Prof. Dr. Shahin Kadare
Kontaminimi i qumështit me aflatoksinë, një substancë toksike që mund të ketë pasoja nga më seriozet për shëndetin e njeriut.
Prof. Dr. Shahin Kadare shpjegon për gazetën “Shendet Plus” se cfarë është kjo substancë, dëmet që shkakton në organizmin e njeriut dhe si mund të mbrohemi nga efektete e saj dëmtuese.
- Cfarë është aflatoksina?
Termi “Aflatoksinë” është një emërtim i përbashkët për një grup substancash helmuese, të cilat prodhohen nga myqet e familjes “aspergillus”. Aflatoksina është e përhapur në të gjithë botën, dhe mund të jetë e pranishme në një numër të madh produktesh ushqimore që konsumohen çdo ditë nga njerëzit dhe kafshët. Për shkak të efektit helmues, të aftësisë për të shkaktuar kancer, si dhe të faktit që një numër kaq i madh njerëzish dhe kafshësh janë të ekspozuar në mënyrë të përsëritur ndaj veprimit të saj helmues, aflatoksina është produkti mykotik më i njohur, dhe më i studiuar në kohën e sotme.
2. Kur dhe si është zbuluar?
Në vitet ‘60, tre fakte, të ndodhura në tre rajone të ndryshme të botës, me mijëra kilometra larg nga njëri-tjetri, tërhoqën vëmendjen e shkencëtarëve dhe çuan në zbulimin e një prej prej shkaqeve kryesore të kancerit të mëlcisë që nuk ishte dyshuar kurrë deri atëherë.
-Në vitin 1960 , më shumë se 100 000 gjela deti vdiqën brenda pak muash në Angli, nga një sëmundje, deri atë kohë e panjohur, që, për këtë arsye, shkencëtarët e emërtuan fillimisht si “Sëmundja X e Gjelave të Detit”.
– Pothuajse në të njëjtën kohë, në disa popuj të Afrikës, veçanërisht në Ugandë, Kenia, dhe Mozambik, u vu re një shpeshtësi shumë e lartë e kancerit të mëlçisë;
– Dëmtime të rënda të mëlçisë u vunë re gjithashtu në një numër të madh peshqish të familjes se troftave salmonike, në disa rezervate të rritjes së tyre në SHBA !!!
Në pamjen e parë, të tri këto ndodhi dukeshin krejtësisht të pavarura ndërmjet tyre.
A mund të dyshohej se kishte ndonjë lidhje ndërmjet shpeshtësisë së lartë të kancerit dhe të dëmtimeve të tjera të mëlçisë tek njerëzit në Afrikë, gjelat e detit në Angli dhe peshqit në Amerikë?! E megjithatë, kërkimet e mëtejshme çuan në zbulimin e një lidhje në dukje të pabesueshme: Praninë e një myku të veçantë në ushqimin e përdorur.
Pas një analize të kujdesshme dhe këmbëngulëse të faktorëve të mundshëm, shkencëtarët provuan se shkaku i përbashkët i shpeshtësisë së lartë të kancerit të mëlçisë tek njerëzit, gjelat e detit dhe peshqit ishte përdorimi i ushqimeve të kontaminuara nga një substancë kimike, e panjohur deri në atë kohë , e cila prodhohej nga myku i quajtur “aspergili i verdhë” (Aspergillus flavus) dhe kishte veprim helmues (toksik) dhe kancerogjen mbi mëlcinë.
Njerëzit në Afrikë ishin ushqyer me drithëra dhe oriz që përmbante aflatoksinë, gjelat e detit me arra, ndërsa troftat me miell të farave të pambukut, të importuar nga Brazili dhe Afrika.
Shkencëtarët, që e kishin të qartë shkakun e sëmundjes “misterioze” të gjelave, e braktisën termin e vjetër “Sëmundja X” dhe e ripagëzuan produktin toksik të zbuluar “a-fla-toksinë”, një emërtim që vjen nga bashkimi i gërmave të para të termave aspergillus, flavus dhe toksinë : A(spergillus) fla(vus) + toksinë.
