Kryefaqja Aktualitet Alarm për përhapjen e meningjitit në Durrës, TFL: Futja e vaksinës në...

Alarm për përhapjen e meningjitit në Durrës, TFL: Futja e vaksinës në kalendarin kombëtar të vaksinimit domosdoshmëri

0
Shpërndaje

Një rast i ri i meningjitit ka sjellë shqetësim në qytetin e Durrësit, pasi një 14-vjeçar është shtruar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës. Ky rast u diagnostikua me meningjit  fundjavën që kaloi dhe ndodhet aktualisht nën kujdesin intensiv të mjekëve. Sipas autoriteteve mjekësore, i mituri ka marrë trajtim të shpejtë dhe është ndjekur nga urgjenca e Spitalit të Durrësit, por, për shkak të gjendjes së tij, është transferuar në QSUT për vlerësim dhe kujdes më të thelluar.

Rasti ka ngritur shqetësimin e prindërve lidhur me mungesën e masave për parandalimin dhe mbrojtjen nga ky infeksion, ndërkohë që vaksinimi kundër meningjitit nuk përfshihet në kalendarin kombëtar të vaksinimit në Shqipëri. Kjo ka krijuar një panik të shtuar, pasi fëmijët e prekur po përjetojnë vështirësi shëndetësore, dhe qytetarët ndihen të pasigurt.

Vaksina kundër meningjitit nuk është përfshirë ende në programin e vaksinimeve të detyrueshme, edhe pse shoqata “Together for Life” ka bërë një kërkesë institucioneve përgjegjëse për futjen e vaksinës së meningokokut në kalendarin kombëtar të vaksinimit, pas ndarjes nga jeta të17-vjeçares Noela Caka, e cila ishte prekur nga meningiti bacterial gjatë një ekskursioni me klasën në Dardhë.

Në fillim të nëntorit, Together for Life (TFL) publikoi raportin “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030”, ku evidentoi se kjo vaksinë, edhe pse e parashikuar për t’u përfshirë që në vitin 2023 në kalendarin kombëtar të  vaksinimit, rezulton se nuk është përfshirë  as për vitin 2023 dhe as për 2024.

Në tryezën e organizuar për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit, TFL  i bëri thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të planifikojnë buxhetin e nevojshëm për futjen e kësaj vaksine në kalendarin e vitit 2025, si një hap i domosdoshëm për të përmbushur objektivin e mbulimit universal shëndetësor, përfshirë aksesin në vaksina të sigurta dhe efikase për të gjithë.

Shqipëria çdo vit regjistron 20-30 raste të meningjitit, që jo rrallë rezultojnë fatale për shëndetin apo jetën e të prekurve, kryesisht fëmijë dhe të rinj.

Aplikimi i vaksinës kundër meningokokut konsiderohet si një mjet parandalues thelbësor, që rekomandohet veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në mjedise të mbyllura, si konvikte, çerdhe dhe kopshte, dhe për ata me sistem imunitar të dobësuar.

Përfshirja e kësaj vaksine në kalendarin kombëtar, jo vetëm  do të shmangte humbjen e jetëve në të ardhmen, por gjithashtu do të reduktonte barrën financiare për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuara nga virusi meningokok.

Nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë një reagim publik për të sqaruar situatën dhe për të informuar qytetarët për masat që janë marrë. ISHP thekson se infeksioni i shkaktuar nga Neisseria meningitis është një sëmundje infektive, e cila përhapet shpejt përmes kontaktit të ngushtë dhe mund të shfaqet në forma fulminante. Megjithatë, autoritetet sigurojnë se janë marrë masa rigoroze për profilaksinë, janë ndjekur rekomandimet për masat e profilaksisë për familjarët, personelin shëndetësor në Durrës 19 persona, personeli shëndetësor në QSUT si dhe kontaktet e ngushta në klasën e rastit, ku kanë marrë profilaksinë me antibiotikë 24 nxënës dhe 6 mësues duke ndjekur duke respektuar Udhëzuesin specifik si për çdo rast tjetër të dyshuar apo të konfirmuar me Neisseria meningitis.

Instituti i Shëndetit Publik theksoi gjithashtu se pacienti 14-vjeçar po trajtohet sipas protokolleve të mjekimit të meningjitit dhe gjendja e tij po monitorohet nga ekipet mjekësore në terapi intensive. Autoritetet kanë siguruar qytetarët se situata është nën kontroll dhe se nuk ka asnjë neglizhencë në menaxhimin e rastit, përkundrazi, po ndiqen hapat e duhur për mbrojtjen e shëndetit publik.

Kërkoni menjëherë kujdes mjekësor nëse ju ose dikush në familjen tuaj ka simptoma të meningjitit si:

  • Ethe
  • Dhimbje koke  që nuk largohet
  • Konfuzion
  • Të vjella
  • Qafë e ngurtë

Faktorët e rrezikut për meningjitin përfshijnë:

  • Mosbërja e vaksinave. Rreziku rritet për këdo që nuk i ka bërë të gjitha vaksinat e fëmijërisë ose të të rriturve.
  • Mosha. Meningjiti viral më së shpeshti shfaqet tek fëmijët më të vegjël se 5 vjeç. Meningjiti bakterial është i zakonshëm tek ata më të rinj se 20 vjeç.
  • Të jetuarit në grupe. Studentët  që jetojnë në konvikte, njerëzit në baza ushtarake dhe fëmijët në çerdhe dhe kopshte  janë në rrezik më të madh të meningjitit meningokokal. Kjo është ndoshta sepse mikrobi përhapet shpejt nëpër grupe të mëdha.
  • Shtatzënia. Shtatzënia rrit rrezikun e një infeksioni të shkaktuar nga bakteret listeria, e cila gjithashtu mund të shkaktojë meningjit. Infeksioni rrit rrezikun e abortit, lindjes së vdekur dhe lindjes së parakohshme.
  • Sistemi imunitar i dobësuar. SIDA, çrregullimi i përdorimit të alkoolit, diabeti, ilaçet që ulin sistemin imunitar dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në sistemin imunitar rrisin rrezikun e meningjitit.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here