Gjermania: Maskat mbrojtëse do të duhen deri në “pranverën e vitit 2022”

Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn parashikon masa të reja: Personat e vaksinuar duhet të vazhdojnë të mbajnë maska. Ata që nuk janë vaksinuar mund të përjashtohen nga gastronomia. Në Ministrinë Federale të Shëndetësisë mendojnë se për përballimin e suksesshëm të një vale të re të mundshme të pandemisë Corona nevojiten edhe masa të reja. Tanimë po flitet shumë për valën e katërt, ndonëse shpresohet se efekti i saj do të jetë shumë më i dobët.

Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn ka hartuar një dokument për masat e parashikuara, të cilin e ka dërguar në Bundestag. Përveç rritjes së numrit të të infektuarve gjatë udhëtimeve jashtë vendit, kohët e fundit edhe popullata po sillet në kontakte me të tjerët pothuajse sikur para pandemisë, thuhet në këtë dokument.

Për më tepër, në vjeshtë dhe dimër pritet edhe shtimi i virusëve sezonalë, si dhe rritja e problemeve me virusin Corona.

Krahas shtimit të numrit të të vaksinuarve, distanca, higjiena dhe mbajtja e maskës vazhdojnë të mbeten ndër masat elementare të mbrojtjes nga pandemia. Maskat duhet të mbahen gjithandej ku takohen shumë njerëz në hapësira të mbyllura. Spahn thotë se maskat mbrojtëse do të duhen deri në “pranverën e vitit 2022”, veçanërisht në trafikun publik dhe në distanca të gjata, si dhe në dyqane.

Maska duhet të mbajnë të gjithë, përfshirë këtu edhe ata që janë shëruar dhe që janë vaksinuar, sepse edhe ata mund të infektohen dhe të transmetojnë virusin, thuhet në dokument. Ekspertët në veçanti paralajmërojnë nga varianti Delta.

Rregullat

Ministria e Shëndetësisë shpjegon më tej se vaksinimi dhe testimi mund të parandalojnë futjen në objekte të mbyllura të personave të infektuar.

“Prandaj, prej fillimit apo mesit të shtatorit, varësisht nga gjendja, do të kërkohet respektimi i rregullit 3-G në organizime të caktuara, që do të thotë se në aktivitete psh, mund të marrin pjesë vetëm personat e vaksinuar, shëruar apo të testuar”.

Në dokument thuhet se këto rregulla do të mundësojnë futjen në restorante, akomodimin në hotele, shërbimet e afërta trupore, sportet dhe aktivitetet brenda si dhe pjesëmarrjen në aktivitetet e mëdha brenda dhe jashtë.

Ministria synon të heqë testet e shpejta falas në mes të tetorit. Meqenëse tani mund t’u bëhet një ofertë e drejtpërdrejtë e vaksinimit të gjithë qytetarëve, atëherë nuk është në rregull që taksapaguesit të paguajnë kostot e testeve për ata që nuk duan të vaksinohen, citon gazeta “Süddeutsche Zeitung” pjesë nga raporti.

 

Postime të ngjashme

Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë