Sëmundja e Alzheimerit nuk është e lidhur me medikamentet

Sëmundja e Alzheimerit nuk është shfaqur 40 vite më parë dhe nuk shkaktohet nga barnat për uljen e kolesterolit. Raste të Alzheimer janë përshkruar që në 1906, dhe nuk ka prova shkencore të një lidhjeje mes kësaj sëmundjeje dhe ilaçeve që përdoren për të ulur kolesterolin.

Konspiracionistët online po shpërndajnë pretendimin e vjetër se sëmundja e Alzheimerit është “e shkaktuar nga mjekët” me anë të barnave për uljen e kolesterolit dhe nuk ka ekzistuar 40 vite më parë.

Ky pretendim shoqërohet me një video të një “Dr Joel Wallach”, i cili, sipas faqes së tij zyrtare, nuk është doktor, por “veteriner, natyropat, autor dhe lektor”.

Në këtë video, Wallach pretendon se Alzheimeri është një sëmundje e re e cila “nuk ndodhte 40 vjet më parë” dhe shkaktohet nga “një dietë me kolesterol të kufizuar” dhe “barna që ulin kolesterolin”.

Pretendimi se “dyzet vjet më parë, sëmundja e Alzheimerit nuk ekzistonte, madje edhe me një emër tjetër” është i pasaktë.

Sëmundja e Alzheimer është shkaku kryesor i demencës, një fjalë e përgjithshme që i referohet paaftësisë për të kujtuar, menduar, apo vendosur, e cila bëhet problematike në jetën e përditshme. Koncepti i demencës ka ekzistuar që në antikitet, por, duke qenë se kjo sëmundje lidhet me moshën, numri i rasteve ka ardhur duke u rritur me rritjen e jetëgjatësisë së njerëzve.

Në 1906, patologu gjerman Alois Alzheimer përshkroi rastin e parë të Alzheimerit tek një grua 51-vjeçare me një “sëmundje të pazakontë të korteksit celebral”, e cila i shkaktonte humbje memorieje, agresivitet, çorientim dhe deluzione.

Autopsia tregoi se korteksi celebral i pacientes, ose shtresa e jashtme e trurit, ishte më e hollë se normalja dhe kishte depozitime anormale, të quajtura pllaka amiloide, jashtë neuroneve. Këto pllaka ishin vërejtur edhe më parë tek të moshuarit, por jo në njerëz më të rinj.

Pasi doktorë të tjerë filluan të raportonin raste të ngjashme, psikiatri Emil Kraepelin përdori për herë të parë termin “sëmundja e Alzheimerit” në 1910.

Pra, sëmundja e Alzheimerit është përshkruar mbi një shekull më parë, dhe përpara se barnat për uljen e kolesterolit të hidheshin në treg në mes të viteve 1960.

Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, nuk ka prova të një lidhje shkak-pasojë mes simptomave si harresa dhe konfuzioni dhe përdorimit të ilaçeve që ulin kolesterolin ose statinëve.

Studime të gjera klinike për vlerësimin e funksioneve konjitive tek personat që përdorin statine dhe ilaçe të tjera për uljen e kolesterolit për të ulur rrezikun e atakut në zemër dhe ishemisë nuk kanë gjetur një lidhje të tillë.

Në fakt, ka prova se niveli i lartë i kolesterolit në gjak mund të rrisë rrezikun e shfaqjes së demencës dhe Alzheimerit. /Faktoje.al

Postime të ngjashme

Përfitimet e lëngut të Aloe Verës për shëndetin: Çfarë thotë shkenca
Testi i thjeshtë që zbulon në pak minuta nëse një fëmijë ka autizëm
Shumica prej nesh e bëjmë këtë gabim pa e ditur – dhe po rrezikojmë shëndetin
Treguesi delikat në syrin tuaj që mund të nënkuptojë se do të keni demencë në moshën 45-vjeçare
Kombinimi i barnave mund të parandalojë mijëra sulme në zemër
Shkencëtarët tregojnë ndryshimin e stilit të jetesës, që mund të vonojë demencën për vite të tëra
Shkencëtarët zbulojnë se vuajtja nga migrena rrit me 70% shanset për goditje vdekjeprurëse
Dy zakone që po shkatërrojnë trurin dhe trupin tuaj