Bëheni me shenja të zeza pa e kuptuar? Ja pse ju ndodh

Zgjoheni në mëngjes dhe vini re një mavijosje në trup, por nuk mbani mend të jeni goditur? Kjo ndodh shpesh dhe, në shumicën e rasteve, nuk është shqetësuese. Megjithatë, nëse mavijosjet shfaqen gjithnjë e më shpesh ose krijohen edhe pas goditjeve shumë të lehta, mund të ketë një shkak tjetër pas tyre.

Sipas mjekëve, një mavijosje është rezultat i dëmtimit të enëve të vogla të gjakut nën lëkurë. Kur këto enë çahen, një sasi e vogël gjaku rrjedh në indet përreth, duke krijuar ngjyrën karakteristike blu, vjollcë ose të zezë.

1. Mosha dhe plakja e lëkurës

Me kalimin e viteve, lëkura bëhet më e hollë dhe humbet kolagjenin dhe yndyrën që mbrojnë enët e gjakut. Për këtë arsye, personat mbi 60 vjeç mavijosen më lehtë edhe nga goditje shumë të vogla.

2. Përdorimi i barnave që hollojnë gjakun

Nëse merrni medikamente që hollojnë gjakun mavijosjet mund të jenë një efekt anësor i zakonshëm. Edhe barna si aspirina ose ibuprofeni ndikojnë në mpiksjen e gjakut dhe mund të favorizojnë shfaqjen e mavijosjeve.

3. Suplementet bimore

Edhe disa produkte natyrale mund të ndikojnë në mpiksjen e gjakut. Mes tyre janë:

  • hudhra;
  • xhenxhefili;
  • shafrani i Indisë (turmeriku);
  • çaji jeshil;
  • ginkgo biloba;
  • kamomili;
  • xhinsengu;
  • fara e lirit.

Për këtë arsye, mjekët rekomandojnë që suplementet të merren vetëm pas konsultimit me një profesionist të shëndetit.

4. Çrregullimet e mpiksjes së gjakut

Sëmundje si hemofilia ose sëmundja von Willebrand mund të shkaktojnë mavijosje të shpeshta. Këto çrregullime shoqërohen edhe me gjakderdhje të zgjatura, gjakderdhje nga hunda ose menstruacione më të bollshme.

5. Disa antidepresivë

Disa antidepresivë të grupit SSRI, si fluoksetina, sertralina dhe citaloprami, mund të ndikojnë në funksionin e trombociteve, veçanërisht kur përdoren së bashku me barna që hollojnë gjakun.

6. Kortikosteroidet

Përdorimi për periudha të gjata i kremrave ose tabletave me kortikosteroide mund ta bëjë lëkurën më të hollë dhe më të brishtë, duke rritur rrezikun për mavijosje.

7. Mungesa e vitaminave ose hekurit

Mungesa e vitaminës C, vitaminës K ose hekurit mund të ndikojë në shfaqjen e mavijosjeve. Anemia nga mungesa e hekurit mund të shoqërohet edhe me:

  • lodhje;
  • zbehje të lëkurës;
  • gulçim;
  • thonj të brishtë.

A mund të zhduket më shpejt një mavijosje?

Në përgjithësi, një mavijosje ka nevojë për rreth dy javë që të zhduket plotësisht. Gjatë kësaj kohe, ngjyra ndryshon nga blu ose vjollcë në jeshile, më pas në të verdhë dhe në fund zbehet.

Nëse sapo jeni goditur, vendosja e një komprese të ftohtë ose akulli për rreth 20 minuta, disa herë gjatë 24–48 orëve të para, mund të ndihmojë në kufizimin e përhapjes së gjakut nën lëkurë dhe në uljen e ënjtjes.

Kur duhet të konsultoheni me mjekun?

Kërkoni vlerësim mjekësor nëse:

  • mavijosjet shfaqen shpesh pa ndonjë shkak të dukshëm;
  • janë shumë të mëdha ose shumë të dhimbshme;
  • kufizojnë lëvizjen;
  • shoqërohen me gjakderdhje të tjera;
  • shfaqen papritur ose pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Në shumicën e rasteve mavijosjet janë të padëmshme, por kur bëhen të shpeshta ose shoqërohen me simptoma të tjera, mund të jenë shenjë e një problemi shëndetësor që kërkon vlerësim nga mjeku.

Postime të ngjashme

Allmuça: Mekanizmat e Koordinuar të Referimit janë ngritur në 61 bashki, por nuk funksionojnë njësoj në të gjitha
Kastraveci, përfitimet shëndetësore të kësaj perimeje verore
Shqipëria, ndër vendet e Europës që ka më pak shtretër në spitale, pavarësisht popullsisë në rënie
Për herë të parë, turistëve të huaj u vihet tarifë për shërbimet shëndetësore
Reduktim i mjekëve në qendra shëndetësore dhe spitale, reagon Ministria e Shëndetësisë
Vrau 15 pacientë, mjeku dënohet me burgim të përjetshëm! Dëshmia: Mendova se ishte më e mira për ta
Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?
Raporti i OBSH-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën