Përgatiti për gazetën “Shëndet+” dhe Shëndeti Online: Elena Beta
“Kërkojeni ndryshimin tek vetja! Nëse ndryshimi nuk vjen nga ju, mos e prisni nga askush tjetër”, kështu u shpreh znj. Edlira Çepani, aktiviste nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje”, gjatë fjalës të saj në aktivitetin e organizuar nga shoqata “Together for Life” në kuadër të projektit “Promovimi i barazisë gjinore në arsimin profesional”. Ky aktivitet u zhvillua në shkollën e mesme “Harry Fultz” me mbështetjen e UN Women, UNDP dhe me fonde të Qeverisë Suedeze.
“Nuk është rastësi që ne përzgjodhëm shkollën “Harry Fultz” për realizimin e këtij aktiviteti, pasi ju renditeni si një nga shkollat me reputacionin më të mirë, në rang republike, kjo për faktin se kjo shkollë, këto klasa kanë nxjerrë ekselentë, qoftë vajza qoftë djem. Ne kemi zgjedhur pikërisht 8 Marsin, pasi kjo është një datë e njohur për të gjithë ju, edhe pse në fakt tema jonë kryesore sot është barazia gjinore sidomos në arsimin profesional, në vendet e punës dhe në çdo hap të jetës”, tha Eglantina Bardhi në fjalën e saj përshëndetëse, duke falënderuar drejtoreshën e shkollës dhe stafin e mësuesve për bashkëpunimin.
Si një-ish nxënëse e kësaj shkolle, aktiviste në shoqërinë civile dhe gjithmonë në mbështetje të kauzave të tilla, Edlira Çepani foli më gjatë për çështjen e barazisë gjinore, duke theksuar se nuk mjafton një ditë e vetme për të ngritur zërin për të drejtat e barabarta, jo vetëm për të drejtat e grave dhe vajzave por dhe për të drejtat e burrave dhe djemve, sepse ata që luftojnë për barazi gjinore janë ata që besojnë se të drejtat duhet të jenë të barabarta, pa diskriminime pozitive as nga njëra anë as nga tjetra.
“Ne jemi Shqipëria dhe jemi vendi i shqiponjave. Keni parasysh që shqiponja nuk lufton dot kurrë me një krah. Në qoftë se në një krah janë burrat dhe djemtë e Shqipërisë, në krahun tjetër, pa të cilin nuk fluturon shqiponja, janë gratë dhe vajzat e Shqipërisë.
Ne kemi një popullsi 50 me 50, kështu që në qoftë se duam të fluturojmë lart, duhet të fluturojmë të gjithë bashkë me shanse dhe të drejta të barabarta”, përfundoi Çepani, duke lënë kështu një hapësirë për diskutim nga nxënësit e pranishëm në aktivitet.
Duke dashur të ndajë eksperiencën e saj personale, Klea Bega, një nga vajzat që studion sot në shkollën e mesme “Harry Fultz” viti i katërt Elektronikë, njëkohësisht dhe presidente e shkollës, tha se vendimin për të ndjekur një degë elektronike e ka marrë në një moshë të vogël, por kjo zgjedhje e saja nuk ka qenë zhgënjyese.
“Ndër vite është menduar se elektronika është një degë për meshkuj, dhe kjo në fakt është e padrejtë, sepse ky nuk është një tregues që femrat janë të paafta për ketë degë.
Të them të drejtën, i pari njeri që nuk ishte dakord me vendimin tim, ishte babai. Ai nuk ishte dakord me idenë që unë të vazhdoja Elektronikën, por tashmë po bëj katër vite që po merrem me këtë degë, dhe jam akoma më e sigurt dhe më e kënaqur me vendimin që mora” vijoi Klea, duke inkurajuar të gjitha ato vajza që kanë pasion të veçantë për lëndët elektronike të ndjekin gjithmonë pasionin e tyre për të shkuar drejt suksesit të garantuar.
Një tjetër nxënës ekselent i kësaj shkolle, Aldi Shehu viti i tretë Elektronikë, foli më shumë për situatën në shkollë, ku është shumë e dukshme që 85% e nxënësve janë djem, edhe të gjithë mund ta aprovojnë se ka mungesë të theksuar vajzash.
Ai u shpreh se vajzat nuk kanë qenë asnjëherë të ndaluara të vijnë, por është mentaliteti që ua ndalon atyre të bëjnë një profesion të tipit Inxhinieri, Bujqësi, Shkenca. Në një shoqëri si kjo e jona, nuk mund të fuqizohen të gjithë palët, nuk mund të jenë të gjithë, djemtë dhe vajzat me fuqi të barabarta, sepse hierarkia dhe zgjuarsia e shoqërisë tonë, niveli i arsimimit krijon diferenca, por burrat dhe gratë mund të jenë të lirë dhe të respektuar në të njëjtën mënyrë.
Për të përmbyllur mendimin e tij, Aldi zgjodhi një nga shprehjet e Volter:“Dielli lind njësoj për të gjithë”!
Në vazhdim nxënësit shkëmbyen mendimet e tyre lidhur me reduktimin e stereotipave gjinore në të ardhmen, duke u shprehur të hapur për bashkëpunime të tjera lidhur me këtë pikë ende të dobët të shoqërisë sonë./ https://shendeti.com.al/


