E vetmja që ka fituar luftën kundër sëmundjes së rrallë, Ambra rrëfen lidhur me forcën që iu desh për të ecur para në jetë dhe planet e saj për të ardhmen
Denisa Canameti
Lufta me kancerin jo çdo herë është e humbur. Shembulli më i mirë për të dëshmuar këtë është Ambra Meda, vajza adoleshente që gjeti forcën dhe optimizmin brenda vetes për ta bërë sëmundjen më të lehtë. Një intervistë me vajzën që i dha shembull botës, shembullin se shkenca e mjekësisë nuk mund të bëjë pa optimizmin dhe shpirtin pozitiv të individit.
Sepse, siç thotë Ambra: “Sëmundja ishte brenda meje. Unë duhet ta luftoja, duhet t’i ndihmoja mjekët”. Sëmundja e Ambrës ishte e rrallë. Ajo vuajti nga një diagnozë e vështirë duke shënuar rastin e 131-të në të gjithë botën. Por është e vetmja që sot i gëzohet jetës, duke shpresuar që një ditë të bëhet mjeke e madhe.
Ambra tregon që marrëdhënien me mjekët gjermanë e kishte shumë të mirë. Gjithashtu rrëfen për përvojnë me Princeshën e Mynihut, marrëdhenien me miqtë, me të afërmit dhe të gjithë ata që u bashkuan për t’i dhënë forcë. Ajo nuk humbet asnjë rast pa falënderuar vëllezërit Keta, kampionët që forcën e kanë të fiksuar jo vetëm në shpatulla, por edhe në karakter.
Vajza që këndoi me buzëqeshje e shpirt përpara një operacioni që nuk dihej sesi do shkonte, edhe pse Ambra ishte e bindur, refrenin e këngës “Love that is shinning” do ta vazhdonte sapo ky makth të përfundonte.
Ambra, sa vlen sot për ty shprehja “shëndeti mbi të gjitha”?
Përpara se të sëmuresha, nuk është se e vlerësoja aq shumë shëndetin. Kërkoja sa më shumë gjëra nga jeta. Kërkoja të isha sa më lart, të merrja nota të mira në provim. Por, kur u sëmura, kuptova se sa i rëndësishëm është shëndeti dhe sesa duhet ta vlerësojmë ne atë. Mësova se duhen lënë këto kërkesat e tjera që sot i quaj vogëlsira. Vogëlsira që na marrin kohë e që shpesh, pa e kuptuar, e bëjnë jetën të mërzitshme.
Jeta bëhet e mërzitshme kur kërkon vetëm rroba të bukura, kur përqendrohesh vetëm në një gjë, kur përqendrohesh vetëm te shkolla apo vetëm tek dëfrimet. Duhet t’i kërkosh edhe këto, por i pari që duhet vlerësuar, është shëndeti. Pa shëndetin nuk mund të bësh asgjë, nuk mund t’i gëzohesh asgjëje.
Kur e more vesh për sëmundjen, si e prite, cila është gjëja e parë që mendove, gjëja e parë që bëre?
Fillimisht më erdhi si bombë. Fjala tumor është e vështirë vetëm për ta dëgjuar e jo më të të thonë që “ti je me tumor”. Kam qenë gjithmonë shumë e shëndetshme, gjithmonë më thonin: “Ua, Ambra lum ti për trupin e bukur, lum ti që nuk sëmuresh kurrë, lum ti që nuk shkon nëpër dyer spitalesh”! Por ja që një ditë jo fort të bukur gushti, unë nuk u ndjeva mirë. Fillova të kem dhimbje barku shumë të forta dhe shkova nëpër dyert e spitaleve për të bërë analiza e ekzaminime pa fund. Këtu nuk më thanë që jam me tumor. Këtë e mora vesh në Gjermani. Kam qëndruar vetëm 3 ditë e shtruar këtu. Marrëdhënia me mjekët tanë ishte e mirë, por këtu nuk ishin aparaturat e duhura. Menduam Gjermaninë si vendin me mjekësi e teknologji të avancuar.
Daja im Dëfrim Met’hasani më ka ndihmuar shumë. Tre miqtë e tij kampionë, vëllezërit Keta, kanë qenë mbështetje shumë e madhe. Ata më përgatitën shpirtërisht, ishin pikërisht ata që më thanë që kam një tumor. Me dashurinë e tyre arrita ta bëj tumorin më të lehtë në mendjen time.