Historia e zbulimit të aflatoksinës provon vërtetësinë e thënies se, jo rrallë, “akoma më i rëndësishëm se faktet është zbulimi i lidhjeve ndërmjet tyre”
Me kohë u bë e qartë se eksistojnë lloje të ndryshme aflatoksinash të cilat emërtohen me gërma të ndryshme si B, G, dhe M.
3. Ku ndodhet dhe produktet ushqimore me aflatoksinë
Në kërpudhat e familjes “aspergillus”, të cilat janë burimi i prodhimit të aflatoksinave, bëjnë pjesë disa specie apo lloje të ndryshme, ndër të cilët më të rëndësishmit janë aspergili i verdhë (“aspergillus flavus”) dhe aspergili parazitar (“aspergillus parasiticus”).
Kërpullat e llojit aspergillus kanë një përhapje të gjerë në natyrë, por vëndet më të preferuara të rritjes janë në tokë, në produktet bimore (vegjetale) sidomos kur kanë filluar të kalben, në drithërat dhe kashtën që kanë pësuar degradim mikrobiologjik si rrjedhojë e pushtimit nga agjentë të ndryshëm infektivë (mikrobe, parazitë) si dhe në shumë produkte të tjera bujqësore që janë ruajtur për një kohë të gjatë në kushte që favorizojnë zhvillimin e mykut, siç janë, mjediset e ngrohta dhe me lagështirë,
Praktikisht, kur krijohen kushte të favorshme, mund të invadojnë të gjitha llojet e materialeve organike. Aflatoksina, domethënë , toksina e prodhuar nga aspergilet, mund të gjendet në të gjitha llojet e drithërave si misri, gruri, elbi, thekra, tërshëra etj. si dhe në një numër të madh produktesh të tjera si orizi, kikirikët, arrat, pambuku, frutat e thata, produktet pikante ose djegëse, fiqtë etj. Për rrjedhojë, sa herë që ne konsumojmë produkte të çdo lloji që janë të kontaminuara nga kërpudhat e tipit aspergillus, ne mund të marrim së bashku me to dhe sasi të ndryshme aflatoksine. Nga kjo mundësi nuk përjashtohen as ushqimet e përpunuara ose të konservuara, përfshirë dhe vajrat e ndryshme si për shembull vaji i ullirit, i sojës, i lulediellit etj. Aflatoksina mund të jetë gjithashtu e pranishme edhe në produktet blektorale të prodhuara nga kafshët që kanë konsumuar ushqim të kontaminuar si qymështi, djathi, vezët , mishi etj. Për arsye të kudondodhjes së saj dhe aftësisë për të kontaminuar një numër kaq të madh produktesh, praktikisht, si njerëzit ashtu dhe të gjitha kafshët, janë gjithnjë të rrezikuar nga mundësia për të marrë së bashku me ushqimin sasi të ndryshme aflatoksine si dhe të vuajnë pasojat e veprimit të saj helmues në organizmn e tyre.
- Disa veçori fiziko-kimike të aflatoksinës
Aflatoksinat janë përbërje kimike të qëndrueshme. Ato rezistojnë për një kohë të gjatë dhe shpërbëhen me shumë vështirësi nga veprimi i temperaturave të larta, të ftohtit dhe drita. Qëndrueshmëria e lartë është arsyeja se përse aflatoksinat i gjejmë edhe në produkte ushqimore të përpunuara, si për shembull gjalpi , kosi, djathi etj. Është vënë re se aflatoksinat, edhe pse në nivel të ulët, mund të jenë akoma të pranishme në drithin e ruajtur në depo edhe pas 6-7 vitesh që nga koha e depozitimit. Studimi i qëndrueshmërisë së aflatoksinave në proceset e fermentimit të qumështit, ka venë në dukje që, edhe pse mund të reduktohen dukshëm, në një shumicë rastesh atovazhdojnë të jenë të pranishme në sasi akoma të rrezikshme si në djathë ashtu dhe në produktet e kosit.
