Rudina Degjoni
Ne duhet të jemi tashmë në gjendje të llogarisin marrjen e kujdesit shëndetësor që është i sigurt për pacientët tanë. Për të arritur këtë, nevojitet një sistem i ri i shpërndarjes së kujdesit shëndetësor, një sistem që parandalon gabimet e ndodhura dhe ka mësuar prej tyre kur ato kanë ndodhur. Zhvillimi i një sistemi të tillë kërkon një angazhim nga të gjithë aktorët në një kulturë të re të sigurisë dhe të zhvillimit të sistemit. Standardet e të dhënave për shëndetin e njeriut janë njëherazi një bllok ndërtimi kritik dhe i ndjeshëm ndaj kohës dhe informacionit shëndetësor. Duke u bazuar në raportin “Err Is Human” (2017), shohim se siguria e pacientit paraqitet si një “plan rrugor” për zhvillimin, miratimin e standardeve, mbështetjen, shkëmbimin e informacionit, raportimin dhe analizën e të dhënave të sigurisë së pacientit. Shumë e shohin cilësinë e kujdesit shëndetësor si ombrellë gjithëpërfshirëse nën të cilën qëndron siguria e pacientit. Siguria, konsiderohet e padallueshme nga dhënia e kujdesit cilësor.
Filozofët e lashtë si Aristoteli dhe Platoni mendonin për cilësinë dhe atributet e tij. Në fakt, cilësia ishte një nga idetë e mëdha të botës perëndimore. Harteloh, shqyrtoi shumë konceptualizime të cilësisë dhe përfundoi me një përkufizim shumë abstrakt se cilësia është një ekuilibër optimal midis mundësive të realizuara dhe një kornize normash dhe vlerash. Ky përkufizim konceptual reflekton faktin se cilësia është një abstraksion dhe nuk ekziston si një entitet i veçuar. Përkundrazi, ajo ndërtohet bazuar në një bashkëveprim ndërmjet aktorëve relevantë, të cilët bien dakord për standardet (normat dhe vlerat) dhe komponentët (mundësitë). Me kalimin e kohës studjues të ekonomisë së shëndetit e përcaktuan cilësinë si “shkalla në të cilën shërbimet shëndetësore për individët dhe popullatën rrisin gjasat për rezultatet e dëshiruara shëndetësore dhe janë në përputhje me njohuritë profesionale”. Kjo çoi në një përkufizim të cilësisë që duket se janë treguesit e cilësisë, të cilët janë shprehje e standardeve. Standardet, nuk janë domosdoshmërisht aspekti i mundësive apo i grupimeve konceptuale për këta tregues. Për më tepër, shumica e këtyre treguesve të cilësisë vazhdojnë të përbëhen nga indikatorët e matjes së vdekshmërisë, sëmundshmërisë, shfrytëzimit të shtratit duke lënë jashtë komponentët më pozitivë të cilësisë shëndetësore. Ndërlidhshmëria siguri – cilësi janë identifikuar si komponentët e përqendruar konceptualë të cilësisë dhe jo në indikatorët apo treguesit e performancës, pasi sot siguria e kujdesit shëndetësor është primare dhe mbi të mbështetet cilësia e sigurt, efektive, e qëndrueshme, e pandryshueshme, në kohë, efikase dhe e barabartë. Kështu siguria është themeli mbi të cilin ndërtohen të gjitha aspektet e tjera të kujdesit cilësor.
Çfarë është siguria e pacientit?
Përkufizimi për sigurinë e pacientit e ka zanafillën e saj nga lëvizja e cilësisë së kujdesit shëndetësor që është po aq abstrakt, me qasje të ndryshme ndaj komponentëve thelbësorë më konkretë. Siguria e pacientit është përcaktuar si “parandalimi i dëmtimit të pacientëve”.
Theksi vihet në sistemin e dhënies së kujdesit që (1) parandalon gabimet; (2) mëson nga gabimet që ndodhin; dhe (3) ndërtohet mbi një kulturë sigurie që përfshin profesionistët e kujdesit shëndetësor, strukturat shëndetësore dhe pacientin.
