Retrospektivë e TFL-së / Onkologjiku: Kontrabandë dhe pasiguri për jetën

Denisa Canameti, gazeta Shëndet+

Ndërkohë që rritet numri i viktimave nga kanceri, sistemi shëndetësor ndeshet me nevojën për të siguruar barna të efektshme dhe pajisje të teknologjisë së fundit. Trajtimi i të sëmurëve me kancer nuk mbulohet 100% nga shteti, duke rënduar kështu jo vetëm xhepat e qytetarëve, por duke i detyruar ata që të ushtrojnë veprimtari të jashtëligjshme: Shpesh janë sjellë në Shqipëri ilaçe kontrabandë.

“800 flakonë vinin në vit para 4 vitesh. Tani vijnë 4 mijë. Mirëpo nevoja është për më shumë. Ne duhet të dyfishojmë vetveten sot, edhe pse kemi më shumë se 4-fishuar në raport me atë që gjetëm. Procesi është vënë në vijë dhe për sa i përket këtij ilaçi, që është shumë i shtrenjtë, tmerrësisht i shtrenjtë, ne diskutuam një mënyrë alternative, me një marrëveshje kuadër me kompaninë e huaj që e sjell”, u shpreh kryeministri Edi Rama në një deklaratë për median javën e kaluar.

Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, kanceri është shkaku kryesor i vdekshmërisë në vend pas sëmundjeve kardiovaskulare. Të dhënat e disponueshme të kancerit bazohen pjesërisht në regjistrin e Qendrës Onkologjike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, dhe pjesërisht nga regjistrat e spitaleve të rretheve dhe shërbimeve të patologjisë.  Pavarësisht projekteve për hartimin e një regjistri të kancerit në ISHP, asgjë nuk është prezantuar duke lënë kështu në hije, pyetjet në dukje krejt të thjeshta:

  • Sa është numri i personave të diagnostikuar me kancer në Shqipëri?
  • Sa është numri i rasteve të suksesit?
  • Dhe, sa është numri i rasteve që nuk ja dalin?
  • Duke parë se është një patologji me vdekshmëri të lartë, a është bërë ndonjë analizë për arsye të kësaj vdekshmërie nëse ka të bëjë me protokollin e vjetër?
  • Si janë përqindjet e identifikimit të kancerit të gjirit, pas kalimit të stadeve?
  • Ku jemi me stadet?
  • Në çfarë stadi diagnostifikojmë ne dhe si janë përqindjet sipas stadeve?

Kanceri tashmë është një problem serioz në vend, përgjegjës për 17% të të gjitha vdekjeve, duke u bërë kështu një barrë në rritje për sistemin e kujdesit shëndetësor (SKSH) në vendin tonë.

Pavarësisht këtij alarmi, dhe këtyre problematikave të evidentuara edhe në Programin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit 2011-2020, të sëmurët me kancer vuajnë mungesat në trajtimin e tyre.

Shoqata “Together for life” prej 4 vitesh është përqendruar në këtë shërbim duke denoncuar bashkë me pacientët përpara Kryeministrisë, onkologjikut, duke bërë shkresa të njëpasnjëshme për informacion, peticione, si dhe duke mbështetur pacientët në kërkesat e tyre të hapura për medikamente. Institucionet shëndetësore nuk kanë pranuar asnjëherë të japin  asnjë përgjigje lidhur me pyetjen se si mbulohen nevojat për pjesën që nuk arrin t’i mbulojë buxheti i dhënë nga shteti dhe as se sa ndryshim ka mes buxhetit të akorduar për Shërbimin Onkologjik dhe kërkesës së bërë nga drejtuesit e këtij institucioni (për periudhën kohore 2011-2016). Në një artikull të përqendruar në shifra, të marra në rrugë zyrtare nga institucionet shëndetësore,  Arlinda Gjypi, kryeredaktore e gazetës “Shëndet+”, analizoi fjalën e qeverisë dhe premtimet e saj (në shifra) për rritje të buxhetit për të sëmurët me kancer.

