Rubensa Sanka
Menaxhimi i mbetjeve për qytetin e Tiranës është një problem madhor që po vjen si një uragan dhe papritur do të na pushtojë nëse na gjen të papërgatitur. Bashkia e Tiranës, nga ana tjetër, ka prezantuar së fundmi në takimin me shoqërinë civile, ekspertë të fushës, dhe përfaqësues të Bankës Botërore projekt propozimin për menaxhimin e integruar te mbetjeve.
Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kërkon thjesht një firmë nga qeveria për të vënë në zbatim projektin që, sipas tij, do të shpëtojë
Tiranën.
Por, a mund të zgjidhet ky problem kaq thjesht?
Aktualisht qyteti i Tiranës gjeneron 250 mijë ton/vit mbetje të cilat grumbullohen në 3000 kontenierë dhe transportohen nga një flotë prej 125 automjetesh. Gjashtë komuna (Vorë, Dajt, Paskuqan, Farkë, Kashar dhe Vaqar) depozitojnë mbetjet në Sharrë. Nga këto, 800-900 ton mbeturina që do të thotë 1000 m3 depozitohen çdo ditë në venddepozitimin e Sharrës. Nga të cilat 60% janë të riciklueshme dhe 40% depozitohen në landfill.
Pra, 510 ton mbetje shkojnë për riciklim dhe 340 ton në landfill. Por mungesa e një plani menaxhimi ka bërë që sot 30% e kontenierëve të jenë shkatërruar, mbeturinat nuk mblidhen rregullisht, vërejmë në zona informale dhe në landfill djegie të jashtëligjshme të mbetjeve, si dhe mosfunksionim të mjeteve të punës në Sharrë.
Banorët e zonës janë ngritur në protesta disa herë për shkak të shqetësimeve shëndetësore. Ata shprehen se kanë vështirësi në frymëmarrje për shkak të gazrave të dëmshëm që çlirohen në atmosferë. Sipas kushteve teknike, landfilli duhet të mbulohet në fund të ditës me shtresë dheu ose materiale speciale, pikërisht për të mos lejuar aromat e këqija, afrimin e vektorëve të ndotjes, si: minjtë, insektet etj. Por asnjë nga këto kushte nuk është zbatuar dhe pasojat i vuajnë banorët që zgjohen çdo ditë me erën e metanit.
Gjithashtu, shllami ose uji që drenon nga mbetjet nuk trajtohet, por derdhet në lumin Erzen duke e ndotur atë. Shllami përmban elemente organike në nivele të larta, si: azoti, fosfori, aminoacide, yndyrna, si dhe metale të rënda si kadmium, plumb, arsenik etj. të cilat dëmtojnë ekosistemin ujor duke rritur nevojën biologjike për oksigjen. Pasi janë bërë analizat fiziko-kimike është vërejtur që uji i lumit Erzen ka parametra të lartë ndotje mbi normën e lejuar.
Afati kohor i përdorimit të landfillit duhet të ishte shtatë vjet, por duke qenë se në të nuk depozitohen vetëm mbetjet organike, por edhe mbetje të tjera, është llogaritur që ka ngelur dhe 1 vit e gjysmë kohë para se landfilli i Sharrës të mbyllet! Çfarë do të ndodhë më pas? Ku do të shkojnë mbetjet?
Bashkia e Tiranës së fundmi ka prezantuar projektin për menaxhimin e integruar të mbetjeve me një investim prej 23.5 milionë euro ku përfshihet mbyllja e qelizave ekzistuese, ndërtimi i një landfilli të ri, blerja e një flote të re mjetesh për mbledhjen dhe depozitimin e mbetjeve. Landfilli i ri do të ndërtohet ngjitur me landfillin e Sharrës me përmasa afërsisht sa dyfishi i tij. Do të kontraktohet një kompani koncesionare që do të mundësojë mbledhjen e mbetjeve, transportin dhe depozitimin në landfill.
