Ankthi i zorrëve: Simptomat, shkaqet dhe mjetet për të stabilizuar situatën

Sa herë kemi thënë “kam një lëmsh në stomak” përpara një provimi, apo “ndihem sikur më është mërzitur stomaku” në një moment tensioni të madh? Në fakt, këto nuk janë thjesht shprehje: lidhja midis ankthit dhe sistemit tretës është reale, e thellë dhe po studiohet gjithnjë e më shumë nga shkenca.

Ankthi, stresi dhe shqetësimi, mund të përkthehen në simptoma fizike, dhe një nga objektivat më të shpeshtë është zorra. Ky fenomen njihet si “ankthi i zorrëve” dhe përfshin ndërveprimin kompleks midis trurit, sistemit nervor dhe sistemit tretës.

Çfarë është ankthi i zorrëve, dhe cilat janë simptomat më të zakonshme?

Ankthi i zorrëve, është një manifestim psikosomatik, në të cilin stresi dhe emocionet përkthehen në simptoma fizike që ndikojnë mbi sistemin tretës. Është një dukuri gjithnjë e më i njohur, në të cilin mendja dhe zorrët komunikojnë përmes një sistemi kompleks, duke dhënë sinjale trupore që nuk duhen injoruar, por duhen kuptuar dhe dëgjuar.

Nga një këndvështrim thjesht psikologjik, simptomat e ankthit të zorrëve mund të konsiderohen si një mesazh emocional i shprehur nga trupi. Supozimi bazë, është se trupi flet kur mendja nuk gjen asnjë mënyrë tjetër për të shprehur një konflikt të brendshëm emocional.

Në këtë kuptim, somatizimi nuk duhet parë si dobësi ose cenueshmëri, por si një gjuhë emocionale që duhet dëgjuar. Njohja e simptomave dhe lidhja e tyre, si një shprehje e përputhshme dhe koherente e përvojave të stresit, frikës ose pasigurisë, lejon hedhjen hapit  të parë drejt përpunimit psikologjik dhe kuptimit të shqetësimit.

Ankthi i zorrëve, nuk është vetëm një bezdi e përkohshme. Ai mund të zhvillohet në një çrregullim të plotë, që mund të dëmtojë rëndë cilësinë dhe funksionimin e jetës së përditshme. Thelbi i shpjegimit, qëndron në boshtin zorrë-tru: një rrjet komunikimi i vazhdueshëm midis sistemit tonë nervor qendror (pra trurit dhe palcës kurrizore) dhe sistemit nervor enterik (“Truri i dytë” që ndodhet në zorrë). 

Edhe pse shpesh nuk ka patologji organike të dukshme, shqetësimi i perceptuar është real dhe domethënës. Sindroma e Zorrës së Irrituar (IBS), e cila prek 10-20 për qind të popullsisë së përgjithshme, me një shpeshtësi 2-3 herë më të lartë tek gratë se sa tek burrat, është shembulli më përfaqësues.

Shpesh e panjohur, IBS trajtohet nganjëherë në një mënyrë jo të integruar, duke anashkaluar përvojën psikologjike dhe duke përkeqësuar vuajtjet fizike dhe emocionale.

‍Cilat janë simptomat e ankthit të zorrëve?

Simptomat më të zakonshme përfshijnë:

  • dhimbje barku
  • ngërçe
  • ënjtje
  • diarre e alternuar me kapsllëk
  • të përziera
  • ndjenjë e vazhdueshme e parehatisë në bark.

Disa njerëz, përjetojnë nevojën urgjente për të shkuar në banjo apo vështirësi në tretje, edhe pas vakteve normale. Disa faktorë kontribuojnë në shpeshtësinë e këtyre simptomave: prania e receptorëve të ndjeshëm ndaj stimujve të brendshëm në mukozën e zorrëve, prodhimi lokal i serotoninës dhe roli i qelizave imune siç janë qelizat mastocite, të cilat çlirojnë substanca inflamatore në përgjigje të stresit dhe ushqimeve irrituese.

Një inflamacion në shkallë të ulët, rritja e përshkueshmërisë së zorrëve dhe mbindjeshmëria viskerale, e përforcojnë perceptimin subjektiv të dhimbjes.

‍Pse ankthi ndikon tek zorrët?

Boshti mendje-zorrë, manifestohet me intensitet të veçantë tek njerëzit që janë më të ndjeshëm ndaj stimujve të brendshëm. Kjo edhe për shkak të karakteristikave të mësuara gjatë fazave të hershme të jetës, tipareve të personalitetit dhe modelit të lidhjeve sociale.

Përvojat e hershme të dhimbjes së stomakut të lidhura me stresin, mund të ndikojnë në sistemin nervor autonom dhe të lënë gjurmë në trup, duke e bërë atë më të prekshëm ndaj somatizimeve të ardhshme. Prandaj, psikologjia sugjeron një ndërhyrje që shkon përtej menaxhimit të simptomave.

Ajo përfshin edhe përpunimin e emocioneve që i gjenerojnë ato dhe historinë e sëmundjes. Kjo ndodh sepse sëmundja është një histori, të cilën personi mund ta zotërojë, dhe që e forcon ndjenjën e tij të identitetit. Boshti zorrë-tru është dykahësh.

Ai lidh sistemin nervor qendror me sistemin nervor enterik, përmes një rrjeti të dendur nervash, hormonesh dhe sinjalesh kimike. Kur truri percepton një kërcënim (edhe nëse është vetëm psikologjik), ai aktivizon sistemin nervor autonom (ANS), konkretisht reagimin “lufto ose ik”.

Kjo gjendje gatishmërie, ndryshon lëvizshmërinë e zorrëve, prodhimin e enzimave tretëse dhe rrjedhjen e gjakut në traktin gastrointestinal. Për më tepër, mikrobiota e zorrëve – miliarda baktere që jetojnë në zorrët tona – luan një rol kyç. Disa baktere “të mira”, prodhojnë neurotransmetues si serotonina, e cila është e përfshirë në rregullimin e humorit.

Për shembull, një studim eksperimental i vitit 2022, tregoi se si probiotiku Bifidobacterium adolescentis, mund të ketë efekte kundër ankthit dhe depresionet tek kafshët e nënshtruara ndaj stresit kronik, duke ndihmuar në uljen e inflamacionit dhe ribalancimin e përbërjes së mikrobiotës së zorrëve.

Por ky sistem, mund të funksionojë në mënyrë të pavarur nga truri qendror dhe dërgon shumë më tepër sinjale në tru se sa merr. Mesazhet nga zorra, ndikojnë tek zonat subkortikale të trurit, të përfshira në rregullimin emocional. Në rastet e mbindjeshmërisë, receptorët ndijorë të zorrëve mund të aktivizohen edhe me stimuj të dobët, duke shkaktuar simptoma të dhimbshme të përforcuara.

Inflamacioni i mukozës, prodhimi i substancave të tilla si histamina dhe serotonina, dhe rritja e përshkueshmërisë së zorrëve, mund ta bëjnë sistemin viskeral edhe më të ndjeshëm ndaj gjendjeve emocionale, duke kontribuar në një cikël vicioz midis ankthit dhe simptomave fizike.

A janë e njëjta gjë ankthi i zorrëve dhe Sindroma e Zorrës së Irrituar (IBS)?

Shpesh, fjalët që përdorim për të përcaktuar shqetësimin, kanë një funksion emocional dhe jo vetëm përshkrues. Të folurit për “kolitin nervor”, mund të ndihmojë në njohjen e një lidhjeje midis sferës emocionale dhe simptomave, por gjithashtu rrezikon ta banalizojë një gjendje që mund të ndikojë ndjeshëm tek cilësia e jetës.

Për këtë arsye, psikologët i inkurajojnë njerëzit që ta emërtojnë saktë problemin, duke kuptuar se si përvojat personale ndikojnë në trup dhe anasjelltas, dhe inkurajuar një proces ndërgjegjësimi dhe trajtimi. Të kuptuarit kur flasim për ankthin e zorrëve dhe për IBS (ose kolitin nervor) është thelbësor, për të shmangur keqkuptimet dhe për të përmirësuar menaxhimin e mirëqenies suaj.

Udhëzimet aktuale ndërkombëtare, e identifikojnë IBS si një çrregullim të vërtetë kronik funksional, ndërsa ankthi i zorrëve është një term më i përgjithshëm që shpesh përdoret në kontekste jo-klinike. Ky i fundit, përshkruan një sërë simptomash gastrointestinale të lidhura drejtpërdrejt me ankthin dhe stresin emocional.

Nuk është një diagnozë e saktë mjekësore, por një gjendje funksionale në të cilën zorrët shfaqin shqetësim psikologjik. Koliti nervor është një term i njohur, jo shkencor, që i referohet edhe çrregullimeve të zorrëve pa një shkak të qartë organik dhe që në praktikën klinike përputhet në përgjithësi me IBS-në.

Nga ana tjetër, IBS (Sindroma e Zorrës së Irrituar),është një gjendje mjekësore e përcaktuar nga kritere specifike diagnostikuese, dhe karakterizohet nga dhimbje të përsëritura të barkut të shoqëruara me ndryshime në zakonet e zorrëve, pa ndonjë ndryshim organik të dallueshëm. IBS mund të ndikohet nga faktorë psikologjikë, dieta, ndryshimet në mikrobiotë dhe inflamacioni i lehtë i mukozës së zorrëve. Pra ankthi i zorrëve është një nga shprehjet e mundshme të IBS-së, por nuk përkon gjithmonë me të. IBS kërkon një vlerësim të saktë klinik, ndërsa ankthi i zorrëve mund të jetë një shenjë e hershme e shqetësimit emocional të somatizuar, që mund të trajtohet për të parandaluar më të keqen.

‍Si ta luftoni ankthin e zorrëve: Kura psikologjike dhe emocionale

Parandalimi fillestar, ka të bëjë me kultivimin e përditshëm të mirëqenies psikologjike, përmes një stili jetese të ekuilibruar dhe dëgjimit të sinjaleve trupore. Ndërsa në parandalimin dytësor dhe tretësor – kur ka një diagnozë të konfirmuar mjekësore – bëhet thelbësore ndërhyrja psikologjike.

Ajo jo vetëm që trajton simptomën, por eksploron edhe kuptimin më të thellë të asaj që po komunikon trupi, duke nxitur një vetëdije më të madhe emocionale dhe një transformim të qëndrueshëm të shqetësimit. Emocionet e pashprehura, si zemërimi, trishtimi ose frika, gjejnë shpesh strehë në trup, veçanërisht në zorrë dhe në sistemin tretës.

Prandaj, një qasje terapeutike mund të ndihmojë në krijimin e një ure midis ndjesive fizike dhe përvojave të brendshme, duke lehtësuar transformimin e simptomave në vetëdije. Për më tepër, teknika të tilla si hipnoza ose psikoterapia e ndërmjetësuar nga trupi, po dëshmohen si mjete efektive për çrregullimet psikosomatike.

Një pjesë e rëndësishme e trajtimit, përfshin ndërgjegjësimin për trupin: të mësuarit për ta dëgjuar me vëmendje dhe respekt zorrën, mund të nxisë një dialog më të mirë midis trupit dhe mendjes. Teknikat e rregullta të relaksimit, jo vetëm që e zvogëlojnë tensionin muskulor dhe viskeral, por ndihmojnë edhe në modulimin e përgjigjes ndaj stresit duke ulur aktivitetin e sistemit nervor simpatik.

Për shumë njerëz, përfshirja e mjeteve krijuese ose fizike (si terapia e artit ose terapia e vallëzimit) është provuar gjithashtu e dobishme për zgjidhjen e ngërçeve të thella emocionale që reflektohen në trup. Adresimi i ankthit të zorrëve, do të thotë të punosh në dy nivele: fizik dhe mendor.

Teknikat e relaksimit janë hapi i parë efektiv. Për shembull, frymëmarrja diafragmatike ndihmon në qetësimin e sistemit nervor parasimpatik dhe zvogëlon tensionin viskeral. Një mjet tjetër i dobishëm është vëmendja e plotë: tërheqja e vëmendjes së vetëdijshme ndaj ndjesive trupore, ju lejon të thyeni ciklin vicioz midis mendimeve plot ankth dhe simptomave fizike.

Tokëzimi, ose ecja e herëpashershme zbathur në tokë, mund të ndihmojnë në rregullimin e aktivizimit të sistemit nervor. Në nivelin emocional, është thelbësore të njihni dhe të përqafoni emocionet tuaja: shumë nga simptomat, lindin pikërisht nga përpjekjet për t’i shtypur ose injoruar ato.

Mbajtja e një ditari, është gjithashtu një teknikë shumë e dobishme shprehëse në këto raste, dhe mund të integrohet me psikoterapinë. Kjo e fundit mund të ndihmojë shumë në kuptimin e shqetësimit të zorrëve, duke e integruar atë në një rrëfim më të gjerë personal.

‍Kur të kontaktoni një profesionist

Si mund ta kuptoni është koha për të kërkuar ndihmë? Kur simptomat e zorrëve vazhdojnë, ato shndërrohen në një burim shqetësimi të vazhdueshëm, e kufizojnë ndjeshëm jetën tuaj shoqërore ose ndikojnë mbi humorin tuaj. Ndaj është e rëndësishme të mos i nënvlerësoni ato.

Nëse shqetësimi nuk zgjidhet me ndryshime të vogla në stilin e jetës, ose nëse shoqërohet me ankth, pagjumësi, trishtim ose tension në marrëdhënie, atëherë mund të jetë një shenjë se mund të jetë diçka më e thellë që ka nevojë për vëmendje. Kërkimi i mbështetjes, nuk është shenjë dobësie, por guximi dhe vetëdije.

Të vizitosh një psikolog nuk është vetëm një akt shërimi, por edhe një gjest përgjegjësie ndaj vetes dhe marrëdhënieve të dikujt. Ata që jetojnë me simptoma të vazhdueshme të zorrëve, siç është IBS, kanë shpesh përvoja të mbushura me tension emocional: dinamika familjare jofunksionale, kërkesa të tepërta për kontroll, ngjarje të hershme traumatike ose situata stresuese në punë ose në marrëdhëniet familjare, trishtim të vazhdueshëm dhe situata emocionale përgjithësisht komplekse.

Në këto kushte, trupi bëhet një kanal i privilegjuar për të shprehur atë që nuk mund të thuhet.

Terapia psikologjike, mund të ndihmojë në deshifrimin e këtyre sinjaleve, në vërtetimin e asaj që ndjeni dhe në planifikimin e ndryshimeve konkrete.

Puna terapeutike fillon me ndërgjegjësimin për trupin, dhe zgjerohet për të analizuar historinë tuaj personale dhe modelet e lidhjeve sociale. Është një proces gradual, i cili që ju lejon të integroni simptomën në rrëfimin tuaj dhe ta transformoni ngadalë atë në një burim./Përshtati në shqip për Gazeta Shëndeti – Alket Goce

Postime të ngjashme

Vijojnë ndryshimet e drejtuesve, Lorena Arapi emërohet në krye të spitalit rajonal të Vlorës
Pse joga është zgjedhja më e mirë për njerëzit mbi 60 vjeç
Çmimi Nobel 2025 në Mjekësi: Zbulohet çelësi i vetëkontrollit të sistemit imunitar
Efekti i vjeshtës! Pse mungesa e dritës ndryshon humorin tuaj dhe si të rifitoni energjinë
Vdekja e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes në klinikën dentare, arrestohet mjeku Roland Xhaxho
Raporti i KLSH për Onkologjikun, si falsifikohej data e skadencës së ilaçit për të sëmurët me tumor
Aftësia për t’u mërzitur: Ilaçi i fshehur kundër ankthit modern
Vjeshta me viroza! 5 këshilla të arta për ta kaluar me shëndet të plotë