Dr. Valdete Malaj, mjeke gastrohepatologe
Tashmë pranohet gjerësisht e pa asnjë mëdyshje se diabeti i sheqerit i tipit 2 përbën një prej problemeve më madhore të shëndetit publik në mbarë botën, e është cilësuar me plotë të drejtë si epidemia e shekullit. Prevalenca e tij në popullatën e përgjithshme është vërtet tronditëse. Steatoza (dhjamosja) jo-alkoolike e mëlçisë vlerësohet praktikisht si ndërlikimi më i njohur dhe më i shpeshtë i të sëmurëve me diabet të tipit 2, duke prekur konkretisht 40 – 70 % të tyre.
Para vitit 1980, steatoza hepatike u gjet e pranishme dhe u konfirmua përmes biopsisë hepatike në të sëmurët obezë.
Steatoza jo-alkolike e mëlçisë vlerësohet tashmë si sëmundja më e zakonshme e mëlcisë, duke u hasur konkretisht në gati 10-20% të popullatës në mbarë botën. Edhe pse ajo takohet para së gjithash në të rriturit e dekadës së katërt deri në atë të gjashtën, steatoza jo-alkolike e mëlcisë po prek gjithmonë e më shumë dhe moshën pediatrike . Studime të shumta epidemiologjike kanë bërë të qartë se prevalence e steatozës jo-alkolike e mëlçisë është pak a shumë e njëjtë si në meshkuj ashtu edhe në femra, me një preferencë të lehtë për të parët.
Një nga aspektet e rëndësishme klinike e praktike është pikërisht ajo që ka të bëjë me lidhjen e ngushtë të steatozës jo-alkolike të mëlçisë me sindromën metabolike. Kështu, tashmë është konfirmuar se shumica e të sëmurëve obezë, apo e atyre me diabet, paraqesin të dhëna për steatozë joalkolike të mëlçisë. Për më tepër, është demostruar katërcipërisht se obeziteti paraqitet si një faktor i zhvillimit të fibrozës së avancuar hepatike. Kështu, steatoza jo-alkolike e zbuluar përmes ekzaminimit ekografik , shkonte paralel me shkallën e obezitetit, duke qenë më e pranishme dhe më e theksuar në obezët e shkallës së III. Nga ana tjetër u dëshmua se në këtë grup të sëmurësh steatoza jo-alkolike e mëlçisë lidhej me rezistencën insulimike dhe nivelin e ferritinës në serum.
Pavarësisht nga shkaqet e shumtë, shkaktarët më të rëndësishëm e më të zakonshëm të steatozës jo-alkoolike të mëlcisë janë ato që kanë të bëjnë me çrregullimet metabolike, konkretisht:
obeziteti
diabeti i sheqerit
hiperlipidemia
Konkretisht, sëmundja e steatozës jo-alkoolike të mëlcisë haset në rreth 80 % të personave obezë, me një korelacion madje të padiskutueshëm ndërmjet BMI (Body mass index) dhe shkallës së steatozës e dëmtimeve hepatoqelizore. Po në këtë kuadër, fakt i rëndësishëm e që duhet të kihet gjithmonë parasysh është rëndësia e madhe e shpërndarjes dhe përqëndrimit te masës dhjamore,madje shumë më e rëndësishme se masa e përgjithshme yndyrore e organizmit.
Një tjetër situatë metabolike përgjegjëse për zhvillimin e steatozës jo-alkoolike të mëlcisë është diabeti i sheqerit, madje i shoqëruar apo i pashoqëruar me obesitet. Kështu, prania e sëmundjes në fjalë në të sëmurët me diabet sheqeri tipi 2 apo tolerancë të thyer të glukozës luhatet nga 20-30 % deri në 70-75 %. Për më tepër, rrezik i kalimit të steatozës jo-alkoolike të mëlçisë në steatohepatitin jo- alkoolik është 2-3 herë më i madh në diabetikët sesa në personat e tjerë pa diabet. Sai përket këtij problemi duhet theksuar gjithashtu se steatoza jo-alkoolike e mëlçisë së këtyre personave diabetikë shoqërohet me rezistencë insulinike periferike dhe hiperinsulinemi edhe në personat nën peshë, madje edhe me tolerancë normale të glukozës.
Diagnoza e steatozës jo-alkoolike të mëlçisë arrihet pas përjashtimit të të gjitha situatave të tjera klinike që shoqërohen me rritje të nivelit të transaminazave në serum apo çrregullime të provave biokimike të dëmtimit të mëlçisë dhe të dhënave karakteristike të përftuara nga ekzaminimet e ndryshme imazherike. Sëmundja në fjalë përgjithësisht zbulohet pas konstatimit të rastësishëm të hepatomegalisë e të çrregullimit të testeve biokimike të çrregullimit të mëlçisë. Në shumicën dërrmuese të rasteve të sëmurët janë krejtësisht asimptomatikë dhe identifikohen si të tillë pas një ekzaminimi imazherik të kryer për motive të tjera.
Herë të tjera të sëmurët mund të ankohen për dhimbje të lehta të përqëndruar në kuadratin e sipërm të djathtë të abdomenit, të përziera dhe simptoma të tjera aspak specifike të lidhura me tubin tretës. Në rastet e progresit të steatozës drejt cirrozës hepatike , të sëmurët paraqesin natyrshëm shenjat e simptomat domethënëse të sëmundjes kronike të mëlçisë sikurse formacionet yllore në lëkurë, palmat hepatike, ikter etj.
Tani për tani nuk ekziston asnjë tregues biokimik që të konfirmojë diagnozën e steatozës jo-alkoolike të mëlçisë të jetë në gjendje të dallojë atë prej steato-hepatit apo cirrozës hepatike.
Problemet shumëdimensionale shëndetësore të diabetit të sheqerit Tip 2 nuk janë pasojë e të lidhura drejtpërsëdrejti me vetëm këtë sëmundje, por ato kanë të bëjnë me gërshetimin e tij me problemet e tjera madhore të nxitura e të ndërlikuara nga obeziteti dhe sëmundja iskemike e zemrës. Në fakt, diabeti i sheqerit Tip 2 shihet e vlerësohet tashmë me plot të drejtë si manifestim i sindromës metabolike dhe shoqërohet me një sërë patologjish të tjera përfshi këtu steatozën dhe steato-hepatitin jo-alkoolike të mëlçisë. Konkretisht, të dhëna të shumta dëshmojnë tashmë qartazi se të sëmurët me diabet sheqeri tip 2 karakterizohen nga prania e njëkohshme e rezistencës insulimike periferike dhe e pamjaftueshmërisë relative e sekretimit të saj, duke përbërë kësisoj rrezik madhorë të zhvillimit dhe të progresionit të steatozës jo-alkoolike drejt steatohepatitit jo-alkoolik.
Prevalenca e steatozes hepatike në të sëmurët me diabet tip 2 është shumë më e lartë se në popullatën tjetër dhe se mosha dhe obeziteti janë faktor të rëndësishëm të zhvillimit të saj./ Shendeti.com.al