5. Sa lloje aflatoksinash takohen? Cilat rrezikojnë shëndetin?
Njihen rreth 20 lloje të ndryshme aflatoksinash por vetëm disa prej tyre përbëjnë rrezik real për shëndetin e njeriut. Ndër to, më kryesoret janë aflatoksinat e tipit B, G, dhe M ((shih tabelën): Cilësimi me termat B dhe G lidhet me veçoritë fluoreshente të tyre gjatë analizës në dritën ultraviolet: aflatoksinat B japin fluoreshencë blu (B nga angl. Blue) ndërsa aflatoksinat G japin fluoreshencë në ngjyrë jeshile (G nga angl. Green = jeshile). Aflatoksinat e grupit M e marrin cilësimin për faktin se ato janë metabolite që ndodhen vetëm në qumësht ose produktet e tij. (M nga angl. Milk). Në ndryshim nga dy tipat e tjerë, B dhe G, të cilët prodhohen drejtpërsëdrejti nga aspergilet, aflatoksinat e tipit M, krijohen brenda organizmit të kafshëve apo të njeriut, si rrjedhojë e shndrimeve metabolike të aflatoksinës B1 dhe B2. Këto aflatoksina, pasi formohen në organizëm, eliminohen me anë të qumështit, për çka janë quajtur dhe aflatoksina M (nga gërma e parë e emrit qumësht në gjuhën engleze – milk).
Llogaritet se në qoftë se një lopë ferme ka marrë aflatoksinë B1 së bashku me ushqimin, rreth 1-3 % e saj do shfaqet në qumësht si aflatoksinë M1.
Fakti që qumështi është ushqimi kryesor për foshnjat dhe fëmijët e moshës së gjirit, organizmi i të cilëve është shumë më i ndjeshëm ndaj efekteve helmuese të aflatoksinës, monitorimi dhe kontrolli i përmbajtjes së aflatoksinës M merr një rëndësi të veçantë dhe përbën një nga treguesit kryesorë të normave maksimale të lejueshme të kontaminimit me aflatoksinë. (shih rubrikën mbi normat e lejueshme të aflatoksinës në produktet ushqimore.
- Në ç’mënyrë ndodh helmimi me aflatoksinë
Helmimi me aflatoksinë njihet dhe me termin teknik “aflatoxicosis”. Mënyra më e zakonshme e helmimit është nëpërmjet konsumit të produkteve ushqimore bujqësore dhe blektorale, që përmbajnë aflatoksinë, pavarësisht nga lloji i tyre ose fakti në se janë të përpunuara ose jo. Aflatoksina që merret me anë të ushqimit, pasi arrin në zorrën e hollë, ndahet nga përmbajtja ushqimore, me të cilën ka ardhur deri aty dhe del e lirë në hapësirën e zorrës. Pas këtij procesi, aflatoksina thithet shpejt nëpërmjet traktit tretës, dhe pastaj, së bashku me rrymën e gjakut shkon në mëlçi. Nën veprimin e aflatoksinës qelizat e mëlçisë pësojnë dëmtime të rënda, çka shoqërohet me çrregullime serioze të funksionit të mëlçisë. Nga ana tjetër, aflatoksina ka aftësinë të dëmtojë strukturën e ADN, që është dhe shkaku i zhvillimit të mëvonshëm të kancerit të këtij organi. Duke qënë se pas thithjes, aflatoksina qarkullon së bashku me gjakun, është e kuptueshme se, krahas mëlçisë, dëmtohen dhe organe të tjera si mushkëria, veshkat, sistemi nervor etj., edhe pse në një shkallë më të pakët. Bazuar në faktin se aflatoksina mund të thithet në traktin tretës vetëm kur është në gjëndje të lirë, pra pasi është shkëputur nga masa tjetër ushqimore, shkencëtarët, prej kohësh, përpiqen të gjejnë mënyra për ta mbajtur atë të lidhur me ushqimin, për të penguar në këtë mënyrë thithjen e saj në organizëm.
- Cilat janë dëmtimet kryesore të aflatoksinës në organizëm?
