumente të natyrës nuk duhet të trajtohen si objekte të tilla pasi është vënë dorë nga njeriu, si p.sh., Vakufi i Çangës.

Materialet e publikuara në këtë faqe janë pjesë e  projektit “Ruajtja dhe Menaxhimi i Monumenteve të Natyrës në Bashkinë e Dibrës, një Faktor Potencial për Zhvillim”, i cili zbatohet nga organizata “Instituti për Kërkim dhe Zhvillim Barleti” në kuadër të projektit ACHIEVE “Shoqëria civile Shqiptare për një mjedis Europian”.

 

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike
Ndotja e ajrit po shkakton depresion, thotë një studim i ri
Koplik/ Mbetje të rrezikshme spitalore, mbuloheshin me dhe
Gati 50 milionë profesionistë shëndetësorë bëjnë thirrje për ajër të pastër për një shëndet më të mirë
Pesticidet po rrezikojnë bimët e kafshët
Mbetjet mjekësore: ana e errët e kujdesit shëndetësor
Për herë të parë në video bimët që “flasin” me njëra-tjetrën