Kryefaqja Aktualitet Bashkia Lezhë, 7 vite dështim për ndarjen e mbetjeve në burim

Bashkia Lezhë, 7 vite dështim për ndarjen e mbetjeve në burim

0
Shpërndaje

Emanuel Smaka

“Të gjitha llojet e mbetjeve i hedhim në një kosh. Procesi i ndarjes nuk ka filluar akoma”.

Kjo është përgjigjja e prerë që marrim nga një i moshuar lezhjan, që e takojmë në sheshin para Bashkisë.

“Janë bërë disa përpjekje për këto ndarjet që thoni ju, por tek ne ka vetëm 1 kosh për të gjitha llojet e mbeturinave”, tregon qytetari.

Iniciativa

Ambicia konkrete e Bashkisë Lezhë për diferencimin e mbetjeve në burim nisi në vitet 2010-2011. Vite më pas, në 2014-n ish-kryebashkiaku i asaj kohe, Viktor Tushaj deklaroi për mediat se po synohej  ndryshimi i raporteve të mëparshme mes mbetjeve të riciklueshme dhe mbetjeve urbane organike.

“Do të bëjmë të mundur që ne të mbledhim mbetje të riciklueshme dhe të vendosim në punë industrinë e mbetjeve”, shprehej Tushaj gjatë muajve të parë të implementimit të projektit.

Por, krahas daljeve publike të ish-zyrtarëve të bashkisë, situata në vitet që pasuan ishte e njëjtë. Për qytetarët e Lezhës dhe banorët e ish-komunave ishte e pamundur të bëhej ndarja e mbetjeve në burim. Kjo për dy arsye kryesore: Bashkia në vitin 2014 mbulonte vetëm një pjesë të papërfillshme të territorit me kosha për mbetje të diferencuara, ndërsa nga ana tjetër informacioni për këtë nismë mungonte.

Për administratën aktuale të Bashkisë, procesi i diferencimit në vitet 2010-2014 nuk arriti të realizohej për shkak se institucionet dhe entet private nuk kishin bashkëpunim të qëndrueshëm.

“Procesi nuk funksionoi për efekt të mosdakordësisë së strukturave të ish-Bashkisë Lezhë me operatorët si dhe me nivelin kombëtar”, vlerëson administrata aktuale përmes një përgjigjeje zyrtare me shkrim.

Edhe pse Lezha në fillimet e saj ishte ndër bashkitë e para që synoi ndarjen e mbetjeve në burim, kanë kaluar 7 vite dhe situata nuk ka pësuar ndryshime. Investime ka patur, por që rezultati është i njëjtë. Ndërmerren iniciativa disamujore, ndërsa mbetjet përfundojnë të gjitha në të njëjtin vend.

Situata aktuale

Bazuar në ligjin e vitit 2011 për “Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, Bashkia Lezhë thotë se ka nisur sërish përpjekjet për diferencimin e mbetjeve që në burim. Kjo përfshin ndarjen e tyre sipas kategorive, menaxhimin dhe depozitimin e mbetjeve të papërdorshme në landfillin e Bushatit me të cilin sipas të dhënave, ka lidhur sërish kontratë në prill të këtij viti.

“Bashkia Lezhë ka realizuar planin e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane, ku parashikon ndarjen e Bashkisë në tri zona funksionale. Në muajin shtator të vitit 2017 janë përmbushur të tre kontratat e shërbimit me operatorë nga ana e Bashkisë sipas zonave të shërbimit”, tregon Petrit Marku, drejtor i Integrimit dhe Programeve te Zhvillimit në Bashkinë Lezhë.

Administrata aktuale thotë se ka bërë përpjekje për mbulimin e territorit me kontenierë të diferencuar, megjithëse situata është thuajse në fazat e para.

“Mbulohet i gjithë qyteti i Lezhës dhe Shëngjinit me kosha sipas kategorive, qendrat urbane të njësive administrative si dhe akset kryesore rrugore pranë bizneseve. Në total kemi afro 40%-50% të sistemit të vendosjes se kontenierëve edhe për mbetjet e diferencuara”, shprehet Marku në përgjigjen zyrtare të dhënë për “Shëndet +”.

