Elona Tereziu
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka prezantuar këtë të premte para Komisionit Parlamentar projektbuxhetin për vitin 2018. Ky projektbuxhet parashikohet të jetë rreth 74 miliardë lekë (73 miliardë e 79 milionë lekë), ose e thënë ndryshe, 4.43% i Prodhimit të Brendshëm Bruto.
I ndarë në dy fushat e aktivitet të Ministrisë së Shëndetësis dhe Mbrojtjes Sociale, për Shëndetësinë parashikohet të finacohen 49 miliardë e 294 milionë lekë ose 2.98% e PBB, ndërsa për Mbrojtjen Sociale 23 miliardë e 785 milionë lekë.
Sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu, prioritet për vitin e ardhshëm do të jetë rritja e pagave për 18 mijë mjekë dhe infermierë, kujdesi parësor shëndetësor me përmirësimin e infrastrukturës për 80 qendra shëndetësore me një vlerë 260 milionë lekë, si dhe shtimi i flotës për Qendrën Kombëtare të Urgjencave me 32 autoambulanca.
Konkretisht, investimet kryesore në shëndetësi për vitin 2018 parashikohet të jenë:
- Mbulim universal për kontrollin bazë mjekësor për grupmoshën 35-70 vjeç, vizita tek mjeku i familjes, vizitat dhe ekzaminimet tek mjeku specialist sipas hallkave të sistemit të referimit për të gjithë popullsinë rezidente në vend me vlerë 877 milionë lekë.
- Rritjen e pagave me 5% për 18 mijë mjekë dhe infermierë, duke filluar nga korriku i vitit të ardhshëm, si dhe bonuse motivuese për shpërblimin e punës së mjekëve, sidomos në Spitalet Rajonale ku ka mungesë specialistësh, me vlerën 200.000 deri në 250.000 lekë në muaj.
- Për rimbursimin e barnave, 10 miliardë e 400 milionë lekë (parashikohet rimbursimi i fishave për fëmijët me diabet brenda vitit 2018).
- Ndërtimin, rikonstruksionin dhe përmirësimin e infrastrukturës e pajisje mjekësore për 80 qendra shëndetësore e ambulanca në të gjithë vendin, me vlerë 260 milionë lekë.
- Financim të Shërbimit të Urgjencës Mjekësore 24/7 në të gjithë territorin e vendit.
- Finacimin e blerjes së 32 autoambulancave të reja për fuqizimin e flotës motorrike të Qendrës Kombëtare të Urgjencës me vlerë 253 milionë lekë.
- Financim të Shërbimit të Urgjencës Kardiake dhe Cerebrale-Vaskulare 24/7.
- Financim plotësisht të protezave ortopedike dhe neurokirurgjike.
- Financim në shërbimet mjekësore të paketave shëndetësore falas në kardiologji, kardiokirurgji, transplantin e veshkave, dializë dhe gjithashtu implanti koklear në shërbimin publik dhe jo publik.
- 8 miliardë lekë për barnat onkologjike si citostatikët, si dhe fillimi nga puna i akseleratorit të dytë në QSUT për pacientët me radioterapi.
- Ndërtimin e një Spitali të ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT ( brenda viteve 2018-2019-2020).
- Financimi i fillimit të punimeve për modernizimin e Kirurgjisë së Përgjithshme të Urologjisë në QSUT (2018-2019).
- Blerja e një rezonance për shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT me vlerë 150 milionë lekë.
- Ndërtimi i depos qendrore të barnave në QSUT me një vlerë 270 milionë lekë + 49 milionë për mobilim.
- Ndërtimi i ri i godinës së Qendrës Biomjekësore Tiranë më vlerë 10 milionë lekë.
- Rikonstruksion dhe shtesë në godinën e AKBPM (Agjencia Kombëtare e Barnave) me vlerë 138 milionë lekë.
