Kryefaqja Aktualitet Alergologu Hoxha: Prekja e stafit mjekësor me COVID-19 ka qenë sinjal alarmi...

Alergologu Hoxha: Prekja e stafit mjekësor me COVID-19 ka qenë sinjal alarmi që të ridimensionojmë punën

0
Shpërndaje

Gazetare: Klevisa GJIKA

Infektimi i bluzave të bardha nga COVID-19 fatkeqësisht nuk ka munguar edhe në vendin tonë. Mirëpo, prekja e këtyre të fundit nga virusi keqbërës, ende në qarkullim, ka shërbyer si një sinjal për të marrë situatën nën kontroll në mjediset spitalore dhe për të ofruar shërbim më të sigurt për pacientët që kërkojnë shërbim në kushtet në të cilat ndodhemi.

Në një intervistë për gazetën “Shëndeti”, mjeku alergolog Mehmet Hoxha tregon se puna në spitalin Francez ku ai ushtron profesionin e tij është ndikuar nga rastet e konstatuara pozitive me COVID-19 në bluzat e bardha.

“Fatkeqësisht ka pasur raste të prekjes nga COVID-19 edhe nga ana e personelit shendetësor, kështu që këto gjithmonë kanë qenë flamur i kuq, sinjal alarmi që të ridimensionojmë punën e përditshme për të pasur kujdes, për të minimizuar mundësinë e kontaminimit të kolegëve, kolegeve, të personelit apo familjarëve“, tregon mjeku.

Paqartësia që kemi në lidhje me këtë sëmundje dhe pabesia kundrejt saj, sipas mjeku Hoxha, ka bërë që të merren masa strikte në menaxhimin e situatës aktuale.

“Një problem që është shafqur këto kohë është se duke qenë një sëmundje totalisht e paqartë, e pabesë, pacientë që në dukje ecin mirë një javë, 10-12 ditë çuditërisht bëjnë rëndime të situatës dhe këta pacientë janë të detyruar të shkojnë dhe të shtrohen, qoftë te spitali Infektiv, qoftë te Sanatoriumi.

Situata epidemiologjike duket që është nën kontroll, por jo shumë e favorshme, kemi një shtim të numrit të rasteve, kemi shtim të numrit të personave që kërkojnë asistencë telefonike, por fatmirësisht nuk ka atë gravitet klinik që ne e kemi pasur dhe e kemi frikë.

Përsa i përket menaxhimit të punës në spital, ne kemi limituar vizitat ambulatore, kemi limituar hospitalizimet në spital, jemi munduar të decentralizojmë dhe të delegojmë pacientët te mjeku i familjes, apo te mjeku specialist i lagjes apo rretheve me idenë për të dhënë domosdoshmërinë mjekësore që ata pacientë kanë për të minimizuar grumbujt, hospitalizimin e pacientëve dhe riskun e shpërthimit të një vatre të nxehtë. Jemi munduar të tregohemi të kujdesshëm qoftë me vizitat, qoftë me ekzaminimet, qoftë me shtrimet e pacientëve”, shprehet ai.

Mjeku Mehmet Hoxha tregon se kemi të bëjmë me një ridimensionim të punës, në kushtet e një normaliteti të ri.

“Sistemi shëndetësor është në tension të madh, kjo s’diskutohet. Që kemi një riorganizim, një ridimensionim të punës dhe kjo është evidente. Jemi munduar të minimizojmë vizitat spitalore apo hospitalizimet, kjo detyrimisht nuk kuptohet si ulje e kujdesit mjekësor me patologji akute apo kronike. Sistemi i pacientëve kronikë është menaxhuar përmes mjekut të familjes, specialistëve të lagjes, deri diku edhe nga ne. Është menaxhuar përmes telefonit, sistemit online”, shton më tej për menaxhimin e punës së bluzave të bardha në kushtet e pandemisë.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here