Ateroskleroza, si të menaxhojmë faktorët e riskut

Bisedoi: Elona Tereziu

Ateroskleroza është një proces degjenerativ-inflamator që çon në formimin e pllakëzave yndyrore në arteriet e njeriut. Këto pllaka aterosklerotike ngushtojnë gradualisht enët e gjakut deri në bllokimin e plotë të tyre. Zakonisht shfaqet mbas moshës 45 vjeç për meshkujt dhe 55 për femrat.

Si shkaktarë kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e saj mendohet të jenë diabeti, hipertensioni, obeziteti (mbipesha), nivelet e larta të yndyrnave në gjak, jeta sedentare, duhanpirja, alkoli etj.

Elton Qeli, mjek kardiolog pranë Qendrës Shëndetësore nr. 5 në kryeqytet, flet për aterosklerozën duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek trajtimi dhe menaxhimi i faktorëve të rriskut.

Doktor, çfarë është ateroskleroza?

Ateroskleroza (baza mbi të cilën ndodhin të gjithë ndryshimet e enëve të gjakut) është procesi patologjik mbi të cilin zhvillohen ngjarje me rëndësi nga ana kardiake siç janë grumbullimi i pllakave yndyrore në brendësi të enëve të gjakut që ushqejnë muskulin e zemrës.

Si proces, zakonisht fillon herët, që në moshën e adoleshencës dhe zhvillohet në mënyrë graduale, e nxitur nga shumë faktorë “ndihmues” për aterosklerozën që ne i përcaktojmë në praktikën klinike si faktorë risku.

Në thelbin e saj, ateroskleroza është grumbullimi i materialit lipidik midis asaj që quhet intime dhe shtresës së mesme të enëve të gjakut që ushqejnë koronaret.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ateroskleroza mund të shfaqet vetëm në enët koronare të gjakut (enët që ushqejnë muskulin e  zemrës), pasi një proces i tillë ndodh edhe në enët që ushqejnë trurin (enët karotide dhe vertebrale).

Faktorët e rrezikut që precipitojnë mund të jenë shumë, duke filluar që nga hipertensioni arterial, diabeti mellitus, jeta sedentare, duhanpirja, obeziteti, faktorët e trashëgueshëm, ose gjenetika dhe alkoli në sasi jo të vogla.

Kështu që për të parandaluar evolucionin e këtij procesi është me shumë rëndësi ana praktike dhe klinike që ne të menaxhojmë ashtu siç duhet faktorët e rrezikut, për aterosklerozën.

Me çfarë simptomash klinike shoqërohet ajo?

Simptomat klinike që mund të shfaqen në këto raste varen gjithmonë nga ngjarja klinike ose nga eventi klinik që përjeton pacjenti.

Format klinike të aterosklerozës mund të jenë forma të qëndrueshme siç mund të jenë angina pectoris së qëndrueshme, por mund të jenë edhe forma të paqëndrueshme ose ata që quhen sindroma koronare acute që mund të shfaqet ose si angina pektoris së paqëndrueshme, ose si infarkt akut miokardi që mund të jetë vetëm i shtresës së brendshme të muskulit të zemrës (subendokardiak), ose  transmural, kur prek të gjithë shtresën e muskulit të zemrës.

Pra, varësisht shfaqjes klinike ne mund të shpjegojmë edhe simptomat  e çdo eventi. Zakonisht tek rastet që janë të qëndrueshme mund të shfaqet me dhimbje gjoksi në sforco me një prag të caktuar eforti, për shembull mbi 100 metra një pacient i caktuar mund të ndiejë dhimbje si rezultat i këtyre pllakave të qëndrueshme arterosklerotike në enët koronare.

Në rastin kur situata është e paqëndrueshme, atëherë këto dhimbje gjoksi shfaqen në eforte edhe më të vogla, madje shfaqen edhe në qetësi. Mund të shfaqen me intensitet më të fortë se dhimbjet  e karakterit të qëndrueshëm, mund të zgjasin më shumë në kohë dhe përgjithësisht nuk qetësohen kollaj nga trinitrina, e cila pretendohet që qetëson dhimbjet në kuadret klinike të qëndrueshme.

Sa shpesh haset ateroskleroza?

