Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, inspektoi sot qendrën e përkohshme të urgjencës mjekësore të ngritur në pikën kufitare të Kakavijës, në kuadër të masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë për kujdesin shëndetësor gjatë sezonit turistik.
“Prezenca e qendrës së urgjencës mjekësore sa më pranë qytetarëve, sidomos në këtë periudhë të pikut të sezonit turistik, por edhe të shumë lëvizjeve që kanë shqiptarët që jetojnë në Greqi, që shfrytëzojnë masivisht këtë pikë të kalimit kufitar, i ndihmon për nevojat që mund të kenë sidomos fëmijët dhe të moshuarit. Duke patur parasysh radhët pashmangshmërisht të gjata që krijohen në këtë periudhë, duke patur këtë prezencë këtu me mjekë, me infermierë, pajisjet dhe barnat e nevojshme të shërbimit të urgjencës, do ta lehtësohet edhe kjo periudhë e sezonit veror”, u shpreh ministri i Shëndetësisë.
Beqaj deklaroi se për shkak të fluksit përgjatë gjithë vitit, do të shihet mundësia e kthimit të qendrës së përkohshme të urgjencës mjekësore në Kakavijë, në qendër të përhershme.


