Denisa Canameti
Më datë 6 janar 2018, ministria aktuale e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu paralajmëroi masa shtrënguese të luftës me duhanin në ambientet e mbyllura.
“…nuk do të jetë më me aksione sporadike, por me kontrolle dhe rikontrolle ditën dhe natën, në çdo bar, restorant apo ambiente të tjera publike, në zbatim të ligjit që ndalon rreptësisht konsumin e duhanit në ambiente të mbyllura, duke kërcënuar shëndetin e qytetarëve”, u shpreh Manastirliu.
Ndërkohë, sipas një vendimi të marrë në “Ditën Botërore kundër Duhanpirjes” nga Komiteti Ndërsektorial për mbrojtjen e shëndetit nga këto produkte, më 31 maj 2016, duke filluar nga data 1 Janar 2018, të gjitha paketat e duhanit që do të tregtohen në Shqipëri duhet të kenë në mënyrë të dukshme në ambalazhin e tyre figura që tregojnë sëmundjet dhe dëmet e mëdha në shëndetin e njerëzve që shkaktohen nga duhanpirja.
Pavarësisht vëmendjes së ministres aktuale ndaj kësaj problematike, nuk u fol për nisjen e zbatimit të këtij vendimi, edhe pse ky vendim erdhi në vijim të masave të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë lidhur me vendosjen e paralajmërimeve për efektet shkatërruese të duhanit ne shëndet, jo vetëm përmes teksteve, por edhe përmes nje serie fotografish të “sëmundjeve të tmerrshme”.
Paketimi i ri për produktet e duhanit hyri në fuqi për të gjitha vendet e BE-së 1 vit më parë, me një direktivë të posaçme të Parlamentit Evropian (Acquis Communitaires: Direktiva për produktet e duhanit [Directive 2014/40/EU of the European Parliament and of the Council of 3 april 2014 _ DTP] hyrë në fuqi në 20.05.2016. Neni 10 është rreth paralajmërimeve të kombinuara për shëndetin, tek produktet e duhanit për tymosje)./ Shendeti.com.al