Në praktikën tonë të përditshme unë shoh që po rritet gjithmonë e më shumë numri i pacientëve që si rezultat i procesit të aterosklerozës shfaqin manifestime klinike. Moshat mbi 40 vjeç kanë një prevalencë gjithmonë e më shumë në rritje, më shumë meshkujt sesa femrat, por edhe femrat mbi moshën 55 vjeç kanë një rritje të numrit të rasteve që vijnë në klinikë, ose manifestojnë simptoma që lidhen me probleme të enëve të gjakut.

Në çfarë moshash haset më tepër?

Si proces biologjik, ateroskleroza zakonisht fillon që në moshën e adoleshencës, ku fillojnë dhe ndryshimet e para në enët e gjakut. Ndërsa manifestimet e saj klinike në formën e ngjarjeve kardiovaskulare shfaqen mbas moshës 40-50 vjeç. Zakonisht tek burrat shfaqet mbas moshës 45 vjeç dhe tek gratë pas moshës 55 vjeç, për shkak se këtu hyn në lojë edhe faktori i riskut i cili i bën meshkujt më të prirur për ngjarje kardiovaskulare krahasuar me femrat, pasi siç dihet tek gjinia femërore ndikojnë hormonet estrogjenike, të cilat i mbrojnë ato nga shfaqja e eventeve të tilla para moshës 55 vjeç.

Sa e zakonshme është shfaqja e saj tek moshat e reja?

Në moshat e reja fillon zhvillimi biologjik i këtij procesi, por që të shfaqet klinikisht është shumë e rrallë. Megjithatë, edhe nëse ndodh të shfaqet në forma klinike, nuk është se ka bazë tamam aterosklerozën. Ngjarja klinike ndodh më shumë me mekanizmat spastik të enëve koronare se sa me mekanizmin e aterosklerozës së avancuar që është karakteristike për moshat mbi 40 vjeç. Në shfaqjen e spazmave koronare tek moshat e reja, ndikojnë shumë marrja e substancave narkotike, si shkaktare të infarktit në moshat poshtë 30 vjeç.

Cili është rreziku tek personat diabetikë?

Nëse personi është dignostikuar me diabet, atëherë atij i del për detyrë të ruajë në kontroll regjimin e  tij, stilin e jetesës, mënyrën e ushqyerjes (duhet të respektojë me rigorozitet një dietë të caktuar nga specialisti i diabetit), duhet të ruajë nivele të përcaktuara të hemoglobinës së glukozuar, ose HbA1c e cila mirë është të ruhet poshtë vlerave 7% (HbA1c < 7%). Tek diabetikët nivelet e sheqerit në gjak duhet të jenë në shifra të kontrolluara, zakonisht nga 100-160 mg/dl, por pa kaluar shifrat 200.

Çfarë roli luan trashëgimia?

Trashëgimia, ashtu si për shumë nozologji të tjera, luan një rol shumë të rëndësishëm edhe në shfaqjen e procesit të arterosklerozës, dhe rrjedhimisht më vonë dhe të ngjarjeve kardiovaskulare qofshin ata të qëndrueshme ose të paqëndrueshme.

Me trashëgimi kuptojmë prirjen gjenetike që kanë subjekte të caktuara për të pasur probleme në  zhvillimin e aterosklerozës ndoshta më herët se subjekte të së njëjtës moshë.

Kjo ka të bëjë me ndryshimet gjenetike dhe mutacione të caktuara në shprehjen e geneve dhe në momentin e transkriptimit të tyre në proteinë të caktuara të cilat mund të jenë enzima ose mund të jenë kohfaktorë që ndikojnë në procese të caktuara të metabolizimit apo në biokiminë e enëve koronare.

Kështu që duke qenë se mund të zhvillohen këto procese, në këta njerëz që mendohet që ka një bazë/ prirje gjenetike, këto procese zhvillohen shumë më shpejt se në subjekte të së njëjtës moshë, zakonisht para moshës 40 vjeç.

Ndërlikimet më të rënda më të cilat shoqërohet ateroskleroza?

Ndërlikimet janë të llojeve të ndryshme, duke filluar nga zemra me infarktet e miokardit, insuficenca kardiake, hipertensioni, në tru me aksidentet cerebrale si rezultat i aterosklerozës së enëve karotike ose vertebrale. Mund të ndodhin prekje në veshka si rezultat i aterosklerozës së enëve renale, në sy me dëmtimin e retinës etj.

