Alket Islami ka se çfarë të thotë. Pa dyshim një “dashnor” i regjur i natyrës dhe i hapësirës rrëfen pa sekrete çdo gjë që ka të bëjë me gjendjen e tij shëndetësore, kujdesin dhe energjitë që hargjon në sportin që merret. Një ëndërr e provokuar në vitin 1988 teksa shihte dy francezë që fluturonin me deltaplane në Llogara, do të kthehej në pjesën e jetës së tij më vonë. Pse jo, edhe e sprovave dhe sfidave. Si një shqiponjë e sheh Shqipërinë nga larg dhe nga lart, e ndjen krenari për bujarinë e natyrës ndaj këtij vendi, por lëndohet thellë teksa sheh dorën e egër të qenies njerëzore ndaj saj. Apeli i tij për kujdes ndaj natyrës është mesazhi më i i mirë që mund të bëjë çdo kush pasi kjo do të përkthehet në jetë për secilin prej nesh.
Alketi tregon detaje të mënyrës së ushqyerjes; i dhënë pas qitros, “mbretëreshë” e trupit dhe mbetit, – mollës, ai rrëfen sesi tryeza ka për “mish” zarzavatet e shumta. Ndërsa preferon peshkun, me të cilin ndjen se ka fuqi për të ekzekutuar plakjen. Gjimnastikën e bën në shtëpi, ndërsa mjeku dhe kontrollet mjekësore janë pjesë që i ka pranë jo përherë, më së shumti kur ka nevojë.
Alket, shëndetin që keni, ia dedikoni kryesisht përkujdesjes suaj, apo genit të familjes?
Mendoj që geni ka rol vendimtar, por sigurisht dhe përkujdesja e vazhdueshme ndaj shëndetit është e rëndësishme për të pasur një trup dhe një jetë të shëndetshme.
Cilat kanë qenë shtysat që iu çuan te sporti i fluturimeve ajore?
Ishte një ëndërr e fëmijërisë time; qielli, lojërat, pastaj ajo media e ndaluar që shikonim, pastaj bisedat me njerëz që ushtronin këtë aktivitet, i cili realizohen nga ushtarakë në atë kohë: Dhe shtysa e fundit, ishte viti 1988 ku në Llogara kam parë dy francezë që po bëheshin gati të fluturonin me deltaplanë.
Sa të rëndësishme janë parametrat shëndetësorë, si tensioni, pesha, etj., në realizimin e aktivitetit tuaj sportiv?
Në fakt ky sport realizohet nga njerëz me shëndet të plotë dhe në harmoni me natyrën: Është shumë e rëndësishme kjo sepse pothuajse një pjesë shumë e madhe e njerëzve që merren me këto sporte kanë impakt pozitiv me mjedisin.
Për fluturimet e lira me paragliding (parashutë velë) nuk është e thënë të kesh ekzaminime specifike të organeve kryesore si zemra. Mjafton që parametrat shëndetësor të jenë normalë. Dhe për çështjen e peshës është një zgjidhje që pilotët zgjedhin velën në raport me peshën, pra kemi S(vogël) M(mesme) X(të madhe), XL(Shumë të madhe), XXL(Masa më e madhe e mundshme).
Tensioni i gjakut hyn te diagnostikimi i përgjithshëm që kryhet. Në fakt, një njeri i ushqyer sistematikisht mirë dhe në mënyrë të shëndetshme është më pak i ekspozuar ndaj sëmundjeve dhe tensionit të gjakut përjashtuar këtu rastet e trashëgimive.
Tryeza juaj, është e dominuar nga mishi, frutat dhe perimet apo produkte të tjera?
Tryeza ime është shumë e rëndësishme dhe e kujdesshme. Prioritet kanë perimet (më pëlqejnë t’iu them zarzavate). Ato janë “mishi” i tryezës sime. Kur them perime nënkuptoj edhe frutat si derivat i rëndësishëm, (në mëngjes më pëlqen të ushqehem me domate apo kastraveca të lyer me mjaltë). Kapuçinon e pi me një mirëkuptim të heshtur me veten (fatkeqësisht çdo mëngjes).
Dreka është e dominuar me perime dhe fruta. Mishi? – Sikur të gjithë të ushqeheshim me prodhime deti do ishte shumë problem mosha mesatare e vdekjes…
Darka. – ajo është shumë e lehtë; fruta dhe nëqoftëse ndodhem në ndonjë festë apo darkë, jam ai që thyej portokollin e radhës.
Ku tregoni kujdes?
Pijet alkoolike si dhe ato me gaz. Janë tepër të kufizuara gjatë konsumit. Ndërsa preferencë e veçantë janë uji dhe lëngjet e frutave, të cilat janë pjesë e pandashme e trupit tim, kudo që të ndodhem.
