Vështrim mbi veprimtarinë e organizatave që punojnë në bazë, të mbështetura nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Radikalizimi dhe ekstremizmi duket se janë koncepte të paqartë. Këto terma shfaqen në media në mënyrë të përditshme dhe fenomenet që ato përfaqësojnë po luftohen përmes projektesh të shumta, por a e kuptojmë se çfarë fshihet pas këtyre termave ndërkombëtarë shumë të lakuar të përmendur më lart? A i përkasin ato të kaluarës përderisa fenomeni i nisjes së luftëtarëve të huaj nga Shqipëria ka reshtur së ekzistuari? Do të ishte e lehtë të thuhet se Shqipëria është tani në udhë të mbarë. Nga 150 qytetarë shqiptarë që morën rrugën për në Siri ose Irak, vetëm rreth 40 prej tyre janë rikthyer në Shqipëri dhe ata nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë. Për më tepër, nuk ka pasur raste të shtetasve shqiptarë të gatshëm të largohen dhe të luftojnë në një konflikt të huaj gjatë vitit të kaluar. A do të thotë kjo se ky fenomen i përket të kaluarës dhe pikëpamjet e radikalizuara nuk janë më kërcënime reale në Shqipëri?
‘Le të mos kërkojmë ta shuajmë etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e mërisë dhe e urrejtjes.’
(Martin Luter King i Riu.)
Për të kuptuar më mirë fenomenin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe për të transferuar njohuritë përkatëse tek shoqëria shqiptare, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka zbatuar një projekt të titulluar: “Shoqëria Civile kundër Ekstremizmit të Dhunshëm“, financuar nga BE i cili synonte të rriste kapacitetet e veprimtarëve të shoqërisë civile për të luftuar dhe për t’iu kundërvënë ekstremizmit të dhunshëm në të gjithë Shqipërinë. 20 organizata joqeveritare realizuan projekte interesante në komunitetet e tyre përkatëse në 11 qytete të ndryshme. Në punën e tyre, ato mund të mbështeteshin në Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit të saj (miratuar në nëntor 2015) ku arsimi, puna në komunitet dhe angazhimi, janë renditur si prioritete. Bazuar në komentet e organizatave të përfshira, ne dëshirojmë të paraqesim disa histori suksesi që mbështesin përkatësinë e këtyre projekteve në Shqipëri dhe në komunitetet vendore.
Një OJQ në zhvillim e sipër e quajtur Perspektiva, (emri përshkruan në mënyrë të përkryer frymën e saj) realizoi një projekt që përqendrohet tek të rinjtë në zonat e Dibrës, Elbasanit dhe Kukësit, tek pikërisht ato zona të cilat janë prekur më shumë nga dukuria e radikalizimit. Aktivistët nga Perspektiva trajnuan të paktën 60 të rinj në përkufizimin, luftimin dhe parandalimin e gjuhës së urrejtjes, propagandën e dhunshme si në internet, ashtu edhe në botën fizike, ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin. Për më tepër, ata morën një qasje krijuese për thurjen e kundër-argumenteve ndaj mendimeve radikale, si p.sh. me video, seminare, ose kolazhe fotografish. Këto mjete kishin një potencial të madh për të grishur imagjinatën dhe të menduarit e të rinjve. Të rinjtë e treguan veten shumë të angazhuar dhe entuziastë për të gjitha veprimtaritë. Sipas Luis Bekteshit, një lider karizmatik i Perspektivës i cili gjithmonë është buzagaz, shumë të rinj nga këto zona tashmë ose kishin përjetuar ndonjë formë të ekstremizmit të dhunshëm apo radikalizimit, ose e kishin pikasur atë në rrethin e tyre të ngushtë. Për këtë arsye, interesi i tyre rezultoi mjaft i fortë. Për më tepër, pas trajnimit, shumica e pjesëmarrësve deklaruan se do të mirëprisnin vazhdimin e trajnimit me qëllim që të fitonin njohuri dhe shkathtësi më të mëdha. Ata janë të mendimit se nuk është bërë sa duhet në komunitetet e tyre dhe se do të dëshironin të vazhdonin me punën e tyre kreative që synonin fenomenin social. Luisi sugjeron se do të ishte mirë të arrinte një hapësirë më të gjerë gjeografike dhe të shpërndante fondet e nevojshme edhe për ata pjesëmarrës aktivë që dëshirojnë të ndjekin aktivitetet e iniciuara në të ardhmen. Të rinjtë, në kushtet e mungesës së financimeve, e gjejnë veten në një pozitë mjaft të vështirë për sa i takon avokimit për një ndryshim të qëndrueshëm dhe për të ndikuar në komunitetet e tyre përkatëse.