- Rikonstruksionin e godinës së Dispancerisë Tiranë me vlerë 41.000.000 lekë dhe 15 milionë lekë pajisje mjekësore.
- Rikonstruksioni i sistemit ngrohje/ftohje, aspirim në godinën qendrore të SU ”Shefqet Ndroqi” me vlerë 220 milionë lekë.
- Rikonstruksioni i godinës së Qëndrës Komunitare të Shëndetit Mendor me vlerë 300.000.000 lek (2018).
- Rikonstruksioni i Spitalit Rajonal Kukës me vlerë 15 milionë lekë.
- Rikonstruksioni i godinës së Shërbimit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal Durrës me vlerë 225 milionë lekë.
- Rikonstruksionin e godinës së ish poliklinikës për tu përshtatur në Qëndër Komunitare të Shëndetit Mendor, Kavajë , me vlerë 5.000.000 lek + 5.000.000 të tjera për paisje mobilimi e teknologjike.
- Rikonstruksionin e ish-godinës së klinikës dentare dhe godinës së D.H.E Elbasan me vlerë 3.000.000 lekë.
- Brenda vitit 2020, nëpërmjet ndërveprimit publik-privat, do të fillojë ndërtimi i Spitalit Rajonal të Fierit si qendër ekselence shërbimesh për qytetarët.
- Finacimi i projektit për Spitalin e Kirurgjisë Elbasan me vlerë 165 milion lek.
- Rikonstruksioni i Poliklinikës Vlorë me një vlerë 87 milion lek + 20 milion paisje mjeksore.
- Rikonstruksioni i Poliklinikave Gjirokastër dhe Peshkopi me vlerë 700 mijë euro + 700 mijë euro për pajisje mjekësore.
Pas prezantimit të projekt buxhetit, ministrja e shëndetësis, Ogerta Manastirliu u ndal të theksonte: ‘Dy moto do të drejtojnë Ministrinë e Shëndetësis dhe Mbrojtjes Sociale për vitin e ardhshëm, ‘Shëndet për të gjithë, mbrojtje, përfshirje e integrim’’. Ndaj ne do të vazhdojmë të përmisojmë efiçencën, zhvillojmë shërbimet , rrisim aksesin dhe finacimet në të gjithë sektorët që lidhen me shëndetin’’.
Nga ana tjetër, opozita komentoi projekt-buxhetin duke shprehur në mënyrë të hapur votën e saj kundër miratimit të tij.
Tritan Shehu: ‘Projektbuxhetit i mungon vizioni politik’
Tritan Shehu, deputet i Partisë Demokratike, theksoi se ky projekt-buxhet nuk ka një linjë dhe vizion të qartë për politikat finaciare që do të ndjekë shëndetësia shqiptare.
‘’Dua që në fillim të diskutimit tim të deklaroj votën time kundër këtij projekt-buxheti. Buxhetit i mungon në tërësi udhëheqja dhe vizioni politik. Nuk ka një linjë dhe vizion të qartë për politikat financiare që do të ndjekë shëndetësia shqiptare për të dalë nga varfëria e thellë ku është sot. Si do bëjmë ne që shëndetësia shqiptare sot ka financim nga buxheti i shtetit 20 herë më të ulët se e mesmja evropiane?! Si do bëjmë ne që shpenzimet për shëndetësinë shqiptare të cilat janë sot 2.5 herë më të ulëta se në Maqedoni, të bëhen së paku 1.5 herë më të ulëta se Maqedonia?! Si do e zgjidhim që sot kemi 1.12 mjekë për 1000 banorë nga mesatarja evropiane që është 4?! Si do e zgjidhim faktin që më shumë mjekë dalin në pension se sa diplomohen mjekë të rinj? Një sistem shëndetësor mund të zhvillohet pa financime! Nuk ka shëndetësi falas! Ishte një gënjeshtër e madhe, një spekulim i madh të cilin dhe autorët nuk guxojnë ta përsërisin më sot. Që të ketë shëndetësi falas, duhet që shpenzimet për shëndetësinë e një vendi të jenë së paku mbi 2000 euro për frymë popullsie në vit, ne e kemi 85 euro. Më këtë buxhet nuk mund të ketë shëndetësi ky vend!”