“Ti ke tumor!” Çfarë ndjen njeriu në momentet që i thuhet diçka kaq e rëndë për veten?
Unë nuk kam pasur një trashëgimi familjare që të na bënte të dyshonim se mos një ditë ndonjëri nga ne do të prekej nga kjo sëmundje. Kur shikoja në internet fëmijët që ishin me kancer, që dobësoheshin, që u binin flokët, që merrnin një pamje krejt tjetër, thoja: “O Zot, ishalla nuk e kam kurrë këtë fat”. Është fjalë e rëndë shumë. Pastaj kur fillon ta përjetosh, është krejt ndjesi tjetër, dhe duhet të jesh e përgatitur shpirtërisht, shikon ndryshimet tek vetja. Megjithatë, pamja fizike asnjëherë nuk ka qenë faktor në jetën time. Mundohesha ta qetësoja veten dhe të mendoja që shumë shpejt gjërat do të shkonin aty ku ishin dhe unë do të shërohesha.
Ke qenë gjithmonë kaq optimiste për veten?
Po, kam qenë optimiste dhe shumë këmbëngulëse. Megjithatë, sëmundja më bëri edhe më të fortë. Sigurisht, jo çdo gjë ka qenë kaq e lehtë saç duket kur e dëgjon.
Thonë se çdo gjë ndodh për një arsye, ia ke bërë ndonjëherë vetes pyetjen “Pse mua?”?
Kjo ishte prova më e madhe e jetës sime. Ishte prova që them se Zoti ma dha për të nxjerrë në pah forcën time. Sot kam mundësinë t’i jap shembullin që duhet, të gjithë njerëzve. Shumë më shkruajnë dhe më thonë që jam kthyer në frymëzim për ta. Më shkruajnë dhe më thonë: “Ambra, e nisim ditën duke parë profilin tënd. Dhe kjo na bën të jemi pozitivë”. Unë mbushem me jetë. Kjo tregon sesa pozitivisht ndikoj unë tek njerëzit, tregon sesi ndikojnë fjalët e mia.
Flasim pak për miqtë, ata kanë bërë një fushatë të madhe sensibilizuese për ty…
Thuhet se miqtë e mirë njihen në ditë të vështira. Vërtet që ky rast më bëri të njoh se cilët janë miqtë e mi të vërtetë dhe i falënderoj që kanë bërë aq shumë për mua. Themi që miqtë na zhgënjejnë, ndryshojnë me kohën ose se, nuk ishin ashtu siç thonin, por miqtë e mi treguan që janë miq tepër të mirë. Kam bindjen që këtë gjë do ta bënin për çdokënd, kjo ndodh në çdo miqësi të vërtetë.
Pasi u ktheve, cilat ishin fjalët me të cilat të pritën?
“Ambra, jemi shumë krenarë për ty. Jemi pak xhelozë që tanimë je në të gjitha mediat”(qesh).
“Duam të të shikojmë gjithmonë kështu të buzëqeshur dhe gjithmonë optimiste për të ardhmen”.
Është e vërtetë që tani je në të gjitha mediat. Të bezdis kjo gjë, se jo rrallë gazetarët e teprojnë?
Kjo më jep më shumë mundësi të tregoj se sa optimiste jam. Dua të shpërndaj pozitivitet. Unë ia dola, çdokush mund t’ia dalë.
A ka pasur momente trishtimi, momente dorëzimi?
Sigurisht! Ka pasur momente që nuk e përballoja dot dhimbjen që familjarët e mi ndjenin për mua, sepse reflektohej gjithçka në sytë e tyre. Shikoja prindërit, motrën, vëllanë. Kjo më bënte të ndieja dhimbje. Edhe kur isha gati të dorëzohesha, mendoja prindërit. Kur i shikoja që ishin gati të shpërthenin në lot, por thjesht buzëqeshnin para meje, aty i jepja forcë vetes.
Marrëdhënia me mjekët në Gjermani, si ishte?
Mjekët në Gjermani kanë një disiplinë për t’u admiruar. Ata ta thonë gjithçka që ndodh me ty dhe unë u jam mirënjohëse për këtë. Nuk do të kisha luftuar kaq shumë me veten nëse nuk do ta dija. Sëmundja ishte në trupin tim, jo në trupin e të tjerëve. Mjekët ishin shumë të dashur. Kur analizat dilnin mirë, vinin shumë të kënaqur e më thonin çdo gjë. Punonin dhe jashtë orarit. Infermieret mbanin radhë që të vinin tek dhoma ime. Unë nuk e dija këtë. Thjesht një ditë më vjen një infermiere dhe më ankohet se asaj nuk i binte radha të vinte te dhoma ime. Qeshja. Kishte mjek që e adhuronin pozitivitetin tim. Unë nuk isha rast që u kujtohesha vetëm kur vinin në spital, përkundrazi një mjek shumë i mirë dhe në moshë shkoi jashtë vendit në një konferencë dhe kur u kthye më kishte sjellë dhurata. Ai më lutej të përqendrohesha me shpirt në atë luftë që kisha nisur, sepse besonte si unë.
Në Gjermani kam pasur një mikpritje të admirueshme nga shumë njerëz. Kam takuar edhe Princeshën e Mynihut. Kam bërë intervistë me të. Intervista me të kishte dalë në të gjithë mediat, fotoja jonë kishte dalë në postera rrugëve të kryeqytetit.
Si u takove me Princeshën?
Princesha erdhi në pavion për të takuar të gjithë pacientët. Ajo kishte një shoqatë që ndihmonte të gjithë të sëmurët me tumor. Erdhi edhe në dhomën time dhe më kërkoi t’i flisja për sëmundjen. Kështu që i tregova me të njëjtin entuziazëm si gjithnjë (e di që duket e çuditshme e thënë kështu). Ajo u habit dhe më kërkoi t’i bashkangjitesha një interviste që kishte për shoqatën.
Me çfarë fjalësh e përshkruante Princesha rastin tënd?
Optimiste dhe shumë e dashur.
Është optimizmi kurë e fortë kundër tumorit?
Shkenca nuk bën dot pa optimizmin e njeriut. Besoj se sëmundjet janë më tepër psikologjike ndaj edhe shërimi duhet të fillojë nga aty, te psikologjia. Unë isha në dhomë me një tjetër vajzë që vuante nga kanceri. Një ditë doktoresha më tha: “Ambra, shikoje atë zonjë. Vajza e saj vuan nga tumori. Ne po bëjmë të njëjtën punë me fëmijën e saj sikurse edhe me ty, por rezultatet nuk janë të njëjta. Gjithë ajo energji negative që ajo i ngarkon fëmijës së vet, ndikon shumë keq edhe në shëndetin e saj. Duhet të të themi faleminderit ty, sepse ti po na ndihmon shumë”.
Tani që përjetove, sfidove dhe përballove një sëmundje të tillë, mendon të bësh diçka sensibilizuese në të ardhmen, diçka më të madhe?
Fillimisht kam menduar të shkruaj një libër. Kështu që çdokush që kalon një vështirësi në jetë, duhet ta lexojë dhe të kuptojë vlerën që ka shpirti pozitiv në çdo gjë, në çdo përpjekje për t’ia dalë mbanë.
Si ka ndryshuar jeta e Ambrës pas operacionit?
Vazhdoj të kem ëndrrat e mia, dëshirat dhe mosdëshirat. Do të luftoj po kaq fort që një ditë të bëhem mjeke e të ndihmoj çdokënd që një ditë do të ketë nevojë si unë.
Sëmundja ka ikur përfundimisht?
Po. Thjesht çdo tre muaj duhet të bëj kontrollet në Gjermani.
Kush i mbuloi të gjitha shpenzimet e këtij rasti?
Shteti ynë nuk ka kontribuar. Të gjitha shpenzimet i ka bërë shteti gjerman. Në Shqipëri, Erion Veliaj rrogën e parë si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e kaloi në llogarinë e hapur për të më ndihmuar. Më ka ndihmuar shumë shoqëria civile, miqtë, familjarët dhe shumë njerëz që nuk më njihnin, por që besonin tek dëshira ime për ta mundur tumorin.
Mesazhi i Ambrës për të gjithë?
Luftoni, buzëqeshni dhe shijoni gjithçka të bukur që jeta ofron.



