Flet kirurgu: Pacientët nuk u besojnë spitaleve në rrethe, QSUT-në po e “mjelin” të gjithë

Emanuel Smaka 

“Pacientët në vendin tonë nuk kanë besim tek spitalet e rretheve apo ato rajonale, dhe për shumë operacione të thjeshta drejtohen në QSUT. Është i papërballueshëm fluksi me të cilin përballemi. Nuk ka shtretër mjaftueshëm pranë urgjencës kirurgjikale”. Këto janë disa nga komentet e bëra nga shefi i Urgjencës së Kirurgjisë në QSUT, Myzafer Kaçi, gjatë Konferencës së Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente që po mbahet në Tiranë.

Kaçi e ngriti shqetësimin e tij para një audience të gjerë më ekspertë të mjekësisë shqiptarë e të huaj si dhe studentë të së njëjtës fushë.

“Urgjenca Kirurgjikale ofron shërbim 24 orë dhe 30 ditë në muaj. Problemi është se na vijnë pacientë nga rrethet për operacione të thjeshta, ndoshta sepse kanë më shumë besim. Një situatë e tillë krijon fluks të lartë në QSUT. Kjo bën që shërbimi të mos jepet maksimalisht mirë për pacientët. Nuk është normale që për një operacion të thjeshtë të paraqiten direkt në urgjencën kirurgjikale të QSUT-së”, deklaroi mjeku Kaçi.

Urgjenca Kirurgjikale në QSUT funksionon si një specialitet i kirurgjisë për pacientët në kushte akute, të rrezikshme për jetën.

Sipas të dhënave zyrtare të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), numri vjetor i pacientëve të trajtuar me shërbim pranë Shërbimit të Urgjencës Kirurgjikale është 40.000 në vit. Numri i vizitave është 30.000, ndërsa mesatarisht regjistrohen 4000 shtrime urgjente.

Ky shërbim është i pajisur me dhoma operative dhe njësi të kujdesit intensiv./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Reagon TFL: Transparenca, konkurrenca dhe llogaridhënia nuk mund të zëvendësohen
Spitalet rajonale nën kapacitet, 40% e shtrimeve përqendrohen në Tiranë
Rasti i pacientit në Durrës: Një alarm për aksesin e barabartë në shërbimet shëndetësore dhe dinjitetin e pacientit
Lirohet nga burgu ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj
Ministrja Sala: Do të ngrihet Instituti Kombëtar i Tumoreve! Dializa dhe check up i kalojnë shtetit
Pse na rrudhen gishtat kur i mbajmë në ujë për një kohë të gjatë?
Rasti i pacientit në Durrës, MSHMS urdhëron nisjen e hetimeve
Dietologët zbulojnë ushqimin nr. 1 që mund të rrisë menjëherë sheqerin në gjak