Edhe diçka tjetër. Unë i rekomandoj të gjithëve që t’i kthehemi mbjelljes, – si në vitet ‘30, të qitros, lëngu i së cilës është me vlera të jashtëzakonshme kurative për trupin.
A mendoni për kaloritë e tepërta që merrni gjatë ngrënies? Nëse po, si i konsumoni?
Kjo është shumë e rëndësishme për një njeri që kryen një aktivitet fizik apo sportiv. Pesha trupore luan rol të madh në cilësinë e jetës dhe gjendjen fizike të secilit prej nesh prandaj unë do të këshilloja që çdokush të masë shpeshherë peshën trupore. Pse jo, të mbajë edhe peshore në shtëpi.
Unë peshohem çdo mëngjes dhe në ditët që nuk thyej regjimin tim, nuk peshohem për ditë.
Konsumimi i ushqimit te ne që merremi me sportet e ajrit derivohet në fizik dhe mendor (të dyja këto ulin peshën). Padyshim, nëqoftëse ne fluturojmë çdo ditë nga 2 ose 3 orë, nga trupi në një muaj do humbim një sasi minimumi prej 5 kilogramësh.
Ju ka ndodhur ndonjëherë që të mbani dietë?
Kam mbi 10 vjet që mbaj dietë. Më pëlqen t’i vë emër, si çdo projekt apo aksion policor, dieta ime quhet “No limit”!
Cilën preferoni më shumë nga pijet: kafen apo çajin? Po nga frutat?
Çajin pa diskutim, edhe pse në mëngjes pi kapuçino, dhe kjo sepse jo në të gjitha baret tregtohen çajra BIO
Por në lokalin që kam gjithnjë, kam prezent çajrat e vendit.
Për frutat. Ah. Kjo është pyetja më e vështirë. Pjeshkën dhe mollën të lyer me gjizë, qitron si mbretëreshën e frutave mesdhetare dhe ushtrinë e pafund të të tjerave – por kujdes me mbretëreshën – mollën!
Padyshim që merreni me sport. Por, a shkoni në palestër; i frekuentoni? Po ecjet në natyrë? Ecja me biçikletë?
Palestrën e kam në shtëpi (disa ushtrime bazë). Palestrat nuk i frekuentoj, ecjet po, padyshim me dhe pa ngarkesën e punës në terren.
A i bëni rregullisht kontrollet mjekësore apo sa herë që të keni probleme shëndetësore dhe ua rekomandon mjeku?
Luftë me mentalitetin kjo. Kufiri i dy legjendave për ne shqiptarët.
Kam mbi 4 vjet që i bëj, por jo me shumë pasion dhe kënaqësi.
A keni mjek personal? Çfarë peshe zë mjeku në ecurinë e shëndetit tuaj?
Hahahahah. Interesante, sepse kam shumë miq që rastësisht janë ortopedë dhe takohemi shpesh për kënaqësi.
Keni ndonjë eksperiencë jo të mirë me gjendjen tuaj shëndetësore. Nëse po, çfarë mund të ndani me ne?
Një aksident i vjetër që në vitin 1994 teksa fluturoja për aktivitetin e Miss Albania në atë kohë. Ishte një rrëzim në tokë që më la mbi 6 muaj në regjim shtrati dhe jashtë qiellit. M’u desh edhe ndërhyrja e mjekëve këtu dhe rehabilitimi në Francë, dhe, për fat, që nga ajo kohë çdo gjë ecën shumë mirë dhe pa problem.
Ju keni mundësinë që ta shihni nga lart Shqipërinë. Me pak fjalë, si do ta përshkroni? Sa e kemi dëmtuar mjedisin në kurriz të shëndetit dhe të të ardhmes tonë?
Eeeehhh. Po më thoni t’ju marr edhe shumë e shumë numra të gazetës tuaj për t’ju përshkruar bukuritë e vendit tonë…… Kemi fatin që jetojmë në këtë zonë të artë të Mesdheut, ku Zoti na dhuroi në natyrë malin, lumin, liqenin, kodrën, fushën, si dhe detin. Të tjerët na kanë zili; janë lodhur të na i heqin, pse jo.
Ne? – Jemi në kufirin midis dy legjendave…..; – këtu ka të bëjë edhe raporti që kemi me mjedisin, raporti me të cilin ndikon drejpërdrejt në shëndetin tonë. Personalisht kënaqem kur një turist rikthehet (kjo është vendimtare për Shqipërinë)
Çili është mesazhi që keni përmes “Shëndet Plus” për lexuesit?
Vëmendje për “Shëndet Plus”-in, është një gazetë që marketohet direkt për shëndetin e të gjithëve ne! Respektoni mjedisin dhe ai do ua kthejë bashkë me produktet e tij në vite jete, plot shëndet dhe harmoni.