OJQ-ja Rrjeti i Informacionit dhe Qytetaria Aktive (RrIQA) nga Elbasani, përdori një metodë me promovimin e shembujve pozitivë brenda feve më të rëndësishme në zonat e Dragostunjës, Librazhdit dhe Cërrikut. Për shkak të pozicionit të izoluar gjeografik të këtyre zonave dhe manifestimeve të Islamit radikal atje, ato tërhoqën vëmendjen në vitin 2014 duke qenë se disa banorë të zonës kishin shkuar në Siri. Përmes projektit të tyre, Fatbardha Nergjoni dhe kolegët e saj kanë ndikuar tek më shumë se 130 të rinj që morën pjesë në takimet me njerëz të cilët janë shembuj pozitivë të fesë islame, konkretisht: një mjek, një punonjës social i angazhuar në shoqërinë civile, një nxënës i shkollës së mesme, një mësues i arsimit të posaçëm dhe një specialist i harmonisë ndërfetare. Të gjithë këta njihen si praktikantë aktivë të besimit islam dhe gëzojnë një reputacion shumë të mirë në komunitetet e tyre. Sipas Fatbardhës, pikërisht ky kombinim i trajnerëve dhe shembujve pozitivë të zonës, ka dhënë fryt në rritjen e kapaciteteve të të rinjve për të trajtuar fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm. Përveç kësaj, ajo e konsideron takimin në Dragostunjë si më të suksesshmin, duke nxjerrë në pah mundësinë për të qenë hapi i parë në ndërtimin e një dialogu fetar të munguar në atë zonë. Sipas Fatbardhës, mikpritja e banorëve dhe dëshira për të ndryshuar imazhin e zonës, ishin shumë mbresëlënëse. Bashkëpunimi me Qendrën për Bashkëpunim Ndërfetar ishte një zgjedhje e shkëlqyer pasi i dha RrIQA-s mundësinë që të përfshijë trajnerë dhe ekspertë edhe nga komunitetet katolike dhe ortodokse. Po në lidhje me zgjerimet e mundshme të projektit? Fatbardha mendon se do të ishte e shkëlqyer të organizoheshin tryeza të përbashkëta të imamëve, praktikuesve dhe mbështetësve duke përfshirë edhe ata që duken të vetë-izoluar e që ndjekin një rrymë të caktuar të Islamit që nuk është tradicionale në Shqipëri. Për më tepër, përfshirja e familjeve të prekura drejtpërdrejt nga lufta në Siri, mund të jetë një hap i vlefshëm.
OJQ-ja Unë, Gruaja me bazë në Pogradec, realizoi një projekt që synonte veçanërisht nxënësit e shkollave të mesme në zonat rurale të Pogradecit. Ata krijuan klubet e debatit dhe përdorën letërsinë dhe mediat sociale për të angazhuar të rinjtë në diskutime më të thella rreth fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, bullizmit, dhunës verbale, menaxhimit dhe zgjidhjes së konfliktit, si dhe përjashtimit social të të rinjve. Unë, Gruaja kërkoi bashkëpunim me Zyrën e Arsimit në Pogradec, e cila i këshilloi ata që ta paraqesin temën me butësi pasi ajo temë ka ndjeshmëri të lartë, veçanërisht në zonën e Pogradecit. Unë, Gruaja nuk synonte të krijonte pështjellim apo konflikt në komunitet, kështu që përfaqësuesit e tyre e studiuan këtë dukuri me shumë kujdes para vënies në zbatim të projektit. Për këtë arsye, Unë, Gruaja dëshironte kryesisht që të rinjtë të kuptonin dhe të përshtatnin kulturën dhe aftësitë e zgjidhjes paqësore të konflikteve. Gjithsej, 360 të rinj u përfshinë në projekt dhe shumë prej tyre qenë shumë aktive në formësimin e ideve dhe krijimeve të tyre artistike brenda kësaj teme: për shembull, artikuj, ese, fotografi të botuara më vonë në faqen e internetit.
