Si duhet të përballet Europa me Covid-19? Një valë e katërt po shkakton panik dhe ka turbulluar strategjitë
Gjatë viteve të ardhshme, Covid-19 me siguri do të kthehet në një sëmundje sezonale, ndoshta ende një kërcënim vdekjeprurës për të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, por për të gjithë të tjerët, nuk do të jetë më një shqetësim, shkruan The Economist.
Megjithatë, Europa po zbulon se arritja në këtë pikë, nuk do të jetë aspak e lehtë. Bashkimi Europian po regjistron gati një çerek milion raste në ditë, niveli më i lartë që nga fillimi i pandemisë. Njëmbëdhjetë muaj pas nisjes së vaksinimit, repartet e kujdesit intensiv në disa rajone tashmë janë pothuajse plot. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi këtë javë se 700,000 europianë të tjerë mund të vdesin deri në mars.
Mes alarmit në rritje, qeveritë po vendosin sërish masa kufizuese. Austria është bërë shteti i parë i pasur që u ka kërkuar të gjithë qytetarëve të saj të vaksinohen, ose ndryshe do të gjobiten; Gjermania mund të ndjekë të njëjtin shembull. Demonstruesit po dalin nëpër rrugë për të protestuar kundër kufizimeve të reja, në vende si Holanda, Belgjika dhe Italia. Me përhapjen e sëmundjes, ka një konfuzion mbi idenë se çfarë masash kufizuese janë të justifikueshme për të ngadalësuar përhapjen e virusit.
Për të përballuar një valë të katërt, fillimisht duhet kuptuar se çfarë po e shkakton atë. Covid-19 po përhapet me shpejtësi në Europë, sepse me ardhjen e motit të ftohtë, njerëzit po qëndrojnë më tepër në ambiente të mbyllura, ku virusi mund të përhapet më lehtësisht.
Në BE, rreth 60% e popullsisë mbi 12 vjeç është plotësisht e vaksinuar. Kjo do të thotë se rreth 150 milionë njerëz ende janë të pambrojtur nga virusi, përveç atyre që kanë fituar imunitet pasi janë shëruar nga infeksioni – që në Britani zënë një përqindje të madhe. Ky është një paralajmërim për vende me popullsi të madhe si Kina.
Në të njëjtën kohë, imuniteti fillon të zbehet rreth dhjetë javë pas dozës së dytë. Dozat përforcuese janë me rëndësi jetike, por BE-ja ka qenë e ngadaltë në administrimin e tyre. Në Gjermani, infeksionet po dyfishohen çdo 12 ditë. Një arsye është se, edhe tani, vetëm 8% kanë marrë një dozë të tretë, krahasuar me 23% në Britani.
Siç ndodh shpesh gjatë kohëve të tilla, qeveritë janë kapur në befasi nga rritja eksponenciale e rasteve. Për shkak se po veprojnë me vonesë, ato duhet të përdorin masa më ekstreme. Protestuesit thonë se po shkelen liritë e tyre. Shumë nga ata që refuzojnë vaksinimin, argumentojnë se shteti nuk ka të drejtë t’i detyrojë të vaksinohen.
Këto argumente janë të meta. Tashmë, dy vjet që nga fillimi i pandemisë, është e qartë se sjellja juaj ndikon në shëndetin e të tjerëve. Një person i pavaksinuar ka më shumë gjasa të infektojë njerëz të tjerë. Madje, edhe nëse janë të vaksinuar, disa prej tyre mund të sëmuren rëndë dhe të vdesin — megjithëse një pjesë e vogël.
Nga ana tjetër, nëse shteti nuk bën asgjë, të pavaksinuarit do të mbingarkojnë shërbimin shëndetësor, duke shkaktuar më shumë humbje jete, përfshirë edhe vdekje që nuk kanë lidhje me Covid-19. Dhe nëse qeveritë duhet të përdorin masat kufizuese për të ngadalësuar përhapjen e sëmundjes, personat që nuk duan të vaksinohen po privojnë lirinë e të vaksinuarve.
Ajo çka e bën të vështirë ndërhyrjen e qeverisë nuk është çështja e parimit, por puna praktike e të qenët efektiv dhe proporcional: pra, duhet të dish se çfarë funksionon, me çfarë kostoje dhe si ndryshon kjo nga një vend në tjetrin.
Qëllimi nuk është çrrënjosja e Covid-19, sepse kjo do të ishte e pamundur, por ngadalësimi i përhapjes së tij në mënyrë që rastet të jenë më të menaxhueshme. Rrafshimi i kurbës në këtë mënyrë do të shpëtonte jetë, duke mbrojtur sistemet shëndetësore dhe do të blinte kohë për të administruar vaksinat dhe për të prodhuar ilaçe të reja kundër Covid-19, si ilaçi Molnupiravir.
Hapat e thjeshtë janë promovimi i larjes së duarve dhe kërkesa për vendosjen e maskave në hapësirat e brendshme publike. Të dyja zvogëlojnë përhapjen e sëmundjes dhe nuk cenojnë shumë lirinë individuale. Hapi i mëtejshëm është përshpejtimi i dozave përforcuese, që mbrojnë individët dhe shoqërinë në përgjithësi, duke frenuar përhapjen e infeksionit.
Kjo duhet të jetë e thjeshtë, sepse ata që janë vaksinuar tashmë, normalisht nuk duhet të ngurrojnë të marrin një dozë përforcuese. Vendet gjithashtu mund të përforcojnë masat ekzistuese, si certifikata e vaksinimit, ose një test negativ për të hyrë në vende publike.
Kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të frenuar përhapjen në vende si Gjermania dhe Austria, ku shumica e këtyre masave kanë qenë tashmë në fuqi. Në parim, nuk ka asgjë të keqe të kërkosh vaksinim universal. Megjithatë, në praktikë, ai ka mjaftueshëm mangësi për t’i bërë qeveritë të ngurrojnë. Edhe nëse vendoset vaksinimi i detyrueshëm me dy doza, do të duhen disa javë që ai të bëhet plotësisht efektiv, edhe sikur të binden personat kundër vaksinës.
Austria ka dhënë afat për vaksinimin deri në shkurt, kur vala ka të ngjarë të zvogëlohet. Për më tepër, për ata që besojnë se vaksinimi është një komplot nga shteti, detyrimi vetëm sa do t’i konfirmonte dyshimet e tyre dhe do të tërhiqte para dhe njerëz drejt fushatave kundër vaksinimit. Kjo politikë mund të dëmtojë besimin në të gjitha vaksinat për vitet në vijim. Dhe kur dështojnë politikat qeveritare, siç ka ndodhur në disa vende europiane, frena e vetme urgjente mbeten masat kufizuese./ Monitor