Megjithatë, situata në terren nuk është kaq optimiste. Nga verifikimet e bëra në qytetin e Lezhës, në shumë lagje akoma mungojnë totalisht koshat për diferencimin e mbetjeve në burim. Kjo hedh poshtë pretendimet e Bashkisë se procesi për seleksionimin e mbetjeve ka nisur të ketë sukses.

Në qendra rurale, implementimi i këtij projekti pothuajse nuk ka nisur fare. Në fshatin Shënkoll, qendër e njësisë administrative me të njëjtin emër, një kosh i vendosur fillimisht për diferencimin e mbetjeve është totalisht jashtë funksionit. Banorët e këtij fshati pranojnë se në asnjë rast nuk i kanë diferencuar mbetjet në burim. Sipas tyre, kjo pasi koshat që nga momenti i vendosjes nuk kanë qenë efiçentë.

Nuk kanë qenë të vlefshëm këta koshat për letër, plastikë e mbeturina të tjera. Pastaj edhe kur vijnë për t’i mbledhur, vetëm një makinë shohim. Të gjitha llojet e mbetjeve ngarkohen në një makinë të vetme”, thotë një banor i fshatit.

Në bazë të këtyre deklarimeve të banorëve, procesi diferencues rezulton një farsë në Bashkinë Lezhë, ashtu si edhe në bashki të tjera të vendit.

Problematikat e ngritura

Problemet sa i përket menaxhimit të integruar të mbetjeve në Bashkinë Lezhë janë evidentuar disa herë në media.

Një grup gazetarësh bënë gjatë muajit shkurt të këtij viti një hetim mbi menaxhimin të integruar të mbetjeve në disa qytete. Sa i përket Lezhës, sipas gazetarit Andi Bora, ka mjaft probleme serioze, duke marrë parasysh faktin se mbetjet e këtij qyteti depozitohen në landfillin e Bushatit.

“Kemi vëzhguar nga afër 7 qytete të Shqipërisë, të cilat përballen më vështirësitë e menaxhimit të mbetjeve. Konkretisht për Lezhën, mendoj se iniciativat e marra nga Bashkia për diferencimin e mbetjeve që në gjenezë janë të pavlefshme për një arsye kryesore; në fund të ditës të gjitha mbetjet mblidhen në një kamion dhe depozitohen në vendgrumbullimin e Bushatit, i cili tashmë i ka humbur funksionet e tij si landfill. Them kështu sepse nuk mbart brenda tij vetëm mbetje të dekompozueshme, por edhe mbetje, të cilat janë lehtësisht të riciklueshme”, tregon gazetari Andi Bora.

I pyetur në lidhje me këtë situatë, drejtori i Integrimit dhe Programeve te Zhvillimit, Petrit Marku tha se kompanive private u është kërkuar që të kenë një qendër të ndërmjetësimit të mbetjeve, ku do të bëhet ndarja para se të dërgohen në landfill.

“Qendra e ndërmjetësimit të mbetjeve ndodhet në Milot dhe kompanitë bëjnë seleksionimin e mëtejshëm, sepse jemi të vetëdijshëm që ndarja në burim nuk bëhet siç kërkohet”, tregon Marku.

Po nga ana tjetër, nga verifikimet e kryera në zona të ndryshme të qytetit të Lezhës, na rezulton se shumë mbeturina të gjeneruara kanë përfunduar në përrenj, shtretërit e lumenjve apo në bregdet.

Për të rritur ndjeshmërinë qytetare, Bashkia Lezhë thotë se ka ndërmarrë një fushatë 3-mujore për informimin e qytetarëve.

“Problem i vlerësuar nga Bashkia Lezhë është ndarja e mbetjeve në burim nga ana e familjeve apo edhe e bizneseve si edhe senbilizimi i qytetarëve. Bashkia Lezhë, e mbështetur edhe nga organizata dhe institucione të tjera po punon aktualisht për senbilizimin e qytetarëve për ndarjen e mbetjeve nga ana e familjeve dhe bizneseve. Kjo fushatë do të vazhdojë gjatë 3 muajve në vijim”, shprehet Petrit Marku.