Shumë praktika të sigurisë së pacientit, të tilla si përdorimi i medikamenteve, menaxhimi i materialeve, referimi i ekzaminimeve, testeve, janë konsideruar si strategji të mundshme për të shmangur gabimet e sigurisë së pacientit dhe për të përmirësuar procesin e kujdesit shëndetësor. Origjina e problemit të sigurisë së pacientit klasifikohet në aspektin e llojit (gabimit), komunikimit (dështimet midis pacientit ose familjarit të tij dhe stafit mjekësor), menaxhimi i pacientit (delegimi i panevojshëm, dështimi në epikrizën e përcjelljes, referim i gabuar, ose përdorimi i gabuar i medikamenteve e deri tek diagnostikimi i gabuar i pacientit), dhe performanca klinike (para, gjatë dhe pas ndërhyrjes).
Kujdesi shëndetësor me cilësi të lartë është, së pari, kujdes shëndetësor i sigurt. Pacientët duhet të jenë në gjendje t’u qasen profesionistëve të shëndetësisë pa frikën se kërkimi i ndihmës mund të çojë në dëm. Siguria duhet të jetë një tipar kryesor i sistemit të shpërndarjes së informacionit, pacientët kanë nevojë për të dhëna të besueshme klinike, për të ndërtuar dhe siguruar një mjedis të kujdesit të sigurt. Të dhënat mbi performancën klinike janë një bllok i rëndësishëm ndërtimi për një sistem të sigurt të shpërndarjes së kujdesit shëndetësor. Një sistem ideal i raportimit të performancës klinike duhet të jetë në gjendje të funksionojë njëkohësisht përgjatë tërë vazhdimësisë së aplikimeve, por përdorimi i gjerë i saj kërkon organizim të kujdesshëm të sistemit të të dhënave, sisteme të automatizuara që lidhen drejtpërdrejt me ofrimin e kujdesit dhe aplikimin e standarteve të qarta të të dhënave. Ekzistojnë shumë aplikacione legjitime të të dhënave të performancës klinike, secila prej të cilave ka bazat e veta historike dhe qasjet e saj. Të gjitha këto aplikacione synojnë të përmirësojnë sigurinë e kujdesit të pacientit. Ndërveprimet e mjekëve dhe pacientëve ndikohen nga mjedisi (p.sh., përgjegjësia ligjore, politikat blerëse dhe rregullatore); edukimi dhe trajnimi i profesionistëve të shëndetësisë (p.sh., trajnimi multidisiplinar); shkathtësia shëndetësore (p.sh., kuptimi i pacientëve për gjendjen kronike); dhe sistemet që mbështesin ofrimin e kujdesit (p.sh., sistemi i raportimit të brendshëm, disponueshmëria e sistemit). Por qëllimi përcakton sistemin (Deming,1988).
Përgjegjësia
Hartuesit e politikave të kujdesit shëndetësor kanë argumentuar gjatë se ekziston një çekuilibër i pandarë në qasjen dhe kuptimin e informacionit të kujdesit shëndetësor midis ofruesve të kujdesit shëndetësor dhe konsumatorëve të kujdesit shëndetësor (Wilson, 2001). Për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj mosbalance, mbikëqyrësit e kujdesit shëndetësor; grupet profesionale të shëndetit; dhe përfaqësues të tjerë të pacientëve duhet të garantojnë një nivel minimal të ofrimit të kujdesit shëndetësor në emër të publikut të përgjithshëm që konsumon shëndetin (Robinson, 2001). Ata duhet të kenë disa qasje të reja, nxitur nga konsumatorët, siç janë raportimi në nivel shtetëror i gabimeve të rënda mjekësore dhe publikimin e të dhënave apo rezultateve shëndetësore. Të dhënat e rezultateve shëndetësore (p.sh., normat e vdekshmërisë në spital, shkalla e vdekshmërisë së lidhur me kirurgjinë kardiake) duhet të përdoren për qëllime të llogaridhënies (Berwick, 1989). Këto procese do vendosin një standard minimal të performancës që do përdoret për të vlerësuar ofruesit e kujdesit. Për ata ofrues të cilët nuk do arrijnë të përmbushin standardin minimal, sanksionet (p.sh. gjobat, përfundimi i kontratës) duhet të zbatohen.