Si mund t’i menaxhojmë faktorët e riskut?

Faktorët e riskut janë të modifikueshëm dhe të pamodifikueshëm. Ato që janë të pamodifikueshëm, si mosha, gjinia, raca, ne nuk i ndryshojmë dot, ndërkohë që e kemi më të lehtë të ndërhyjmë tek faktorët e modifikueshëm siç është hipertensioni, diabeti, yndyrnat e larta në gjak, duhanpirja, jeta sedentare, stresi duke i mirëmenaxhuar siç duhet.

Rekomandohet, veçanërisht për pacientët që vuajnë nga hipertensioni, të kontrollohen vazhdimisht, ta mjekojnë atë siç duhet dhe të ndjekin këshillat e mjekut. Niveli i shifrave të tensionit është mirë që të mos kalojë mbi 14 me 9.

Gjithashtu këta pacientë duhet  të kontrollojnë shifrat e diabetit duke pasur si target hemoglobinën e glukozuar e cila duhet të jetë më pak se 7% tek diabetikët (HbA1c < 7%). Kontrollin e yndyrnave të larta në gjak me target LDL kolesterol (kolesteroli i keq) më pak se 100 mg për decilitër (LDL kolesteroli < 100 mg/ dl). Kolesteroli total duhet të jetë më pak se 200 mg për decilitër (Kolesteroli totoal < 200 mg/ dl). HDL kolesteroli duhet të jetë mbi 45 mg për decilitër (HDL  kolesterol > 45).

Ndërkohë ata që pinë duhan duhet patjetër ta ndalojnë atë, sepse vetë duhani është faktor risku që ndihmon procesin e aterosklerozës. Të evitohet sa më shumë stresi, të shtohet aktiviteti fizik dhe reduktohet pesha e cila nga ana e vet ndihmon dhe favorizon, qoftë tensionin qoftë diabetin.

Si realizohet trajtimi?

Trajtimin duhet ta kuptojmë në dy mënyra. E para është parandalimi që unë do doja të fokusohesha shumë, sepse para se të kalojmë në trajtimin e një sëmundje, më e mira është ta parandalojmë atë. Parandalim do të thotë të kesh në kontroll në maksimum, të gjithë faktorët e riskut që ndikojnë në progredimin e saj, në këtë rast të aterosklerozës në vite.

Përsa i përket trajtimit, por sigurisht edhe parandalimit unë do të përmendja antiagregantët siç është aspirina, një mendikament shumë i rëndësishëm për parandalimin e agregimit të ngjitjes trombocitare. Një parandaluese shumë e mirë për zhvillimin e mëtejshmë të procesit aterosklerotik, por edhe e ngjarjeve akute kardiovaskulare.

Një tjetër medikament shumë i rëndësishëm për këtë proces janë edhe statinat ose medikamentet që ndikojnë në nivelin e yndyrnave në gjak, sidomos të kolesterolit sepse vetë arteoskleroza si proces në thelbin e vet biologjik ka pllakat yndyrore dhe mirëmenaxhimi i nivelit të yndyrnave në gjak, por sidomos kolesterolit të përgjithshëm dhe kolesterolit të keq LDL kolesterol ka shumë rëndësi në mirëkontrollimin e këtij procesi. Në këtë kuptim, përveç aspirinës dhe statinës (antiyndyrorët) përbëjnë bazën e mjekimit antisklerotik, por njëkohësisht edhe antiishemik kur ndodhin e vente kardiovaskulare, krahas pastaj dhe grupit të preparateve që shtohen sipas rastit kur ndodhin evente të caktuara klinike./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Miopia - pandemia e shekullit 21! Okulisti: Alarmante tek fëmijët, ja shkaku
Gabimet më të zakonshme që mund të ndikojnë në kolesterolin tuaj
Mjeku Sotiraq Lako: Preparatet me bazë hekuri për mjekimin e anemisë
Përfitimet e lëngut të Aloe Verës për shëndetin: Çfarë thotë shkenca
Testi i thjeshtë që zbulon në pak minuta nëse një fëmijë ka autizëm
Era e trupit, kur sinjalizon probleme shëndetësore
Impetigo Bakterial: Një infeksion i shpeshtë në sezonin e verës – Këshilla nga Dr. Tritan Kalo
Anemia, rrezik i fshehtë për shëndetin! Simptomat që nuk duhet t’i injoroni