Bardh Spahiu: “Një qeveri që kultivon drogën, nuk mund të ketë prioritet të saj shëndetin e qytetarëve!”
Nga ana e opozitës, Bardh Spahiu foli për mungesën e barnave dhe aparaturave mjekësore duke e lidhur mungesën e tyre me aferat korruptive.
“Asistuam këtu në leximin e një relacioni komplet sipërfaqësor i cili tregon edhe njëherë mungesën e plotë të seriozitetit që ka Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria shqiptare. Ju folët zonja ministre për sistemin farmaceutik, por harroni se e filluat me shkelje të rënda të ligjit për barnat, duke i hapur rrugën importit paralel për barnat e falsifikuara. Po të doni vazhdojmë me miratimin e ligjit të barnave dhe shërbimit farmaceutik, komplet klientelist, pa pjesëmarrjen e faktorëve kryesorë të sisitemit farmaceutik shqiptar. Shërbimi farmaceutik sot është në kaos total dhe institucionet e kontrollit janë kthyer në institucione gjobvënëse. Doni t’ju rikujtoj skemën e famshme të rimbursimit të recetave me fatura fiktive, apo mungesën për një kohë të gjatë të shumë barnave, kryesisht të citostatikëve. Ju duhet ta dini zonja minister se në spitale mungojnë barnat, mungojnë materialet e mjekimit, mungojnë aparaturat, nëse nuk e dini, kjo tregon edhe njëherë mënyrën sipërfaqësore me të cilën e drejtoni këtë Ministri. Ndoshta kjo ju duket e tepërt, ndoshta dhe qeveria është e zënë me biznese të tjera si ai i drogës, koncesione korruptive, tendera të barnave. Do të mjaftonin 500.000 eurot e stafit të Sajmir Tahirit për blerje ambulancash që qytetarët mos të vdisnin më rrugëve. 86.000 eurot që iu kapën njeriut të afërt të Sajmir Tahirit do të mjaftonin për të siguruar Spitalin e Traumës me pajisje mjekësore. 5 milionë eurot që merr në muaj Sajmiri Tahiri, janë buxheti mujor për barnat që rimburson shteti. 20 milionë eurot në muaj që merrte Rama për fushatë, janë buxheti vjetor i barnave për gjithë spitalet. Të gjitha këto para droge. E pra, një qeveri që kultivon drogën, sigurisht që nuk mund të ketë prioritet të saj shëndetin e qytetarëve”.
Oriola Pampuri: “Buxheti për personat me aftësi të kufizuara nuk mjafton”
“Keni parashikuar ndihmë, mbështetje, përkrahje për personat para dhe tetraplegjikë, por problemi i tyre janë dhe vazhdojnë të mbeten mjekët, karroca, mjetet. Nuk i kanë, dhe ata që i kanë, i kanë falë donacioneve të huaja. Çfarë do të bëni për autizmin?! Buxheti që ju parashikoni është një buxhet ekstremisht i vogël. Ju fonde nuk keni për të ndërtuar një qendër rigoroze ku t’i prisni, t’i diagnostikoni, t’i trajtoni. Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor nuk e përballojnë autizmin, ndaj mos i përfshini aty. Qendrat Komunitare nuk janë të afta të trajtojnë dhe të diagnostikojnë autizmin sepse vetëm dignostikimi kërkon një periudhë dyjavore, nëpërmjet një stafi multidisiplinar. Për sa i përket të verbërve, janë një kategori tjetër shumë e ndjeshme. Ata kanë nevojë përpos të tjerave edhe për integrim. Ekziston një qwndër e cila është shumë moderne dhe mund të shërbejë për intergrimin e tyre, por sot është e mbyllur për shkak të sanksioneve që ju i vendosët.”