Nxitjet
Në një treg të lire të drejtuar nga cilësia, blerësit (nëpërmjet kontraktimit) dhe pacientët duhet të zgjedhin ofruesit që ofrojnë kujdesin më të sigurt dhe më efektiv. Në teori, përzgjedhja e tillë duhet të motivojë të gjithë ofruesit për t’u përmirësuar në mënyrë që ata të fillojnë të rankohen në raportet e sigurisë dhe të cilësisë krahasuese (Berwick et al., 2003). Këto lloje aplikimesh do kërkojnë që të dhëna dhe informacione të caktuara të jenë “transparente”, një term që tregon situatën në të cilën personat e përfshirë në kujdesin shëndetësor në çdo nivel, duke përfshirë pacientët, profesionistët e shëndetësisë dhe blerësit, kanë informacion të mjaftueshëm dhe të kuptueshëm në lidhje me performancën klinike për të marrë vendime të mençura (Robinssons, 2001). Zgjedhjet do duhet të përfshijnë jo vetëm përzgjedhjen e një pakete shëndetësore, e një spitali apo e një mjeku, por edhe serinë e vendimeve të testimit dhe të trajtimit që pacientët do përballen gjatë një ndërveprimi të ofrimit të kujdesit shëndetësor.
Transparenca ndryshon fokusin e llogaridhënies, duke zhvendosur kontrollin dhe përgjegjësinë nga profesionistët klinikë dhe kujdestarët e kujdesit shëndetësor tek pacientët.
Transparenca e vërtetë do të kërkojë të dhëna të hollësishme dhe të plota të performancës që do jenë të vlefshme, të besueshme dhe relevante për llojet e vendimeve që një individ duhet të bëjë. Për shembull, një pacient që do t’i nënshtrohet kirurgjisë duhet së pari të zgjedhë një spital dhe një kirurg. Në një botë transparente, të gjithë pjesëmarrësit do të kishin akses në të dhënat e performancës specifike të spitalit apo kirurgut.
Deri më sot, raportimi publik i të dhënave të performancës ka qenë i kufizuar, por procesi duhet të pregatitet që të nisë e të jetë në rritje (Baumgarten, 2002). Shumica e raportimeve publike duhet të fokusohen në punën e spitaleve dhe në një farë mase tek ndërhyrjet kirurgjikale (Schauffler dhe Mordavsky, 2001). Informacioni nuk duhet të jetë i kufizuar ai duhet të raportohet si për shërbimet mjekësore ashtu dhe për mjekët. Përpjekjet e raportimit duhet të fokusohen në të dhënat e rezultateve (p.sh., vdekshmëria), ndërsa raportet krahasuese duhet të përfshijnë masat e procesit të kujdesit, perceptimet e pacientit për kujdesin dhe statusin e akreditimit (McGlynn dhe Adams, 2001). Studime të ndryshme sugjerojnë se raportimi publik i informatave krahasuese të performancës do të ketë një ndikim pozitiv në vendimmarrjen e konsumatorit (Schauffler dhe Mordavsky, 2001). Raportimet mbi aktivitetin spitalor do të kenë një efekt minimal në përzgjedhjen e konsumatorëve (Thompson et al., 2003) dhe statistikat e thjeshta, të kuptueshme, niveli i spitaleve, aktiviteti i mjekëve do të ndikojnë në përzgjedhjen e pacientëve të spitaleve apo mjekëve
(Chassin et al., 2002).
Mungesa e vetëdijes për ekzistencën e informacionit të performancës, mungesa e informacionit të performancës me interes të veçantë për konsumatorin, vlefshmëria dhe besueshmëria e diskutueshme e masave të zgjedhura dhe burimeve të të dhënave bazë janë hapa që duhet të rishikohen (Hibbard et al., 2001). Përfitimi i madh i raportimit publik do të ndikojë në sjelljen e pacientit, dhe do t’i motivojë ata për të arritur sigurinë dhe cilësine. Motivimi vepron nëpërmjet shpërblimeve të qarta dhe ekspozimit publik të angazhimeve të përbashkëta profesionale dhe organizative. Ajo pranon se ndryshimi është në thelb i vështirë dhe se sistemi i kujdesit shëndetësor mund të ketë nevojë për një shtresë të jashtme për të nxitur ndryshimet e brendshme. Strukturat e kujdesit shëndetësor, shprehin një dëshirë të sinqertë për të ofruar kujdesin më të mirë të mundshëm për pacientët e tyre, ata janë të shqetësuar për sigurinë dhe cilësinë e pacientit./ Shendeti.com.al

