Hasan Guri, një banor i Yzberishtit, denoncon në emisionin “Stop” se ka vajzën të sëmurë me sindromën down dhe paraplegji inferiore. Ajo trajtohet me KEMP dhe duhet të përfitojë 100 mijë lekë të vjetra, aq edhe për kujdestarinë dhe paketën higjeno-sanitare.
Por për këtë të fundit, shërbimi social e sorollat prej 6 muajsh. Gazetarja e emisionit i drejtohet KMCAP-it epror, shërbimit social dhe zgjidh problemin e zotërisë dhe vajzës së tij të paralizuar.
“Kam një fëmijë shumë të sëmurë. Vajza ime është 28 vjeç dhe vuan nga sindroma down. Nuk ngrihet fare në këmbë e as nuk flet, është edhe me diabet.
Vajza trajtohet me KEMP dhe merr 200 mijë lekë, 100 mijë lekë merr kujdestari dhe 100 mijë lekë vajza. Komisioni më ka sorrollatur dhe nuk më ka dhënë paketën higjeno-sanitare. Vetëm pampersat shkojnë 80 mijë lekë.
Më datë 15.06.2017, doktor Altin Kuqo, me gjithë shokët, ka dhënë këtë shkresë. E dorëzova te shërbimi social dhe ai më tha do ta kërkosh te komisioni i Qemal Stafës, ata më sorrollatën këto 6 muaj dhe pastaj më thanë që e ka në dorë po ai person që më largoi, dokor Besimi”, shprehet Hasan Guri i përlotur.
Ai tha se edhe pse kanë kaluar plot 6 muaj, ende nuk ka marrë përgjigje nga institucionet përkatëse për të përfituar paketën higjeno-sanitare që i nevojitet të bijës.