OJQ-ja Njerëz në Fokus e realizoi projektin në komunën Has. Aktivistët organizuan një sesion trajnimi për të rinjtë me qëllim përmirësimin e aftësive dhe të njohurive të tyre rreth elementëve të ekstremizmit, qytetarisë aktive, të menduarit kritik, tolerancës ndërkulturore dhe rolit të komunitetit në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Të rinjtë morën gjithashtu pjesë në fushatën e ndërgjegjësimit si në internet, ashtu edhe në botën fizike. Përveç kësaj, Njerëz në Fokus zhvilloi një studim mbi praninë e perceptuar të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në atë bashki. Duke përdorur një pyetësor, janë realizuar gjithsej 123 intervista në zonat urbane dhe rurale të Hasit. Njerëzit në fokus paraqitën rezultatet e studimit në një seancë publike. Gjetja më e habitshme ishte se edhe pse 26% e qytetarëve të intervistuar pranuan se fenomeni ekzistonte në komunitetin e tyre, shumë qytetarë në seancë shprehën mosmarrëveshjen e tyre me këtë deklaratë dhe nuk miratuan rezultatet e anketës. Nga ana tjetër, aspekti më pozitiv i projektit ishte angazhimi dhe interesi i madh i pjesëmarrësve, si dhe interesi i publikut i cili tejkalonte pritshmëritë e organizatorëve.
Bazuar në shembujt pozitivë të përmendur më lart, ne shohim nevojën dhe arsyet për projekte të mëtejshme mbi radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri, duke shkuar në nivel vendor e duke u shtrirë më thellë. Mediat sociale janë një tokë e frytshme për përhapjen e gjuhës ose propagandës së urrejtjes dhe të rinjtë përbëjnë grupin më të prekshëm, kështu që ata duhet të pajisen me metoda dhe mjete për ta trajtuar atë. Përveç kësaj, një situatë e keqe socio-ekonomike dhe papunësia e lartë mund t’i shtyjnë të rinjtë që të kërkojnë forma jokonvencionale për të arritur qëllimet e tyre, duke përfshirë këtu edhe mjete të dhunshme. Edhe pse Shqipëria është krenare për harmoninë e saj ndërfetare, kjo nuk duhet të merret si e mirëqenë. Për ta thënë thjesht, harmonia ndërfetare është gjithashtu një proces i vazhdueshëm dhe i pafund që duhet të kultivohet gjatë gjithë kohës. Leximi, të mësuarit, të menduarit kritik, por edhe etika, të gjitha këto janë aspekte të domosdoshme që ndihmojnë në rezistencën ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe pikëpamjeve të radikalizuara. Gjatë këtij projekti, Komiteti Shqiptar i Helsinkit së bashku me partnerët e tij, punuan me komunitete në 23 qytete dhe 30 fshatra në mbarë Shqipërinë për të promovuar tolerancën. Janë përfshirë 6 universitete dhe 64 shkolla, janë organizuar 114 trajnime duke përfshirë këtu 10 trajnime për 220 punonjës të burgjeve dhe 13 forume të hapura. Së fundi, gjithsej 11 409 vetë morën pjesë drejtpërdrejt në këtë projekt. A është tërë kjo e mjaftueshme?
*Veronika Kusyova, Këshilltare e Jashtme e projektit “Shoqëria Civile kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e autores dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