“Në kërkesën e gazetës “Shëndet+”, lidhur me buxhetin 2011-2016 për të sëmurët me kancer, QSUT është përgjigjur vetëm me buxhetet e viteve 2012-2015. Në një vëzhgim të parë, rezulton se buxheti është rritur nga viti në vit, por, duke e krahasuar me numrin e pacientëve, rezulton të ketë rënie të ndjeshme. Kështu, ajo çka është tepër e dukshme dhe e pakuptueshme është fakti se teksa numri i pacientëve nga viti 2014 në vitin 2015 është rritur me 56.9%, buxheti nga viti 2014 në vitin 2015 nuk është rritur, por madje është ulur me 1.5%,” evidenton Gjypi në artikullin e publikuar në maj të 2016-s.

Ilaçet kontrabandë, një marrëveshje e heshtur “pacientë-mjekë-institucione shëndetësore”

Për 4 vite të investiguara intesivisht, Shërbimi i Onkologjisë nuk ka arritur të mbulojë asnjëherë nevojat e pacientëve me kancer. Situatë kjo që i ka detyruar pacientët të rriskojnë dyfish shëndetin e tyre me barna kontrabandë. Pavarësisht se Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ka paralajmëruar për mospërdorim të barnave pa pullë, mungesa e tyre në spitale nuk u jep rrugëzgjidhje tjetër personave që përballen me sëmundjen vdekjeprurëse. Në kuadër të një  investigimi të shoqatës Together for life, në mars të 2016-s, gazetarët sollën pamje të pacientëve dhe të afërmve të tyre që lëviznin me qese farmacish nëpër duar.  Kujtime Çupi, nga Dibra, me medikamentin “Endoxan” në dorë, ka treguar se sa herë vjen për kimio, është e detyruar t’i sigurojë vetë ilaçet, pasi spitali nuk i siguron. Nuk e ka idenë për sigurinë, por shpreson që “meqë është blerë në farmaci”, të ketë efekt për sëmundjen e saj.  Ky bar, që qarkullonte në shërbimin e onkologjisë, nuk ka të aplikuar në paketim pullën e kontrollit të barnave, të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Në të njëjtat kushte hyjnë edhe barnat e tjera. Në repartin e kimioterapisë ditore, në secilin mbajtës të serumeve ndodhen qese farmacish me barna të blera nga vetë pacientët.

E pyetur lidhur me lejimin e barnave të blera nga vetë pacientët dhe përgjegjësinë e saj në këtë çështje, drejtoria e QSUT-së deklaron: “Lidhur me pyetjen nëse lejohet përdorimi i ilaçeve të blera nga vetë pacientët, ju sqarojmë se bazuar në informacionin e ardhur nga Shërbimi Onkologjik, ekziston një kategori pacientësh të cilët zgjedhin të trajtohen në spital me medikamentet e tyre të siguruara privatisht. Në rregulloren e Shërbimit Onkologjik është parashikuar rasti kur kjo ndodh sipas një procedure specifike. (Të sëmurët me kancer shtohen, buxheti për ilaçet ulet; 17 Maj 2016).