Aflatoksinat janë përbërje tepër toksike dhe mund të shkaktojnë helmime akute ose kronike si në njerzit ashtu dhe në shumë lloje kafshësh dhe shpendësh të ndryshëm. Praktikisht, asnjë specie kafshësh në natyrë nuk është e imunizuar ndaj efekteve ta saj helmuese. Shkalla dhe rrezikshmëria e aflatoksinës varet nga një varg faktorësh si mosha e personave të ekspozuar, gjinia, niveli i ekspozimit, kohëzgjatja, gjëndja shëndetsore në kohën e ekspozimit, gjëndja e sistemit imun të organizmit, etj. Ka dy forma apo mënyra kryesore se si njerëzit mund të vuajnë efektet helmuese të aflatoksinës; Mënyra e parë janë helmimet e quajtura akute, që do të thotë helmimet që kanë zhvillim të shpejtë, të shprehur, dhe kohëshkurtër në zgjatjen e tyre. Helmimet akute ndodhin atëherë kur njerëzit ose kafshët marrin brenda një kohe të shkurtër doza të larta të aflatoksinës. Helmimet akute, shoqërohen, si rregull me një varg efektesh të rënda, shpesh me pasoja dramatike për të sëmurin. Simptomat ose shënjat me të cilën shfaqen helmimet nga aflatoksina janë të ngjashme me shënjat e shumicës së helmimeve akute si dhimbje barku, të vjella, hemorragji të brendshme, vështirësi të shprehur në frymëmarrje konvulsione, dëmtime të sistemit nervor të shoqëruar me konvulsione. Rastet më të rënda mund të përfundojnë në gjendje komatoze ose në vdekjen e të sëmurit. Duke qënë se këto shenja nuk janë specifike vetëm për aflatoksinën, por takohen dhe në helmimet nga substanca të tjera, në qoftë se nuk ka të dhëna ose nuk bëhen matjet për nivelin e aflaroksinës në ushëimet e përdorura, shkaku i tyre nuk mund të zbulohet dhe kjo është arsyeja e shprehjeve të tilla naive si “deri tani nuk kemi patur asnje rast helmimi ose vdekje nga aflatoksina“ etj. Doza e menjehershme vdekjeprurëse nga aflatoksina për shumicën e kafshëve, luhatet ndërmjet 0.5 deri 10 mg (miligram)/kg* të peshës trupore(* mg = miligram = njësi mase e barabartë me 1/ të mijtën e gramit = 0.001 g.). Mënyra e dytë janë helmimet kronike ose helmimet që ndodhin kur njerëzit marrin doza të vogla të aflatoksinës, por, në mënyrë të përsëritur dhe për periudha kohe të gjata që mund të vazhdojnë me muaj dhe vite. Duke qënë se helmimet kronike, për një kohë të gjatë, nuk japin shenja klinike të dukshme, njerëzit, pa e ditur, vazhdojnë të marrin aflatoksinë duke konsumuar produkte të kontaminuara. Ndërkohë, dëmtimet e shkaktuara në organizëm vazhdojnë të thellohen progresivisht deri në zhvillimin e gjëndjeve patologjike të rënda dhe shpesh të pakurueshme, siç është dhe zhvillimi i kancerit të mëlçisë.
Është kjo arsyeja se, përse helmimet kronike, në një farë mënyre përbëjnë një problem akoma më shqetësues se helmimet akute. Ndër pasojat kryesore të aflatoksinës në organizmin e njeriut si dhe të kafshëve të ndryshme është pa dyshim kanceri i mëlçisë.
Aflatoksina konsiderohet si agjenti më i fuqishëm kancerogjen dhe shkaku kryesor në zhvillimin e kancerit të mëlçisë. Aflatoksina përfshihet në listën e agjentëve me veprim kancerogjen të provuar nga “Agjensia Ndërkombëtare e Kërkimeve mbi kancerin” ( IARC – International Agency for Research on Cancer ) si dhe nga “Programi Kombëtar Toksikologjik i Shteteve të Bashkuara” ( NTP – National Toxicology Program) të cilët janë dy institucionet më të specializuara për vlerësimin dhe klasifikimin e shkaktarëve të kancerit në kohën e sotme. Efekti kancerogjen i aflatoksinës lidhet me aftësinë e saj për të shkaktuar dëmtime gjenetike të ADN, që siç dihet përbën mekanizmin bazë të zhvillimit të kancerit tek njeriu.
