Intervistë me kandidatin e djathtë për Bashkinë e Kukësit, Bashkim Shehu
Cilat janë planet tuaja lidhur me mjedisin?
Mjedisi sigurisht që ka rëndësi të madhe e duke qenë i tillë do të ketë përparësi. Vetë pozita gjeografike e Kukësit e bën një vend atraktiv, gjë e cila duhet të na vërë në lëvizje për të vënë dorë në këtë sektor. Nuk mund të lëmë pa përmendur politikat degraduese të mjedisit të ndjekura prej dy vitesh. Qindra hektarë pyje e kullota po përpihen nga kompani koncensionare që shfrytëzojnë pa kriter mineralet e hekur nikelit, kromit e bakrit. Në qytet janë shkatërruar dhjetëra sipërfaqe të gjelbërta e hapësira publike duke u kthyer ne
betonizim. Ka problem me kanalizimit e ujërave të bardha e të zeza që derdhen në mënyrë të pakontrolluar e për të gjitha këto do të marrim masa të menjëhershme. Do të bëjmë kërkesë për rishikimi e koncensioneve që kanë të bëjnë me shkeljen e lejeve mjedisore për shfrytëzim mbi sipërfaqen e përcaktuar në kontratë, ndërsa për problemet e hapësirave të gjelbra sigurisht që ka projekte konkrete për mirëmbajtjen e atyre ekzistueseve dhe shtimin e sipërfaqeve të tjera.
Sa për qind të buxhetit do të zërë mjedisi?
Është ende herët të përgjigjesh për diçka të tillë që nuk është menduar ende nga mazhoranca se si do të funksionojnë bashkitë pas 21 qershorit. Pra, ende nuk ka asnjë ligj apo akt nënligjor që të përcaktojë kompetencat, vartësinë e institucioneve etj. Sigurisht që mjedisi do të marrë atë që i takon sipas projekteve të hartuara nga specialistët tanë dhe vlerësimit të situatës.
A keni biseduar me një grup ekspertësh për problemet më të mprehta të qytetit? Cilat? Si do t’i realizoni?
Specialistët e mjedisit kanë qenë pika kyçe e referimit të problemeve mjedisore. Për fat të mirë në Kukës nuk mungojnë specialist të zotë që i kanë kushtuar një jetë të tërë kësaj fushe dhe ne jo vetëm që kemi biseduar, por i kemi bërë pjesë të hartimit të programit tonë qeverisës. Mendimet e tyre janë shumë të vlefshme. Kemi diskutuar dhe marrë në konsideratë problemet për urbanizimin, hapësirat e gjelbra, mbetjet urbane, liqenin e Kukësit, landfillin etj.
Ligji “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” parashikon grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në çdo bashki brenda vitit 2018. Si do ta realizoni?
Është një projekt i vlerësuar maksimalisht nga stafi ynë. Së pari, Kukësit i mungon një landfill dhe ky është një problem i evidentuar e që do të zgjidhet në një kohë të afërt. Grumbullimi i diferencuar i mbetjeve, krahas infrastrukturës, gjë e cila në bashkinë aktuale mungon. Nuk ka mjete pastrimi që të kryejnë në mënyrë automatike gjatë pastrimit të qytetit. Pra, nevojitet zgjidhja e problemit të makinerive funksionale, më pas një fushatë sensibilizimi në komunitet e së bashku me infrastrukturën e nevojshme për diferencimin e mbetjeve sipas përkatësisë urbane, plastike, qelqi etj, do të bëjnë të mundur që edhe ky problem të vihet për zgjidhje.
Gjelbërimi vazhdon të mbetet problem për çdo bashki. A përfshihet kjo në planet tuaja dhe çfarë konkretisht?
Në qytetin e Kukësit sipërfaqet e gjelbra janë cunguar së tepërmi. Mungojnë parqet çlodhëse për grupmoshat e ndryshme, një gjelbërim i pastudiuar mirë dhe jo funksional, duke mos qenë rezistent sipas stinëve, uzurpimi nga ndërtimet pa kriter dhe shtesat e pallateve e bëjnë gjelbërimin një problem madhor. Ekspertët tanë pas vlerësimit të situatës kanë menduar edhe për zgjidhje.
Ka projekte që do të financohen nga bashkia, por edhe bashkëpunimi me qytetarët, bizneset dhe nuk është se ka nevojë për financime të mëdha.
Sa i takon energjive të rinovueshme të cilat janë prioritet i vendeve të Bashkimit Evropian, a do keni ndonjë strategji për zhvillimin e tyre edhe në Bashkinë që do të drejtoni?
Energjia e rinovueshme ka disa vite që është vënë në zbatim në Kukës. Ka dhjetëra HEC-e të vegjël të ndërtuara nga kompani koncensionare e për fat të mirë Kukësi ka mjaftueshëm hapësira për shfrytëzim. Jo vetëm që janë projekte fitimprurëse për ata që i kanë ndërtuar, por edhe implementimi i disa projekteve në shërbim të komunitetit nga vetë investitorët, siç janë kanalet vaditëse, disa rrugë kanë qenë rezultative dhe të prekshme.
Qyteti juaj ka një pasuri të madhe, siç është liqeni që e rrethon si gadishull qytetin. Ai rezulton i ndotur nga mbetjet që vijnë kryesisht nga Kosova e Maqedonia, por dhe nga ujërat e zeza e mbeturinat e qytetit të Kukësit. Si mendoni ta mbani të pastër dhe të kthehet në burim për zhvillimin e turizmit?
Mendoj se fenomeni i ndotjes së liqenit është një problem shqetësues, por jo pa zgjidhje. Mjafton që të ketë angazhim serioz nga qeveritë respektive të Shqipërisë e Kosovës për të frenuar këtë fenomen. Me aq sa dimë, nga ana e komunës së Prizrenit janë ndërmarrë nisma konkrete për ndërtimin e impianteve të pastrimit të Lumbardhit që përshkon qytetin e Prizrenit, nga i cili vjen pjesa dërrmuese e ndotjes.
Kjo nuk do të mjaftojë për të respektuar detyrimet që kanë palët për liqenin e Kukësit, të cilin ne do ta kthejmë në një destinacion turistik. Paralelisht ne do të gjemë mundësitë për ta pastruar në mënyrë periodike, dhe jo me sezone. Do të gjejmë mënyra e forma jo vetëm për pastrimine tij, por edhe peshkëzimin. Dikur nga liqeni i Kukësit siguroheshin tonelata peshk, një pjesë e të cilit shkonte edhe për import.