Diana Toma, presidente e Urdhrit të Farmacistit, në një intervistë të dhënë (Mars 2016) për çështjen e futjes së ilaçeve “kontrabandë” shprehet: “Të jeni të sigurt se askush nuk ka dëshirë të tregtojë barna pa pullë, se e dinë çfarë kalvari mund t’i ndjekë. Që të tregtosh një bar pa pullë, do të jesh me alarm SOS sa të kesh farmacinë hapur. Gjë që askush nuk e do. “A i gjen pa pullë? Sigurisht që i gjen! A i gjen me pullë? Jo, nuk i gjen. Pra, është pikërisht kjo mosgjetje me pullë e këtyre barnave që bën që në farmaci të gjendet bari pa pullë. Kur nuk sigurohen në një formë të rregullt, favorizohet futja në mënyrë të parregullt. “A janë sanksionet zgjidhja? Sanksioni nuk zgjidh gjëra. Sanksionet sjellin thjesht rritje të korrupsionit. Sa më e madhe masa e sanksionit, aq më e lartë shkalla e korrupsionit. Nëse e kapim çështjen si qytetarë, nëse je në kurriz me peshën e një diagnoze, kur vete te ajo farmacia, ke hallin sesa në rregull është ajo farmaci me ligjet apo ke hallin si kjo farmaci ka në dorë medikamentin që mundëson shërimin e diagnozës? Dhe këta farmacistë nga mëngjesi deri në darkë përballen vetëm me njerëz që kanë probleme shëndetësore, me njerëz që kanë të tilla halle. “Mos më keqkuptoni! Në këtë rast nuk dua të nxis kontrabandën e ilaçeve. Në këtë rast doja të nxisja dhe të vija në lëvizje mekanizmat e shtetit që të mundësojnë futjen e barnave të cilat nuk janë të regjistruara, por janë kërkesë e tregut farmaceutik. “Kemi një politikë shëndetësore të realizuar më së miri. Baza është të kurojë sëmundjen me mekanizma sa më efikas, sa më të sigurt. Ku ka mekanizëm më të saktë, më të sigurt, më efikas sesa ky bar që futet “kontrabandë” të mundësohet kundrejt një lejeje importi. Ngërçi qëndron në faktin e marrjes së lejes së importit. Nuk po them të lëshohet pa duar dhënia e lejeve të importit, por kundrejt standardeve siç jepet çdo leje importi. Madje kur janë barna të paregjistruara, ka edhe disa hallka të tjera, që duhet t’i kalojë. Kjo nuk do të sillte jo vetëm një pacient të kënaqur dhe një farmacist me mision të kryer, por do të kishim një transparencë të barnave që do të hynin në Shqipëri dhe e dyta, për sistemin financiar do të kishim deklarim të çdo lloj xhiroje. Dhe kjo xhiro do të deklarohej në tre segmente: në

Protesta, peticione, ankesa, kërkesa drejtuar Kryeministrisë. 4 vite heshtje

1 mars 2016

Dëshmia e babait të Ornela Dervishit: “Ilaçet e kimios i kam blerë të gjitha vetë nga Turqia. Një cikël shkon rreth 4 milionë lekë (të vjetra) kosto, pasi ilaçet për një seancë janë rreth 700 mijë lekë dhe janë pesë seanca kimioje për çdo cikël. Por nuk fillon dhe as nuk mbaron çdo gjë këtu. Kjo për faktin se nuk flitet thjesht për ilaçet e kimios. Të ishin vetëm ato, do të kishim gjetur derman. Por vajza ka edhe një numër i madh analizash të cilat është dashur t’i bëjë disa herë. Dhe analizat duhen kryer në privat, sepse këtu në shtet nuk bëhen. Dhe mjekët kur t’i japin për të bërë analizat, i duan që të dalin të gjitha nga një laborator dhe jo pjesë-pjesë, se kështu arrijnë të përcaktojnë më mirë problemet. Unë këto analiza që ju shikoni tani, i kam bërë të pjesshme, pasi nëse do t’i bëja të gjitha, shkojnë një milion e dyqind e gjashtëdhjetë mijë lekë. Nuk mundem ta përballoj. Është shumë shtrenjtë. Bashkë me ilaçet e kimios janë aq shumë sa nuk dimë ku të përplasemi”.

25 mars 2015

Leonora Gjoni , e diagnostikuar me kancer gjiri: “Para pak muajsh m’u shfaqën disa shqetësime në gjoks. Vendosa të bëj një vizitë, por përgjigjja ishte shokuese. U ekzaminova me kancer në gji. Që atë ditë kanceri dhe varfëria po më marrin shpirtin. Nuk mundem të përballoj shpenzimet e jam zhytur në borxhe deri në fyt.

11 prill 2016

Xhuljana Elmasllari, 19 vjeçe nga Pogradeci. “Më kanë thënë se kam gjendra turbekulare në mushkëri. Pasi bëra dy kimiot e para, ndjeva goxha përmirësim. Por kimion e parafundit nuk e bëra dot të plotë, pasi nuk kishte medikamente. Edhe kimion e sotme nuk e bëj dot pasi në onkologjik nuk ka ilaçe. Mjekët më dhanë një recetë dhe më thanë se, nëse dua ta bëj kimion, duhet t’i blej vetë këto medikamente, pasi spitali nuk ka. Recetën mund ta shikoni. Familja ime e ka të pamundur t’i blejë këto ilaçe. Një cikël kushton 1.5 milionë lekë (të vjetra).