Veprimi kancerogjen i aflatoksinës është veçanërisht i shprehur në njerëzit që kanë kaluar hepatitin B. Dëmtimet e pësuara nga hepatiti, i bëjnë qelizat e mëlçisë më delikate dhe më pak rezistente ndaj efektit toksik të aflatoksinës. Sipas të dhënave të ndryshme, rreziku i zhvillimit të kancerit të mëlçisë, si rrjedhojë e aflatoksinës, në ata që kanë kaluar hepatit viral të tipit B, është rreth 60 deri 100 herë më i lartë se tek njerëzit e tjerë.
Në vendin tonë, ku shpeshtësia e hepatitit B, krahasuar me shumë vende të Europës, është relativisht e lartë, ky fakt përbën një arsye më shumë për të rritur vëmendjen e strukturave përgjegjëse për kontrollin dhe cilësinë e produkteve që mund të përmbajnë aflatoksinë.
Përveç kancerit të mëlçisë, ekspozimi ndaj aflatoksinës shoqërohet dhe me efekte të tjera dëmtuese, veçanërisht në moshën fëminore. Fëmijët, si rregull, janë shumë më të ndjeshëm ndaj veprimit të aflatoksinës, që shoqërohet shpesh me zhvillim fizik dhe mendor të penguar ose të vonuar. Ndër efektet e tjera dëmtuse për shëndetin, si në njërëzit ashtu dhe në kafshët, bëjnë pjesë çrregullimet metabolike, çrregullimet kronike të imunitetit që e bëjnë organizmin më pak rezistent ndaj faktorëve të tjerë dëmtues si dhe ulja e aftësisë riprodhuese.
Kushtet kryesore që favorizojnë rritjen dhe përhapjen e shpejtë të aspergileve janë:
– temperatura e lartë, midis 24 and 35°C;
– lagështia , në nivele mbi 7%. Temperatura më e përshtatëshme për rrritjen e aspergilit të verdhë është 18-18.5%
– dëmtimet që produktet bujqësore mund të kenë pësuar nga insektet, krimbat ose brejtësit e ndryshëm.
– dëmtimet e pësuara nga faktorë të tjerë atmosferikë si thatësira e zgjatur (niveli i lagështisë më i ulët se normali) të cilat gjithashtu krijojnë një terren më të favorshëm për rritjen e sporeve të aspergileve.
LLOJET E AFLATOKSINËS
• Aflatoksinat e tipit B : Ky grup i cili përfshin aflatoksinën B1 dhe B2 është tipi më i shpeshtë dhe më i rrezikshëm i familjes së aflatoksinave.
- Aflatoxinat e tipit G : Ky grup përfshin aflatoksinën G1 dhe G2 të cilat kanë efekte helmuese të njëjta me ato të tipit B, por efekti kancerogjen i tyre mbi mëlçinë është lehtësisht më i ulët.
• Aflatoxinat e tipit M : Ky grup përfshin aflatoksinën M1 dhe M2, të cilat janë produkte metabolike që gjënden në qumështin dhe urinën e kafshëve që janë ushqyer me produkte që përmbajnë aflatoksinë.
Aflatoksina, Sadami bëri armë biologjike
Ka fakte të shumta se rregjimi i Saddam Hussein, në Irak, i ka shfrytëzuar efektet helmuese të aflatokinës duke e përdorur atë në armët biologjike. Sipas burimeve të ndryshme në vitet 1985 -1991, arsenali luftarak i ushtrisë irakiane përfshinte, ndërmjet të tjerash, dhe rreth 200 bomba dhe 25 raketa balistike me mbushje helmuese biologjike, kryesisht me antraks, me botulinum dhe me aflatoksinë.