Fushata të tilla sensibilizuese janë zhvilluar edhe në vitet e mëparshme, por përpjekja për ndarjen e mbetjeve është akoma në fillimet e saj dhe përveç shpenzimit të parave, rezultatet kanë qenë të papërfillshme.

Zyrtarët e Bashkisë  premtojnë se synimet mund të arrihen. Nga ana tjetër, ata nuk mund të japin një afat se kur mund të nisë me sukses diferencimi i mbetjeve dhe ripërdorimi i një sasie të caktuar.

“Bashkia Lezhë është e vendosur për menaxhimin e mbetjeve bazuar mbi planin e menaxhimit të integruar të mbetjeve 2017-2021 duke marrë parasysh sfidat dhe rreziqet e këtij procesi”, shkruhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Lezhë për gazetën “Shëndet +”.

Premtimet për diferencimin e mbetjeve dhe riciklimin e tyre, kanë rezultuar pa asnjë efekt konkret. Ashtu si Lezha, vonesa e shumë bashkive të tjera në këtë proces rrezikon të mos përmbushë standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Menaxhimi i mbetjeve në bregdet

Edhe pse në fillim të sezonit turistik të këtij viti, në pikën turistike të Shëngjinit u bënë përpjekje për pastrimin e vijës bregdetare, problemet sa i përket menaxhimit të mbetjeve ishin prezente gjatë gjithë sezonit. Edhe në “Ranën e Hedhun”, që njihet si prej zonave më të veçanta dhe të paprekura të bregdetit Adriatik, pati probleme.

Prania e lartë e mbetjeve në këtë zone shqetësoi pushuesit, të cilët herë pas here postonin foto apo video në rrjete sociale, por në një periudhë afatshkurtër Bashkia u tregua e pafuqishme për të menaxhuar situatën.

Sa i përket kësaj, një tjetër zyrtar i Bashkisë Lezhë, duke folur në kushtet e anonimatit, tha për “Shëndet+” se situata gjatë sezonit turistik, krahas numrit të lartë të turistëve, u krijua si pasojë e keqmenaxhimit dypalësh Bashki-kompani private.

“Sivjet kishte probleme në plazh, sepse sapo kishte filluar firma punën. Ndodhën disa defekte. Ishte keqmenaxhim i firmës dhe i yni realisht. Nuk parashikuam një fluks aq të lartë. Bizneset ndërkohë donin vetëm të fitonin”, tregon zyrtari pranë Bashkisë.

Sipas tij, fushata elektorale që lamë pas ka krijuar vështirësi sa i përket kërkesës së llogarisë kundrejt operatorëve privatë për plotësimin e detyrave të lëna.

“Fushata elektorale në të vërtet na ka krijuar probleme. Gjatë asaj periudhe edhe nuk mund të ndërhynim për shkak se dikush është i kryeministrit, dikush i njërit apo i tjetrit”, tregon i njëjti burim.

Statistika të përgjithshme

Në statistikën për vitin 2016, për mbetjet e ngurta urbane në rang vendi, Instituti i Statistikave (INSTAT) ka dalë në rezultatin se Shqipëria ka menaxhuar një numër më të ulët të mbetjeve sesa në vitin 2015.

“Në vitin 2016 rezulton të jenë menaxhuar 1.3 milionë tonë mbetje nga 1.4 milionë tonë në vitin 2015, duke shënuar një rënie me rreth 8 pikë përqindje. Ndërsa sasia vjetore e mbetjeve të gjeneruara për banorë në shkallë vendi ka patur luhatje të vazhdueshme, kjo shifër ishte 373 kg/banor në vitin 2016, ndërsa 396 kg/banor në vitin 2015”, thuhet në raportin e publikuar së fundmi nga INSTAT. Sa i përket riciklimit të mbetjeve, INSTAT vlerëson se ka patur një tendencë rënie gjatë 2016-s.

“Riciklimi i mbetjeve ka ruajtur afërsisht të njëjtin nivel treguesish me tendencë në rënie. Në vitin 2016 u ricikluan 17.2 % e sasisë totale, ndërsa në vitin 2015 u ricikluan 25,3 %, në vitin 2014 21,6 %”, shkruhet në raportin e INSTAT./ Shendeti.com.al

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here