 

17 maj 2016

Hysni Zhuli i cili ka bashkëshorten të sëmurë me kancer gjiri thotë: “Kemi nisur të bëjmë kimioterapitë dhe problemi fillon pikërisht tani. Medikamentet qenkan hall më vete. Që kur erdhëm për të bërë ciklet e kimioterapisë, na kanë thënë që disa prej ilaçeve nuk gjenden në QSUT. Na thanë se duhet t’i blejmë vetë. Kemi pyetur pacientët e tjerë se si t’ia bëjmë dhe na kanë orientuar ata se ku duhet t’i blejmë. A na dhanë faturë për ilaçet? As që bëhet fjalë. Shkojmë atje dhe e kërkojmë si të kërkojmë drogë, fshehurazi, sepse me sa dimë futen fshehurazi. Po edhe ne ku t’i gjejmë ndryshe? Kimioterapia duhet bërë”. Hysniu mban në dorë ilaçin “Adrimisin”, i cili është pa pullë, i blerë në një nga farmacitë ku e kanë adresuar të tjerët.

Premtimet 2018: Do të rrisim buxhetin për barnat citostatike

Trajtimi i sëmundjeve tumorale ka qenë në këto 4 vite dhe do të vijojë të mbetet prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Investimi për trajtimin e sëmundjeve tumorale prej 2014-ës e në vazhdim është rreth 600 milionë lekë, ku përfshihen: akseleratorë linearë në QSUT në njësinë e re të radioterapisë, rikonstruksioni i të gjitha ambienteve në lidhje edhe me ndërtimin e bunkerit për akseleratorët linearë, pajisjet në të gjithë qendrat e kimioterapisë në vend më poltronat e kemioterapisë, rikonstruksionin dhe pajisjet për të gjitha këto punktet e kimioterapisë me vlerë 3.2 milion euro, mirëmbajtja e pajisjeve mjekësore për të gjitha ato pajisje, që janë në kuadër të diagnostikimit dhe trajtimit, duke i futur në një mirëmbajtje full risk. Nga ana tjetër, shumë të rëndësishme në këtë pikëpamje, janë edhe burimet njerëzore. Sot, në funksion te trajtimit të sëmundjeve tumorale ne kemi burime njerëzore të kualifikuara në shërbimet tona spitalore. Janë gjithsej 49 mjekë onkologë, 103 infermierë dhe 22 psikologë dhe punonjës social, të cilët punojnë së bashku në spitalet tona pikërisht në shërbimet onkologjike.

Do të rrisim buxhetin për barnat citostatike, duke synuar mbulimin e gjerë të trajtimit të sëmundjeve tumorale. Në fushën e kujdesit paliativ do të synojmë fuqizimin e njësive të ngritura dhe asistencën në banesë, si dhe mbështetjen sociale psikologjike për pacientët në stadet e fundit të jetesës. Sigurisht, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po merr masa për të gjithë komponentët e trajtimit të sëmundjeve tumorale, por me shprehjen “Të parandalosh, është më mirë se të kurosh”, do të doja të sillja sërish në vëmendjen tuaj dhe të qytetarëve, që na ndjekin,  rëndësinë që ka parandalimi i hershëm i kësaj sëmundjeje, pasi beteja me kancerin e gjirit është një betejë që mund të fitohet!

  • Por, sa përqind e rasteve arrihen të mbulohen nga shteti?
  • Çfarë bëhet me ata njerëz që shteti nuk i mbulon dot?
  • Sa përqind mund të rritet buxhetin?Pasi buxhetin e kemi ende ne shifrat e vitit 2013, ku 2,1% e GDP-së vijnë nga buxheti, 0,7% apo 0,8% nga sigurimet dhe 50% nga pagesat direkte, pra të tillë skemë kemi. Si mendon qeveria  ta rrisë buxhetin?

Shoqata Together for life do të vazhdojë të ndjekë premtimet e qeverisë për mbulim të nevojave të pacientëve me kancer duke patur në fokus të veçantë gjithë shërbimin e onkologjisë, por jo vetëm./ Shendeti.com.al

 

 

Postime të ngjashme

Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
Polifenolet: Sekreti i të ushqyerit të shëndetshëm dhe mirëqenies
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Qetësia mendore në punë: 6 mënyra për të ulur stresin dhe për t’u përqendruar
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike