Nëse je me astmë, rrugët ku kalon ajri janë gjithmonë të inflamuara dhe me mukus. Këta tuba ku kalon ajri, janë të rrethuara nga muskuj, të cilët sa vijnë e kontraktohen dhe simptomat astmatike shtohen.
Astma është një sëmundje respiratore kronike, e cila kërkon kujdes dhe trajtim të vazhdueshëm. Në ekipin mjekësor që mbikëqyr dhe trajton një pacient me astmë është edhe fizioterapisti. Terapia respiratore që aplikohet tek pacienti asmatik është shumë e rëndësishme. Terapia respiratore që përdorim varet në bazë të pacientit dhe historikut të astmës që trajtojmë.
Atëherë si ndikon terapia respiratore tek një pacient me astmë?
Nëse je me astmë, rrugët ku kalon ajri janë gjithmonë të inflamuara dhe me mukus. Këta tuba ku kalon ajri, janë të rrethuara nga muskuj, të cilët sa vjen e kontraktohen dhe simptomat astmatike shtohen. Pra, nëse këta tuba ngushtohen, edhe frymëmarrja do të jetë më e vështirë duke shkaktuar siklet në frymëmarrje, kollë kronike, frymëmarrje të shkurtër, dhimbje gjoksi, zhurmë në frymëmarrje në formën e një fishkëllimi etj.
Në gjak nëse nuk kalon oksigjen i mjaftueshëm edhe muskujt ulin aktivitetin e tyre duke sjellë plogështi, lodhje të shpejtë tek pacienti, duke e çuar atë në një jetë sedentare, larg aktiviteteve fizike të përditshme.
Spirometri
Spirometri është një makineri me sensorë që mat forcën e frymënxjerrjes. Ne i themi pacientit të fryjë me forcë dhe shikojmë rezultatin në spirometër. Nëse kjo makineri mungon, atëherë në mënyrë manuale masim frekuencën respiratore duke vendosur duart midis hapësirave interkostale dhe i kërkojmë pacientit të marrë frymë normalisht dhe shohim sa herë merr frymë në një minutë.
Terapia respiratore
Terapia respiratore aplikohet nga fizioterapisti, i cili i njeh mirë teknikat dhe kondicionin e të sëmurit me astmë, në të kundërt, nëse nuk tregohet kujdes gjatë terapisë, nëse nuk masim frekuencën respiratore, nëse nuk dimë nga se është alergjik pacienti, nëse nuk masim tensionin, pulsin e pacientit dhe nëse nuk kemi marrë informacionin e duhur mbi pacientin, gjendja e tij komplikohet më shumë. Që të marrim përsipër të trajtojmë një të sëmurë me astmë duhet të dimë mirë çfarë do të bëjmë në fillim, në mes dhe në fund të terapisë.
Terapia respiratore nis menjëherë pasi janë marrë informacionet para aplikimit të saj. Kjo terapi konsiston në stimulimin e pacientit për të shkëputur si fillim mukusin nga rrugët e frymëmarrjes dhe lirimin e tubave të kontraktuar.
Pas aplikimit të kësaj terapie vijohet me mobilizim aktivo-pasiv të kontrolluar në bazë të gjendjes së pacientit.
Në fund të çdo terapie duhen mbajtur shënime në formë raporti dhe japim këshillat e nevojshme pacientit. Kujdes i veçantë në pacientët astmatike duhet treguar:
- Gjatë natës ose herët në mëngjes
- Gjatë ose në fund të ushtrimeve
- Gjatë ndryshimeve atmosferike
- Pasi kanë qeshur ose pasi kanë qarë
- Gjatë krizës astmatike
Efekti i fizioterapisë tek i sëmuri me astmë mbetet më i frytshmi, sepse ende nuk është gjetur një kurë e saktë për astmën. Por me anë të fizioterapisë dhe disa medikamenteve, simptomat minimizohen. Çelësi i kësaj sëmundjeje është aktivizimi me anë të një programi fizioterapeutik, dhe jo përdorimi i tepërt i medikamenteve, pasi dhe trupi fiton imunitet nga medikamentet dhe efekti i tyre fillon të zbehet duke çuar në përdorimin e një medikamenti më të fortë. / https://shendeti.com.al/


