Dr. Isuf Kalo apel prindërve: Bashkëpunoni për një shëndet të mirë të fëmijëve

Dr. Isuf Kalo duke folur për gazetën “Shëndet+”

Për një kohë të gjatë, ushqimi nuk është konsideruar nga mjekët si i barazvlefshëm me barnat apo ndërhyrjet teknologjike, në menaxhimin e shëndetit dhe sëmundjeve. Ushqimet janë karburant i organizmit sepse përmbajnë materialet energjetike me të cilat ai funksionon, dhe kane një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe procesin e trajtimit të sëmundjeve. Janë 2 komponentë të rëndësishëm të ushqimit: fuqia kalorike dhe plotshmëria ushqimore -në kuptimin e përbërësve të duhur, përveç karbohidrateve, proteinave dhe yndyrave, siç janë mineralet dhe vitaminat që luajnë rol esencial. Sistemi shëndetësor ka 3 probleme: nënushqyerja, mbiushqyerja dhe kequshqyerja. Nënushqyerja ka ardhur si pasojë e varfërisë dhe është akoma prezente në vendin tonë. Mbiushqyerja nuk ka përbërë problem më parë, por tashmë është kthyer në një shqetësim jo vetëm për të rriturit dhe adoleshentët, por edhe fëmijët e vegjël. Kequshqyerja ka ekzistuar si pasojë e varfërisë, e karakterizuar nga një disproporcion i lëndëve ushqyese, me dominim të bukës në kurriz të proteinave si mishi, djathi, veza. Sot mënyra e te ushqyerit është shkencë me vete, por në Shqipëri s’ka qenë e zhvilluar. Bumi ushqimor dhe teprimi i strukturave komerciale, si restorantet dhe ushqimoret, ka krijuar terren për mbiushqyerje dhe kequshqyerje. Fenomeni më shqetësues është rritja e obezitetit. Obeziteti është sëmundje që dëmton shumë organe dhe lidhet me vdekshmërinë e lartë.

Obeziteti shkaktohet nga kequshqyerja. Ky është një problem kulturor dhe zakonor i shndërruar në një problem të madh social. Obeziteti po prek edhe fëmijët, duke i predispozuar ata për shfaqje të diabetit të tipit 2 dhe arterosklerozës që në moshë të vogël. Obeziteti është pothuaj i pashërueshëm ose të themi, shumë vështirë i shërueshëm. Sepse është një lufte e vështirë me vetveten në ushqimin e përditshëm, e cila kthehet në një mundim të madh, shpeshherë pa rezultat, ose në një fitore që nuk zgjat shumë në kohë. Në këtë kontekst, është urgjente që ky fenomen të luftohet në rrënjë. Është vërtetuar që shprehia e dëshirës për të konsumuar ushqime kalorike si të ëmblat apo të yndyrshmet, instalohet që në moshë fare të vogël. Në qoftë se fëmija do të mësohet me çokollata, ëmbëlsira dhe ushqime të tjera kalorike, ai kurrë nuk do ta luftojë dot tundimin kundrejt këtyre ushqimeve. Ky problem duhet të zgjidhet me politika shëndetësore parandaluese të Ministrisë së shëndetësisë. Edukimi i fëmijëve me shije të shëndetshme në zgjedhjen e ushqimeve, është instalimi i një kulture të re ushqimore, me shpresën që të evitojmë kequshqyerjen, dhe t’i dalim të keqes përpara. Ky program duhet të kryhet në transparencë dhe me konsentin e prindërve. Prindërit duhet të kuptojnë që ky ndryshim nuk është agresion, as imponim, por çështje e instalimit të një kulture të re. Bëjmë apel që prindërit të kuptojnë se bëhet fjale për një gjest dashamirës, në mbrojtje të shëndetit të fëmijëve të tyre në të ardhmen. Është një platformë e miratuar nga një grup shkencor, për një kulture të re, e cila nuk instalohet dot në moshë madhore. Të gjithë bashkë, me mirëkuptim dhe durim, mund të realizojmë këtë synim, në të mirë të gjithë shoqërisë.

Marrë nga Blerina Bombaj

 

Postime të ngjashme

3 rregulla të thjeshta për të humbur peshë shpejt
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj