“Çmoj dhe dua të ruaj në vetvete maturinë dhe vetëpërmbajtjen. Maturia prodhon gjithmonë vendime të sigurta e të duhura, ndërsa vetëpërmbajtja na mban gjithmonë me këmbë në tokë, larg delirit, kultit të vetëkënaqësisë që të shkëpusin nga realiteti dhe të bëjnë një person pa vlerë dhe qesharak në punë, shoqëri e familje”
Ndërsa flet për “Shëndet+” Denis Dyrnjaja (drejtor i “Sport News” në “Digitalb”) e prezanton veten me fjali të shkurtra, të thjeshta dhe modeste, ndërsa vijon me një intervistë të gjatë dhe përgjigje interesante. Lexohet qartësisht që pika e tij më e fortë dhe më e dobët njëkohësisht janë bashkëshortja dhe vajza Noara. I pyetur për gatimin, dashurinë, dietat, marrëdhënien me spitalet, për arritjet dhe dështimet e tij, Denisi duket sikur e zgjedh çdo përgjigje për të treguar profilin korrekt me të cilin e njohin të gjithë njerëzit.
Cili është Denisi jashtë televizionit?
Një individ si shumë të tjerë, me një ditë të ngarkuar, e shoqëruar nga sekuancat e gëzimit, mërzisë, stresit, por dhe kenaqësisë.
Cili është mëngjesi yt rutinë? Cili do të ishte mëngjesi yt ideal?
Mëngjesi më gjen në shtëpi me familjen time, bashkëshorten dhe vajzën time që për fat na zgjon gjithmonë me hare. Nuk kam iluzione për ndonjë mëngjes imagjinar. Më pëlqn të jetoj realitetin, atë që në fakt kam aktualisht .
Jashtë shtëpisë, cili është vendi i preferuar për kafen e mëngjesit?
Nuk kam një vend të preferuar për kafenë e mëngjesit, sepse nuk pi as kafe, as cigare, ndaj dita nis me punë, jo me kafe (qesh)
Cilat janë pasionet tuaja? Është gatimi njëri prej tyre?
Po e nis nga pyetja juaj e dytë përgjigjen. Gatimi nuk është një pasion imi i mirëfilltë, por nëse është rasti dhe kur më duhet ta bëj, fantazia dhe përkushtimi nuk mungon. Ndërsa përsa i përket pjesës tjetër, si gustator i gatimit jam shumë i interesuar dhe i vëmendshëm, madje edhe për detajet më të imta.
Fton apo të ftojnë më shpesh për dreka?
Nuk i numëroj rastet, ftoj dhe më ftojnë shpesh gati për çdo ditë, por drekat janë të kushtëzuara nga angazhimet në punë, kështu që janë darkat ato që marrin më shumë përparësi.
Thonë se dashuria vjen nga stomaku… Vlen vetëm për një mashkull?
Nuk mund të marr përsipër të flas në emër të të gjithë gjinisë që i përkas, por po përpiqem të aludoj duke thënë se nëse një femër ëndërron të ketë çdo ditë një palë këpucë të reja të bukura, një mashkull preferon çdo ditë një tryezë të shtruar bukur e me ushqim të shijshëm. Kënaqësia prodhon kënaqësinë, është proces zinxhir logjik, prandaj besoj ka dalë edhe thënia që dashuria kalon nga stomaku.
Po dashuria e një femre si fitohet, sipas jush? Ju është dashur të gatuani për të fituar zemrën e bashkëshortes suaj?
Jo, nuk më është dashur të gatuaj, por më është dashur të bëj pjatalarësin (qesh). Bëj shaka, edhe pse e kam bërë në ndonjë rast vërtet. E kam fjalën për futjen e pjatave në lavastovilje. Gjithsesi nuk ka qenë kriter gatimi për të marrë lejekalimin sentimental.
Nëse do të organizonit një darkë romantike, çfarë do të kishte në tavolinën e ngrënies? Po nëse do të shkonit për piknik?
Një tryezë të shtruar estetikisht bukur, me dominancë të ngjyrës se vishnjes së errët.
Menuja: Sallatra, djathra e proshuta të shumëllojshme
Pija: Vera e kuqe. Unë preferoj në veçanti vreshtin që prodhon kabërnet. Piknikun nuk e preferoj. Nuk më pëlqen të ha lëndinave e të fle çadrave.
Çfarë mendimi keni për femrat që janë të fiksuara pas dietave?
Jam kundër ekstremeve. Një abuzim nuk mund të rregullohet me një tjetër abuzim. Nesë ke arritur në mbipeshë, ke arritur me abuzim ushqimor dhe kjo nuk duhet rregulluar me receta që dëmtojnë shëndetin. Mendoj se korrektimi i mbipeshës duhet të rregullohej me aktivitet fizik (sport) kryesisht dhe korrigjim të mënyrës së të ushqyerit në cilësi e sasi.
A lexon libra shëndeti? Po rubrikat e dietave i ndiqni ndonjëherë?
Nuk lexoj libra shëndeti, por lexoj shumë info që lidhen me shëndetin, dëmet apo të mirat që mund t’i shkaktojmë vetes nga ato me çfarë ushqehemi e si ushqehemi dhe këto informacione janë të përhapura masivisht tashmë në rrjete sociale, faqe interneti etj.
Cila është marrëdhënia me spitalet? A bëni analiza rutinë? Spitale private apo shtetërore?
Prej vitesh tashmë kontrollet shëndetësore janë periodikë. Jam shumë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm ndaj shëndetit. Personalisht i kryej kontrollet në spitale private. Fatmirësisht edhe institucioni ku punoj është tepër korrekt dhe na krijuar mundësi që të kryejmë kontrolle shëndetësore edhe nga kompania.
Çfarë duhet të bëjë një njeri për të mbajtur në formë trupin e tij?
Çështja e formës së trupit është çështje gjenesh dhe metabolizmi dhe në një kuptim edhe fati prej trashëgimisë që e ke nga paraardhësit. Por insistoj që mundësia për të mbajtur një trup në formë është ushqimi larg yndyrnave të mbingopura, siç u thonë në gjuhën mjekësore produkteve me prejardhje shtazore dhe mbajtja kryesisht larg e friturës dhe tiganit. Aktivitet fizik e sport sa më shumë, aq më mirë.
Kadare këshillon se në jetën e përditshme njeriu ka nevojë për një filxhan shkencë, një shishe kujdes dhe një oqean durim. Po në jetën tuaj për çfarë keni pasur nevojë më tepër?
Nuk gjendem shumë komod të vazhdoj referencën e të madhit Kadare. Por unë personalisht çmoj dhe dua të ruaj në vetvete maturinë dhe vetëpërmbajtjen. Maturia prodhon gjithmonë vendime të sigurta e të duhura, ndërsa vetëpërmbajtja na mban gjithmonë me këmbë në tokë, larg delirit, kultit të vetëkënaqësisë që të shkëpusin nga realiteti dhe të bëjnë një person pa vlerë dhe qesharak në punë, shoqëri e familje. Do të doja që mos humbisja kurrë asnjërën prej këtyre dy vetive.
Sa vlen për ju shprehja “Jeto momentin”?
Nëse e transforojmë disi shprehjen “Jeto momentin” në “Beso Momentin” merr një ngjyrim konkret. U kam besuar momenteve të veçanta që kanë sjellë gjëra të rëndësishme për mua. Më pëlqen të pres momentin dhe t’i besoj kur vjen. Është diçka instiktive që lidhet me intuitën personale të çdo individi.
Çfarë ju vë në siklet?
Papastërtia, injorantët dhe servilët. Asnjërën prej tyre nuk toleroj dot. Ata që i përfaqësojnë këto cilësi nuk i honeps dot dhe vërtet më bëjnë të ndjehem në siklet dhe më irritojnë.
Jeni një udhëheqës apo një ndjekës?
Puna që bëj më ka përballur me të dyja sfidat, të jem edhe ndjekës, edhe udhëheqës. Ndihem natyrshëm në të dy rolet.
Çfarë ju pëlqente të lexonit në adoleshencën tuaj?
Adoleshenca ime ka përkuar me ndryshimin e sistemeve në Shqipëri dhe etja per dije ishte e prirur gjithmonë nga publicistika me karakter social-politikë. Besoj se përmendja e emrave do shëmbëllente me një lloj pabesueshmërie , ndaj po e shmang, por mund të them se janë kryesisht autorë amerikanë dhe francezë, sikurse preferoj edhe sot.
Tregoni për një arritje tuajën për të cilën ju jeni shumë krenar?
Kam një përgjigje të thjeshtë dhe të shkurtër për këtë. Përpiqem të bëj sa më mirë punën dhe detyrën që më caktojnë. Puna e bërë mirë, të bën gjithmonë krenar.
Tregoni një rast kur keni gabuar?
Është një rast i përsëritur në disa raste brenda llojit në fakt. Duke qenë tip mosbesues, kam dhënë besim që më është kthyer në zhgënjim, kam parasysh marrëdhëniet punësore.
Cila është puna që ju ëndërroni? Të prezantoni një emision gatimi ndoshta?!
Nuk ëndërroj. Ëndrrat në këndvështrimin tim janë dëshira që nuk ndodhin, nuk realizohen asnjëherë. E thashë diku më lart që i besoj momentit konkret dhe vlerave personale e profesionale. Prania ime në një profil të tillë te kuzhina do të çaloja, do ngjante më shumë si një emision satirik sesa një emision kulinarie. Puna që bëj më pëlqen, ndaj nuk i jap krahë fantazisë.
Cila është mbrëmja e zakonshme në shtëpinë tënde? Po idealja cila do të ishte?
Mbrëmjet e mia nuk janë të zakonshme në fakt, për shkak të angazhimeve punësore. Por në rastet kur mbrëmja më gjen në shtëpi, është një mbrëmje plot zhurmë e hare për shkak të Noarës, vajzës sime të vetme e cila merr vemendjen maksimale timen dhe bashkëshortes sime, Migena. Këto kohë po zgjeroj horizontin tim edhe me Teletabies e disa lloje filmash të tjerë të animuar që vajza i ka qejf. Shtëpia është si një kopsht në fakt, plot lodra dhe atmosferë. Sikurse solla në vëmendje më parë, unë nuk hyj te tipat idealistë, por të pragmatistët. Shijoj atë që kam, jo atë që do të doja të kisha duke mos e pasur.
Një studim i kryer nga “Forumi i Shëndetësisë për Meshkuj” ka treguar se këta të fundit pas martesës mund të ndryshojnë zakonet e të ushqyerit. Ka ndodhur kjo gjë me ju?
Zakonet e të ushqyerit jo, por përmbajtja po. Bashkëshortja përpiqet gjithmonë të bëjë më të mirën, vjehrra na kënaq me gatimet e saj, por si gatimi i nënës nuk ka.
Kush është njeriu i fundit që i thua “Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël”?
Nuk ka një urim rutinor. Herë më takon t’ua them mijëra shqiptarëve nga ekrani natën vonë e herë njerëzve të mi të shtrenjtë: bashkëshortes dhe vajzës. E rëndësishmë është që në të dy rastet e them brenda familjes së ngrohtë, familjes shqiptare!