Halim Kosova: “Shëndeti i nënës dhe fëmijës, i lënë në harresë!”
“E kam theksuar dhe vazhdoj ta theksoj se në këtë komision dhe për secilin nga ne në qendër të vëmendjes duhet të jetë shëndeti i nënës dhe fëmijës. Jam duke i gërmuar këto shifra që ju thoni dhe këto fonde që sistemi shëndetësor ka në dispozicion. E ardhmja e kësaj shoqërie mbahet nga shëndeti i nënës dhe fëmijës, akoma tek ne ky është një sektor i lënë pas dore. Nga 2015-2017, gratë dhe vajzat kanë mbushur sallat e fushatave elektorale dhe mbas këtyre asgjë nuk ka ndryshuar për ta. Nuk ka dhuratë më të bukur për familjen e shoqërinë se sa një fëmijë i shëndetshëm, por sistemi i sotëm shëndetësor që mbulon nënë dhe fëmijën nuk e garanton këtë.”
Grida Duma: “Gjëja më e sigurt në këtë sistem shëndetësor është pasiguria!”
“Gjëja më e sigurt në këtë sistem shëndetësor është pasiguria! Nuk ka individ i cili shkon në një spital dhe pasi merr analizat është i sigurt për rezultatin e tyre. Pasi merr diagnozën dhe është i sigurt që diagnoza është ajo. Ky pacienti, unë, juve, të gjithë ne bashkë jemi të detyruar që mos t’i bëjmë një herë, por 3, 4, 5 herë për të qenë të sigurt, çka do të thotë që për një analizë rutinë a diagnozë, pacientët shqiptarë shpenzojnë katërfish për të qenë të sigurt. A njihet në këtë sistem një ligj që siguron nëpërmjet ndëshkueshmërisë?! Që siguron nëpërmjet faktit që nuk ka kredenciale profesionale?! Dëmi në shëndetësi nuk është dëm teknik dhe nëse dikush ka vënë diagnozën e gabuar dhe po shërbehesh me ilaçet e gabuara, është dëm jetësor.”
Lindia Metaliaj: Buxheti, jo real!
“Unë jam deputete e Qarkut Lezhë dhe dua të flas për Lezhën. Në momentin që flasim, Spitali Rajonal i Lezhës është pa drejtor. Gjithashtu dhe drejtori i Shëndetit Publik ka dhënë dorëheqjen. Quhet Spital Rajonal por nuk i plotëson kushtet dhe nuk ofron shërbim shëndetësor për të qenë i tillë. Aty marrin shërbim shëndetësor 120.000 banorë të rrethit Lezhë dhe gjithashtu po aq mijë banorë të dy Bashkive, Mirditë dhe Kurbin. Sot në Spitalin Rajonal të Lezhës mungojnë kirurgët, mungon neurologu, mungon psikiatri, mungon radiatori, mungon epidemiologu, mungon higjienisti, ndërsa specialitete të tjera janë vetëm me nga një specialist. Buxheti që ju prezantoni këtu sot, nuk është real dhe nuk është studiuar mbi bazën e numrit të popullsisë. A keni ju një zgjidhje në këtë rast që këtij spitali rajonal t’i kthehet dinjitieti?! A jeni ju në dijeni që shumë qendra shëndetësore të njësive administratë ekzistojnë vetëm si godina, janë të kyçura dhe ato që hapen vetëm një herë në javë sepse mjeku vjen nga Tirana! Dëgjova se do të ketë një rritje me 5% për pagat e mjekëve. Mendoni që me këtë rritje 5% do arrini të vlerësoni mjekët të cilët çdo ditë e më shumë po largohen nga Shqipëria pasi nuk vlerësohen për punën dhe mundin që ata bëjnë?!/ Shendeti.com.al

