Ndërsa koha kalon, kushdo e vë re se shpesh e gjen veten duke ardhur rrotull nëpër shtëpi për të gjetur çelësat e syzet apo edhe për të kujtuar emrin e dikujt.
Është vërtet e bezdisshme, por e pashmangshme. Por ka disa gjëra që ju ndihmojnë që ta mbani kujtesën të mirë.
“Shumë njerëz fillojnë të kenë probleme me kujtesën me kalimin e kohës, por ka disa gjëra të thjeshta që mund të parandalojnë problemet e saj dhe që e ndihmojnë trurin tuaj të mësojë e të mbajë mend më shumë”, shprehet Anne Fabiny, asistent profesoreshë në Shkollën Mjekësore të Harvardit.
Dr. Fabiny sugjeron si më poshtë:
-Ndiqni rutinën duke i lënë çelësat, syzet dhe telefonin në të njëjtin vend çdo ditë, kështu që gjetja e tyre do të bëhet pa vënë në punë trurin.
-Merreni me avash dhe kushtojini vëmendje asaj që po bëni në mënyrë që sistemi i kujtesës i trurit tuaj të ketë kohë të krijojë një kujtim.
-Shmangni bërjen e shumë gjërave një herësh dhe ambientet me zhurma, dy humbësit më të mëdhenj të kujtesës në një shoqëri ku gjithçka ecën me hapa të shpejtë.
-Flini mjaftueshëm, ulni stresin dhe bëni një vizitë tek doktori për të kontrolluar nëse ndonjë nga ilaçet që përdorni mund t’ju sjellë probleme me kujtesën./ Arlinda Gjypi