Në vitin e parë të punës do të mbulohen me kontenierë nëntokësorë zona e unazës së vogël të Tiranës. Parashikohet ndarja në dy burime e mbetjeve: mbetje të ngurta dhe organike. Brenda tre viteve do të mbulohet me kontenierë gjithë qyteti i Tiranës. Koncensioni do të jepet për një periudhë 25-vjeçare. Për fillimin e këtij projekti bashkia kërkon nga Ministria e Financave të aprovojë këtë projekt sa më parë.
Nga ana tjetër, nuk kemi ende asnjë qëndrim nga qeveria në lidhje me këtë propozim. Konfliktet partiake vazhdojnë dhe po prekin edhe çështje me rëndësi të përbashkët për secilin prej nesh siç është menaxhimi i integruar i mbetjeve.
Po pas 25 vjetësh çfarë do të ndodhë? A do të vazhdojmë të ndërtojmë landfille të tjera? A i kemi ne hapësira tokësore aq të mëdha sa për të përballuar këtë lloj teknologjie? Pas disa projekteve pilot në Lezhë dhe Fier ndarja e mbetjeve rezultoi si jo e suksesshme pasi shoqëria nuk është ende e sensibilizuar për të bërë ndarjen e mbetjeve në burim.
Ne duhet të fillojmë planin e menaxhimit që nga ky problem duke hartuar mënyra sesi t’i sensibilizojmë qytetarët të ndajnë mbetjet duke iu treguar të mirat që ata do të kishin nga ky proces. Për shembull çdo mininjësi bashkiake mund të organizoje takime me qytetarët duke i shpjeguar procesin me detaje në mënyrë që edhe ata të jenë të vëmendshëm për këtë problem madhor për të gjithë ne.
Gjithashtu, keqmenaxhimi i landfillit është një problem tjeter që vjen për shkak se nuk punësohen ekspertë të fushës, por punëtorë të thjeshtë pa edukimin përkatës.
Nga ana tjetër Bashkimi Evropian nuk do të japë më fonde për ndërtim landfillesh. Këshillohet ndarja, riciklimi, ripërdorimi dhe më pas djegia e mbetjeve në incenerator. Pasi ai zë hapësira më të vogla, bën të mundur minimizimin e volumit të mbetjeve duke i kthyer ato në humus, i cili pas një trajtimi dytësor mund të përdoret për bujqësi, si dhe gjeneron energji elektrike. Për eliminimin e grimcave volatile që çlirohen në atmosferë përdoren filtrat e teknologjisë së fundit të cilat jo vetëm i kapin këto grimca, por bëjnë që ajri të çlirohet në atmosferë me një cilësi të lartë. Shembuj mjaft të mirë kemi Italinë, ku inceneratorët kanë një efiçencë të lartë si nga pikëpamja energjitike, ashtu edhe për sa i takon cilësisë së ajrit që çlirohet nga djegia. Është e vërtetë që investimi fillestar do të na kushtojë më shumë, por ama do të ngelet edhe për brezat e ardhshëm.
Shqipëria nuk duhet të vazhdojë të marrë vendime të gabuara dhe më pas t’i rikthehet rikuperimit të dëmit që është shkaktuar. Kosto më të lartë ka rehabilitimi i një dëmi mjedisor sesa investimi fillestar në teknologji. Mijëra hektarë tokë nuk do kthehen më në gjendjen fillestare, por do ngelen si vendgroposje pa pasur mundësinë e shfrytëzimit për bujqësi apo blegtori. Si vend kandidat për Bashkimin Evropian duhet të tregojmë se ne dimë të bëjmë zgjedhjen e duhur. Qeveria duhet të reagojë sa më parë duke u ulur në një tryezë të përbashkët me bashkinë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, pasi ditët kalojnë dhe mbetjet do na pushtojnë duke na gjetur të papërgatitur!
*** Këto informacione mbështeten nga programi SENiORA-a drejtuar nga REC, rrjeti ECIM, grupim i shoqatave mjedisore, duke vijuar denoncimin e masakrave mjedisore


