Njësitë e lëvizshme, ajo e mamografisë dhe e kontrollit bazë prej dy ditësh ndodhen në Dajç të Shkodrës për të bërë kontrollet bazë në popullatën 40-65 vjeç, si dhe depistimin ndaj sëmundjeve tumorale të gjirit tek gratë. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka qenë sot pranë Qendrës Shëndetësore të Dajçit për të parë nga afër se si po funksionojnë ekzaminimet në popullatë.
Sipas Beqajt, duke filluar që nga 1 Shkurti, vizitat janë më të lira, kurse mjeku i familjes pa pagesë. “Ne po përpiqemi që përveçse t’ju ofrojmë kujdes shëndetësor, ju të mos paguani, ta sjellim edhe sa më pranë aty ku jetoni, përveç kontrollit pa pagesë, tashmë edhe mjekun e familjes e keni pa pagesë. Duke filluar nga data 1 shkurt edhe vizitat e tjera janë edhe më të lira. Nga ana tjetër, kemi përmirësuar kushtet për sëmundjet e zemrës së diabetit dhe së shpejti do të hapim edhe dializën” ka pohuar Beqaj.
Mjeku i Qendrës Shëndetësore të Dajçit, Denis Fasllia ka pohuar se në këtë zonë janë 2089 persona të moshës 40-65 vjeç të cilët po i nënshtrohen kontrollit bazë pa pagesë nëpërmjet njësisë së lëvizshme. “Mjekët dhe infermierët e qendrave shëndetësore po punojnë me një ritëm shumë të shpejtë gjatë këtyre ditëve për të bërë të mundur kontrollin e të gjithë banorëve”. Sipas tij, QSH Dajç ju shërben 6574 banorëve.
Nga ana tjetër, Ministri Beqaj u ka bërë apel të gjitha grave të zonës t’i nënshtrohen ekzaminimit nëpërmjet mamografisë, për të kapur sa më herët kancerin e gjirit. “Është një mundësi që duhet shfrytëzuar, edhe pse të gjithëve iu urojmë një jetë sa më të gjatë, faktet tregojnë që është një sëmundje që në moshën tuaj prek gratë. Sa më shpejt ta identifikojmë, aq më mirë është për këdo. Për gratë vetë, për familjet tuaja, por edhe për të gjithë ne, sepse janë sëmundje që nëse zbulohen në kohë, historia edhe në Shqipëri tregon që kapërcehen. Do t’ju kërkoja mundësisht që edhe çfarë keni të njohur të tjerë, t’u thoni që këtë periudhë këtu në Dajç është kjo mundësi që ta shfrytëzojmë gjithmonë edhe më tepër” ka pohuar Beqaj.
Njësitë e lëvizshme të mamografisë dhe chek up do të qëndrojnë deri në fund të javës në Qendrën Shëndetësore të Dajçit për të kryer kontrolle edhe ekzaminime për të gjithë banorët e fshatrave Dajç, Kotërr, Dragush, Mabë, Zojs, Gjadërr dhe Gramsh. / https://shendeti.com.al/


