Dr. Iris Allajbeu, Spitali Amerikan
Përse duhet të kryhet Check-up (kontrolli i përgjithshëm)?
Qëllimi i mjekësisë moderne në ditët tona është parandalimi i sëmundjeve. Duke marrë masa parandaluese për një sëmundje të caktuar mund ta eliminosh krejtësisht atë dhe pasojat e mëtejshme të saj. Për këtë arsye çdo person, edhe pse nuk ka ankesa, sidomos persona që kanë faktorë rreziku për sëmundje të zemrës, duhet të paraqiten tek mjeku në mënyrë periodike, në të kundërt sëmundja mund të përparojë dhe të shkaktojë sëmundje serioze kardiake.
Pra, qëllimi i kontrollit të përgjithshëm është parandalimi dhe trajtimi në kohë i të gjithë sëmundjeve kardiake.
Testet diagnostikuese për sëmundjet e zemrës janë:
Vizita kardiologjike. Konsiston në mbledhjen e anamnezës, duke u specifikuar në veçanti në mbledhjen e faktorëve të rrezikut si hipertensioni arterial, iperkolesterolemia, diabeti, duhanpirja, familiariteti për kardiopati, obeziteti dhe disa faktorë të tjerë më pak të rëndësishëm, në mbledhjen dhe identifikimin e shenjave dhe simtomave të ndryshme kardiovaskolare (si psh dhimbja në krahëror etj etj). Në kryerjen e matjes së tensionit arterial dhe kryerjen e ekzaminimit objektiv.
Analiza e gjakut. Me një analizë të thjeshtë, mund të matim nivelin e kolesterolit në gjak, nivelin e triglicerideve, nivelin e glicemisë (sheqerit), mund të verejmë predispozim për mpiksjen e qelizave të gjakut, ose teste të tjera të thjeshta, që mund të tregojnë probleme në zemrën tuaj.
Radiografia. Është një imazh që përfitohet nga drejtimi i rrezeve-X në kraharorin tuaj dhe pozicionimi i një pjesë të madhe të filmit fotografik ose një disku incizues dixhital prapa shpine. Makina e Rrezeve X prodhon një valë të vogël rrezatimi që kalon nëpër trupin tuaj dhe prodhon një imazh në film apo në diskun dixhital. Radiografia tregon një imazh të mushkërive tuaja, të zemrës në pjesën qendrore dhe enëve të mëdha të gjakut. Ky ekzaminim mund të zbulojë nëse zemra juaj është e zmadhuar, një shenjë kjo e disa patologjive të zemrës, gjithashtu mund të evidentojë probleme të ndryshme të mushkërive.
Elektrokardiograma (EKG, ose filmi i zemrës). Është test jo invaziv, shumë i thjeshtë, një ekzaminim që përcakton aktivitetin elektrik të zemrës. Është një ndër ekzaminimet e para që kërkohet për të gjykuar mbi patologji të ndryshme kardiake. Për rëndësinë dhe thjeshtësinë që paraqet, është ekzaminim i pranishëm në çdo paketë Check Up-i . Nëpërmjet EKG, shpesh, mund të shpjegohen dhimbjet e kraharorit që mund të kenë si shkak anginën apo infarktin e miokardit, të vlerësohen ndryshimet e trashësisë së mureve të zemrës, problem ky i fundit që mund të lindë nga patologji kardiake specifike dhe të përkeqësohet nga faktorët klasike të riskut kardiovaskular si hipertensioni, diabeti, dislipidemia dhe duhanpirja. Gjithashtu ky test mund të evidentojë probleme të ndryshme të ritmit kardiak, aritmi të ndryshme, përfshirë edhe indikacione për vendosjen e PM (pacemaker) të përhershëm ( pajisje kjo e fundit që shërben në raste kur rrahjet e zemrës nuk janë të mjaftueshme).
Monitorimi dinamik sipas Holter (Holter EKG): Holteri kardiak është një pajisje e vogël, portative, që vendoset në kraharor nëpërmjet disa elektrodave, jo invazive, për të regjistruar në mënyrë të vazhdueshme EKG, dhe jo të përkohshme, zakonisht monitorimi zgjat 24 h, në raste të rralla mjeku mund të vazhdojë monitorimin edhe për 72 orë. Ky lloj Monitorimi me Holter EKG, përdoret për të zbuluar parregullsitë në ritmin e zemrës, aritmitë e ndryshme, takikarditë (rrahjet e shpejta), bradikarditë (rrahjet e ulëta), të cilat nuk janë regjistruar më parë gjatë një elektrokardiograme bazë.
Ekokardiografia (ekokardiograma transtorakale). Një ekzaminim joinvaziv ku përdoren valët e ultrazërit, të cilat nuk paraqesin asnjë rrezik për njeriun. Së bashku me EKG dhe vizitën kardiologjike janë ekzaminimet bazë të një vlerësimi të zemrës. Nëpërmjet ekokardiogramës mund të diagnostikohen shumë sëmundje kardiake dhe të jepet indikacioni pas saj, për ndjekje nëpërmjet terapisë mjekësore (ilaçeve) apo edhe nëse është nevoja ndërhyrje kirurgjikale, mund të maten madhësitë e kaviteteve të ndryshme të zemrës, të maten kalibrat e enëve të mëdha të gjakut (aortës dhe arteries polmonare), të vërehet me më shumë saktësi trashësia e mureve të zemrës, evidentohen problemet në valvulat kardiake (jane katër të tilla), mund të evidentojmë infarktet e zemrës në akut (aktual) apo edhe në kronikë ( infarkt të shkuar), mund të evidentojmë defektet e lindura në zemër (vrimë në zemër) etj etj.
