Nga Noela Yzeiri
Unë jam një shqiptare e Çamërisë. Shqiptarët çamë që nga data 27 qershor 1944, u gjendën të vetëm ballë përballë mizorive të egra të ushtrisë shoviniste greke.
Nga muaji qershor 1944 deri në vitin 1945 ushtria shoviniste greke rrënoi 68 fshatra dhe 5.800 shtëpi dhe xhami çame. Ushtarët shovinistë grekë masakruan 214 gra, 96 fëmijë, gjithsej 3.242 civilë çamë. Ushtarët shovinistë grekë përdhunuan 745 gra, rrëmbyen 76 gra dhe masakruan me bajoneta 32 foshnje nën moshën3 vjeç.
Unë ndjej dhimbje për të parët e mi por nuk i urrej grekët. Për t’i bërë ballë luftës, gjyshi im Ahmet Çafuli, një shqiptar mysliman dhe miku i tij grek Mihal Koçi strehuan në momente të vështira, familjet e tyre tek shtëpitë e njëri tjetrit.
Jam e sigurt se njerëzit nuk e duan luftën, besoj se ata aspirojnë një bashkëjetesë të paqtë midis tyre. Popujt nuk mund të mbajnë përgjegjësi për gabimet e politikës, detyra e tyre është të reflektojnë për një të ardhme më të mirë që kapërcen konfliktet dhe ndasitë e të shkuarës. Është e çuditshme sesi ballkanasit që kanë një temperament aq të ngjashëm me njëri tjetrin dhe një profil etno – kulturor me shumë karakteristika të përbashkëta, kanë prodhuar aq shumë luftë dhe urrejtje mes njëri – tjetrit. E dhimbshme për këta popuj që edhe legjendat e përrallat i kanë njësoj, dhe madje njësoj i tregojnë … me zë të lartë dhe pathos. Tek legjendat fshihet shpirti. Trualli që duhet të lëmë fëmijëve tanë duhet të burojë nga ky shpirt dhe nga arsyeja evropiane. Ekziston një rrezik real që në kontekstin gjeopolitik rajoni të përfshihet në një luftë për pushtet dhe se keqpërdorimi i ndasive historike të ndezë konflikte të reja. Ekziston edhe një përgjegjësi e veçantë për liderët e rajonit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, si një parakusht për prosperitet dhe zhvillim demokratik. Ballkanit nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta shohë të ardhmen e tij në një perspektivë të përbashkët evropiane si rruga e vetme e shkëputjes me të shkuarën dhe arritjen e disa standardeve që i bëjnë mirë popujve të tyre dhe bashkëjetesës në truallin e përbashkët.
“Ne shikojmë – shkruan Hegeli, një tablo të madhe ngjarjesh dhe veprimesh, formacionesh kulturore pafundësisht ndryshe popujsh, shtetesh, individësh … në një ndodhi të pashkëputur…ngado propozohen dhe vihen kufij…Gjatë rrjedhës së këtyre ngjarjeve ne shikojmë njeriun që vepron dhe vuan, një realitet si i yni ndodhet kudo dhe prandaj interesi ynë për atë që ndodh nuk mund të jetë veçse i përbashkët. Historia është një mutacion i vazhdueshëm dhe realizim i arsyes. Është arsyeja që udhëheq botën dhe bota nuk është gjë tjetër veçse historia e të qenit të vetëdijshëm për lirinë.”
Kështu që “lufta” duhet të jetë vetëm një luftë idesh për një botë më të mirë dhe një Ballkan i cili shkon drejt integrimit evropian dhe respektimit të vlerave të fqinjësisë së mirë. Këtë synon të promovojë dhe nisma e ndërmarrë nga një grup organizatash ndërkombëtare të rajonit e më gjerë, “Divided Past-Joint Future”. Përtej Barrierave si implementuese për Shqipërinë e këtij projekti 4 vjeçar ka nisur fushatën e saj për të promovuar paqen, dialogun dhe mirëkuptimin, me besimin dhe shpresën se të rinjtë janë ata që më shumë se kushdo mund të ndryshojnë të ardhmen dhe të ecin përpara me paqen që i udhëheq.
