Defektet në fetus mund të kurohen

Denisa Canameti

Defektet e lindura të zemrës mund të diagnostikohen që në jetën fetale. Që nga java e 14-të e shtatzanisë me anën e ekografisë transvaginale dhe pas 19 javësh me anë të ekografisë transabdominale është e mundur që të dihet nëse një fëmijë do të lindë me zemër të shëndoshë. Në disa qendra mjekësore të sofistikuara fertilizimi in vitrobotërore është bërë e mundur që të ndërhyhet që në jetën fetale, pra që në barkun e nënës dhe kështu të korrigjohet patologjia me anë të disa sondave speciale pa u ndërprerë shtatzënia.

Numila Maliqari (Kuneshka), shefe e shërbimit të kardiopediatrisë, shpjegon për lexuesin e gazetës “Shëndet+” se çfarë janë sëmundjet e lindura të zemrës, sa fëmijë lindin me defekte të tilla në QSUT, rëndësia e zbulimit të këtyre defekteve që në fetus etj.

E pyetur se sa operacione kryhen në vit në QSUT, doktoresha shpjegon se vitet e fundit kryhen rreth 90-100 ndërhyrje kirurgjikale të defekteve të lindura në zemër në vit. Është rritur gama e defekteve dhe është ulur mosha e pacientëve që operohen.

Cilat janë disa nga defektet e lindura kardiake që mund të ketë një fëmijë?

Defektet e lindura në zemër i klasifikojmë në disa grupe. Një pjesë e tyre janë defekte relativisht të thjeshta, si defektet e ndarëseve të dhomave ose vrimat në zemër e që përbëjnë numrin më të madh të defekteve t lindura. Vrimat, kur janë të vogla, në pjesën më të madhe mbyllen vetë gjatë vitit të parë dhe të dytë të jetës. Por, kur janë të mëdha, kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale për t’u mbyllur.

Ka defekte të tjera që shoqërohen me nxirje ose cianozë në lëkurë, gishta, duar etj. Pjesa më e madhe e defekteve të lindura sot korrigjohen me anë të ndërhyrjeve kirurgjikale. Ndërkohë që për defektet që janë shumë të rënda ose shumë komplekse edhe kirurgjia më e përparuar në botë ka arritur të bëjë vetëm operacione ndihmëse, por jo kurim total.

Sa fëmijë lindin me defekte të tilla?

Defektet e lindura në zemër kanë një prirje rreth 7-8 raste për 1000 lindje dhe, nëse i referohemi numrit të lindjeve në shkallë vendi, kemi çdo vit 250-300 raste të reja me defekte të lindura të zemrës.

Prof. Asc. Numila Kuneshka-Maliqari, Shefe e Shërbimit të Pediatrisë së Përgjithshme

Prof. Asc. Numila Kuneshka-Maliqari, Shefe e Shërbimit të Pediatrisë së Përgjithshme

Defektet mund të zbulohen që në barkun e nënës?

Një pjesë e tyre mund të zbulohen që në barkun e nënës nëpërmjet ekzaminimit ekografik. Kjo varet nga cilësia e aparatit të ekografisë, të specializimit të mjekut që kryen ekzaminimin, konstitucioni i nënës etj.

Çfarë rëndësie ka zbulimi që në bark i defekteve?

Fillimisht kjo shërben për informimin e prindit, që fëmija do të ketë një defekt. Problemi kryesor qëndron te ato defekte që kërkojnë asistencë që në momentin e lindjes dhe është shumë e rëndësishme të dihet paraprakisht. Kështu bëhet e mundur që të transferohet gruaja shtatzanë për të lindur në një qendër terciare, dhe jo në spitale të nivelit të dytë.

A dihen shkaqet e defekteve të lindura?

Sot mjekësia akoma nuk është në gjendje të japë një përgjigje të saktë kësaj pyetjeje. Mendohet që është një shkak genetik dhe faktorë të ndryshëm, të cilët veprojnë gjatë 3 muajve të parë të shtatzënisë, që është periudha e krijimit të organeve.

Cilët mund të jenë këta faktorë?

Faktorët që akuzohen më shumë, janë sëmundjet e nënës, alkooli, duhani, medikamentet që merr nëna gjatë kësaj kohe, rrezatimet e ndryshme etj.

Evitimi i këtyre faktorëve mund të ndikojë në “moskrijimin” e defekteve?

Jo plotësisht. Është edhe faktori gjenetik që ne nuk mund ta evitojmë dot.

Çfarë është e rëndësishme, sipas jush?

Zbulimi në kohë. Sa më shpejt të diagnostikohen dhe sa më shpejt të trajtohen, aq më pak pasoja shkaktojnë në organet e tjera. Sot ne mundohemi të bëjmë një punë sa më informuese me mjekët obstetër-gjinekologë, pasi janë ata që ekzaminojnë zemrën e fëmijës ende të palindur, me mjekët neonatologë, të cilët janë mjekët që kanë kontaktin e parë më fëmijën dhe mjekët pediatër në konsultore, të cilët janë ata që ndjekin fëmijën.

Sa operacione kryhen në vit në QSUT?

Vitet e fundit në QSUT kryhen rreth 90-100 ndërhyrje kirurgjikale të defekteve të lindura në zemër në vit. Është rritur gama e defekteve dhe është ulur mosha e pacientëve që operohen. Pas ndërhyrjes këta fëmijë bëjnë një jetë normale ose afër normales, në varësi të defektit që paraqesin. Kështu, fëmijët me vrima në zemër të operuar në kohën e duhur pas operacionit, quhen të shëruar dhe bëjnë një jetë normale. Natyrisht, si çdo operacion, mund të ketë komplikacione si menjëherë ashtu edhe më pas.

Postime të ngjashme

Jam mjeke – ja pse nuk duhet të urinosh KURRË në dush
hiv aids
Mjeku infeksionist Arjan Harxhi: OBSH në 2023 e ka deklaruar HIV/AIDS sëmundje jovdekjeprurëse
Zbulohet “fabrika e bebeve” në Greqi, deri në 120 mijë € për “shitjen” e një fëmije
Treguesit e fertilitetit po përkeqësohen me shpejtësi/ Lezha, Gjirokastra, Berati dhe Dibra, me rënien më të madhe të lindjeve në 6-mujorin e parë
Drama e popullsisë/ Lindjet ranë me 12.7% në 6-mujorin e parë 2022
Boronica, si profilaksi e mirë në infeksionet urinare
Infeksionisti Stroni: Hepatiti B, rrezik më i madh se HIV/AIDS
Raporti i OBSH: Afërsisht 1 në 6 persona në mbarë botën përjetojnë infertilitet