Ekokardiograma transesofageale. Nëse imazhet në ekokardiogramën transtorakale janë të paqarta, atëherë do të ishte e rekomandueshme testimi me ekokardiogramën transezofagale për një konfirmim diagnostik sa më të qartë. Ka edhe disa indikacione të tjera specifike të kësaj metodike; si psh kontrolli në pacientët me aritmi të ndryshme që predispozojnë për trombozë intrakavitare (gjak i mpiksur në brendësi të zemrës) dhe disa indikacione të tjera. Kjo lloj ekokardiograme është semi-invazive e ngjashme me gastroskopinë e stomakut. Gjatë këtij testimi, pacientit i vendoset një sonde (tub fleksibël) që kalon nga goja deri në fund të ezofagut ose edhe në stomak ndonjëherë. Kjo sondë është shumë në afërsi të zemrës, ndaj edhe imazhet janë më të qarta dhe diagnoza për problemet kardiake kur edhe kërkohet kjo procedurë është shumë e saktë.
Kateterizimi kardiak:
Është i përbërë nga dy lloj kateterizimi, i djathtë dhe i majtë. Ky i fundit njihet më gjerësisht me emrin Koronarografia.
Koronarografia konsiston në inserksionin nëpërmjet arterieve të ndryshme të trupit, zakonisht nëpërmjet arteries femorale (gjendet në zonën inguinale) dhe arteries radiale (është zona e dorës ku edhe maten pulsacionet e zemrës). Gjithcka bëhet në anestezi lokale, ndaj edhe pacienti nuk ka dhimbje dhe është zgjuar gjatë gjithë procedurës. Nëpërmjet disa katetereve arrihet në afërsi të enëve të gjakut të zemrës që quhen arteriet koronare (ose venave të gjakut në gjuhën popullore edhe pse një shprehje e gabuar). Nëpërmjet katetereve që janë në formë tubash injektohet një ilaç i posaçëm (kontrasti), që ka veti të evidentojë arteriet koronare kur goditet nga rrezet X. Pra nëpërmjet koronarografisë mund të evidentojmë shumë qartë kalibrin e arterieve të zemrës (venave të zemrës), nëse ka ngushtime, mbyllje totale apo të pjesshme të koronareve që çojnë në infarktin e miokardit ose tregojnë që në ato momente po kalohet një infarkt. Nëse gjenden ngushtime të rëndësishme atëherë është e nevojshme që këto enë koronare të rihapen për të parandaluar ose kuruar infarktin akut, nëpërmjet vendosjes së stenteve (unazave) që ripristinojnë kalibrin fillestar të arterieve koronare.
Indikacion tjetër i kateterizmit të majtë mund të jetë edhe ventrikolografia që përdoret për funksionimin e zemrës dhe valvulave të zemrës apo identifikimin i anomalive të ndryshme etj.
Kateterizimi i djathtë përdoret për matje të ndryshme të presionit intrakavitar të zemrës, matjes së përqindjes së saturimit të gjakut me oksigjen, matjen e rezistencave të ndryshme, matjen e kardiak output etj etj.
Biopsia e zemrës
Ndonjëherë biopsia e zemrës edhe pse shumë rrallë, mund të bëhet pjesë e kateterizimit kardiak, veçanërisht në rastet kur mjeku dyshon se ju keni një mundësi për infeksion të zemrës (miokardit) ose sëmundje të ndryshme të lindura që mund të shkaktojnë aritmi serioze për jetën dhe nuk ka patur mundësi të konfirmohen ato plotësisht me anë të testeve të tjera. Në rastet e biopsisë së zemrës, një pjezëz e vogël e një indi të zemrës përmes kateterit dërgohet në laborator për t’u testuar.
Skaneri i zemrës
Skaneri i zemrës është një ekzaminim joinvaziv, pa komplikacione, i shpejtë, i cili jep informacion të detajuar jo vetëm për zemrën e arteriet koronare, por edhe për të organet e tjera kraharorit duke bërë një diagnozë të hollësishme diferenciale për të gjitha patologjitë e mundshme të kësaj zone.
Përveç përdorimit në urgjencë në rastet me dhimbje atipike të gjoksit, metoda e angiografisë me skaner është shumë e përdorshme dhe e suksesshme në personat me aktivitet të ngjeshur e kohë të reduktuar, në grupet e pacientëve që kanë historik familjar ose predispozitë për të patur sëmundje koronare, por nuk shfaqin simptoma, si dhe për arsye kontrolli në pacientët që i janë nënshtruar by-passit apo rivaskularizimit me stent koronar.
Rezonanca magnetike
Në rastin e rezonancës magnetike pacienti shtrihet në një tavolinë të gjatë në formë të ngjashme me makinën që prodhon fushë magnetike. Fusha magnetike radhit grimcat atomike për disa nga qelizat tuaja. Në bazë të sinjaleve që transmetohen krijohet dhe imazhi i zemrës suaj, me anë të të cilit mjeku arrin të dallojë gjendjen në të cilën ndodhet zemra juaj. Përdorimi i rezonancës mund të kërkohet në disa sëmundje specifike, ndaj është detyrë e mjekut të identifikojë cilat janë indikacionet kur duhet të kryhet ky ekzaminim.
Edhe pse mund të mos keni asnjë shqetësim, çdo person, që futet në grupin me një ose disa faktorë rreziku, duhet të paraqitet për kontroll te mjeku në periudha më të shkurtra se zakonisht!



